Altari i Atdheut
Kur lëngatat gjëmëmëdha bujtin pa trokitur, heronjtë Janë aty të parët në mejdan me armët ngrehur, vetë frika...
Arjan Th. Kallço
Tashmë mbi ty ka rënë hija e natës
Edhe qetësia e verës po derdhet
Në rrugë. Nuk ka më pritje tek
Stazioni i autobuzit, vetëm disa banorë
Të përkohshëm të Romës që i gëzohen
Fatit të bardhë dhe imazheve hijerënda të historisë
Ngadhënjimtare në çdo rrudhë. Ka kohë që
Mban të pafikur flakën jetëdhënëse,
Udhërefyese të kohrave pagjumë
Për çdo shteg të përshkuar drejt lirisë,
Për çdo shpirt të murosur në çdo gjurmë.
Brenda një listë e gjatë me emra heronjsh zgjatet e zgjatet,
Luftëtarë të paepur në çdo kohë për atdheun, gdhendur
Bindshëm nga dora e pamëshirshme e historisë tek skarton
Armiq dhe tradhëtarë të heshtur.
Kur lëngatat gjëmëmëdha bujtin pa trokitur, heronjtë
Janë aty të parët në mejdan me armët ngrehur, vetë frika
Ka frikë prej tyre, prandaj fshihet në shpirtrat e shpërbërë
Të ca njerëzve të paskrupujt që armët e tyre kurrë
Nuk i kanë shkrehur.
Sipër nesh një ballkon i vetmuar s’ka më zë, ç’mund të thotë
Porta e turpit që fashiti ëndrrat, nuk krikëllin më nga hapja,
Bashkë me të është kyçur edhe jehona e hidhur e thirrjve
Për luftë, por që asnjëherë nuk gjeti përgjigje në zemrat.
Një tjetër histori në Altar po merr jetë,
Historia ndaj padrejtësive moderne mizore, edhe sikur
Thirrje për atdhe të mos ketë më, populli sërisht
Do të zbresë aty si përherë,
Në kërkim të heronjve të tjerë,
Në kërkim të dinjiteteve njerëzore.
Comments (0 posted)
Post your comment