Sheshi "Spanja"
Një obelisk aty pranë e ka ndezur dritën e vet Paçka se është iluzion botësh të panjohura, hyjnore I thonë, por sado të krekoset mes kohëve moderne, Prapëseprapë mbetet dhuratë.
Arjan Th. Kallço
Mbrëmjeve kur dielli e braktis
Këtë faqe të globit, një tjetër dritë
I turret tokës. Drita e zemrave të njerëzve
E fshehur brenda nesh për orë të tëra
Në pritje të shkëlqimit. Edhe Roma nuk
Ka asnjë kundërshtim, sepse me të tilla
Drita e ka të shkruar historinë.
Të tjera kohë, të tjerë njerëz. Ndërsa
Të parët nuk shihnin përtej madhështisë
Asnjë ndjenjë të denjë për lartësim, të dytët
Ecin mes gjurmëve të madhështisë të ngritur në kult.
Apo tek shkallët e mermerta tek ulen për pak kohë
Jetojnë si në ëndrra kohët e lashtësisë. Një gotë
Përpara dhe një dolli të heshtur për gjithë sakrificat
Spërkatur me gjak. Kur je mërzitur nga pushimi
I zhurmshëm mes shkalloreve, po të duash kërcen
Edhe pak më lart. Një hap më shumë drejt madhështisë
Së shekujve që gjumë nuk flenë dot rehat. E përsëri
Një tjetër dolli, ashtu pa emra në gojë, pa asnjë
Dekoratë, veç pllakave të fiksuara në qoshet e mureve
Dhe në çdo çast dëgjohet mbytur nga një ligjëratë.
Sikur të mos mjaftonin dy përhumbje, më lart
Një tarracë, sa më lart të ngrihesh, aq më shumë
I afrohesh majës, nga ku madhështia është liri
Nga ku qyteti shtrihet i parrokshëm deri vonë në mesnatë.
Një obelisk aty pranë e ka ndezur dritën e vet
Paçka se është iluzion botësh të panjohura, hyjnore
I thonë, por sado të krekoset mes kohëve moderne,
Prapëseprapë mbetet dhuratë.
Comments (0 posted)
Post your comment