“Sheshi “Populli”
Dridhen gjithmonë kur kore zërash të etur për drejtësi, Ngarendin ku janë e ku s’janë, shembin edhe lavdinë...
Arjan Th. Kallço
Kombinim marramendës dritash
Si projektorë të drejtuar enkas mbi të
Qëndrojnë si roje besnike rreth sheshit.
Nuk ka hapësirë ku nata të mos
Duket ditë, e verdhë që shpon mjegullën e
Dendur të kohës.
Tash është bosh dhe ora nuk ka shënuar
Çastin e shumëpritur të takimit. Aty duket se
Jehon thirrja, “le të mblidhemi”, si dikur të parët tanë
Të shohim sesi kemi ndryshuar veten
Dhe historinë tonë. Pas pak zhurmat e hapave
Dhe të zërave të qeshur do ta pushtojnë sheshin.
Nuk është bori alarmi, as përgatitje për beteja
Të reja me armët rrokur në dorë, vetëm një zakon
Sinjalesh të trashëguara nga brezat, që nëse
Sovranët nuk i shohin nga verbëria e pushtetit,
Dridhen gjithmonë kur kore zërash të etur për drejtësi,
Ngarendin ku janë e ku s’janë, shembin edhe lavdinë
E shkuar, bëhen një trup i vetëm me të sotmen, s’ka forcë
Ta ndalë ortekun që përmbys dynjanë.
Lapidari skalitur, në mes, një tjetër piedestal
I paepur s’tundet më nga vendi, edhe pse
Në jetën e vet ka ndryshuar pardon, kurrë
S’i ka harruar tërmetet. I lartë sa vetë
Triumfi i idealeve të mbyllura në libra, në syndyqet
E kujtimeve mbuluar me ca coha të rënuara e që tash
Vuajnë nën peshën e historisë. Një grusht të rinjsh
Ulur në këmbë të tij i bëjnë sfidë lavdisë
Perandorëve hipur mbi kalë me shikimin e ngulur
Tek sheshi përballë. Nuk dihet ende sot cilët janë
Sovranët, populli që i zgjedh dhe pret ditët e bardha
Apo vetë ai shpesh i tradhëtuar nga të ashtuquajturit,
Mosmirënjohësit Sovranë?
Comments (0 posted)
Post your comment