Home | Literature | "Enigma e një brenge" (Fragment)

"Enigma e një brenge" (Fragment)

image
Më erdhi keq të të lija të brengoseshe edhe më tepër, duke dialoguar me veten tënde, siç na ndodh shpesh ne të burgosurve. Prandaj të fola tani, përndryshe do të të kisha vëzhguar në heshtje dhe disa ditë. 

 

 

 

 

Nga Agim Hamiti

 

 

 

 

 

 

Një dhimbje e padurueshme në të djathtë të fundit të barkut e detyroi të harronte çdo siklet tjetër dhe të kërkonte ndihmën urgjente të mjekut. Ky konstatoi krizën e një apandesiti akut. Ai duhej të shtrohej patjetër në spital. Mjeku njoftoi hetuesin, pa miratimin e të cilit i arrestuari nuk mund të dilte prej hetuesisë speciale.
— Qiraxhiu me hanxhiun takohen, i tha gjithë kënaqësi hetuesi mjekut, kur ky i përshkroi gjendjen shëndetësore kritike të të paraburgosurit. – Tani do të merrem vesh me të, besoj.
Ai shkoi menjëherë në qeli, ku Shkëlzeni po përpëlitej si gjarpër i plagosur.
— Shkëlzen, jam unë, hetuesi. Dua të shkëmbejmë dy fjalë bashkë.
Ai u përpëlit edhe disa sekonda, pastaj u kthye me zor brinjas. Duke u tkurrur në fytyrë, u mundua ta përqendronte shikimin mbi hetuesin.
— Nëse nuk shtrohesh urgjentisht në spital e të operohesh, dhimbjet do të të shtohen dhe një shpërthim i mundshëm i apandesitit do të thotë vdekje me lemeri. Për tu shtruar në spital, duhet doemos firma ime, si hetues përgjegjës. Unë nuk kam ndërmend ta hedh atë firmë, pa nënshkruar ti më parë procesverbalin e pranimit të aktakuzës. Ja ku e ke procesverbalin, ja edhe autorizimi i shtrimit tënd në spital. Firmos ti, të firmos unë.
Tek po firmoste, Shkëlzenit i rrodhën lotët çurg prej syve të mavijosur.
Shpresimi përpiqej të mos binte në sy të bashkëvuajtësve për tronditjen e thellë shpirtërore që po përjetonte. Fakti që ai kishte ardhur rishtas në kampin e Repsit e ndihmonte në këtë drejtim. Si i burgosur i ri, ai i kishte ende të kufizuara marrëdhëniet me bashkëvuajtësit e tjerë dhe e kishte vetë në dorë për të mos i zgjeruar ato më tej. Për fat të mirë, asnjëri prej të burgosurve korçarë që ndodheshin në kampin e Repsit nuk e kishte njohur në jetën e lirë. Në këtë mënyrë, ai nuk ndihej i detyruar të mbante marrëdhënie me askënd.
Shpresimi vetë e njihte njërin prej atyre. Ai kishte qenë mësues dhe në klasën e pestë i kishte dhënë lëndën e historisë. Pastaj ai ishte transferuar në një fshat tjetër dhe Shpresimi nuk e kishte takuar më. Kishte kaluar shumë kohë qysh atëherë dhe as ai vetë nuk e kishte njohur dot në fillim mësuesin e tij. Ky kishte ndryshuar shumë fizikisht. Shpresimi nuk e kishte pasur të lehtë ta besonte se ky burrë me rrudha ishte ai djaloshi i dikurshëm, i cili i kishte shpjeguar aq ëmbël historinë.
«Tani do të isha kurioz të më shpjegonte historinë e jetës së tij, si i ka ndodhur që ka përfunduar në burg politik», tha me vete Shpresimi, kur dëgjoi një ditë tellallin e kampit të thërriste emrin e Servet Dautllarit, për t’i dhënë një telegram.
Shpresimi nuk i dha përsëri të njohur, megjithëse atë ditë u bind për identitetin e tij. Ai e dinte se ishte e pamundur të mos fliste për ndarjen me familjen, po të takohej me ish-mësuesin, ndërkohë që dëshironte ta largonte sa më shumë një çast të tillë.
Sa herë ndaheshin letra në kamp, Shpresimi nuk afrohej pranë turmës së të burgosurve të grumbulluar përqark personit që lexonte emrat. Si pjesë e tij e pandashme, edhe emri po i mohohej prej jetës së lirë.
— Shpësim Bo…, thirri një ditë shpërndarësi i letrave.
As emrin dhe as mbiemrin e marrësit ai nuk po i saktësonte dot. Shpresimit, i cili ndodhej si gjithmonë pak më tej turmës, i kaloi një e dridhur në trup. Ai ndaloi frymëmarrjen dhe, me një ankth në rritje, po priste të dëgjonte mbiemrin e plotë. Ndërkohë një i burgosur, i ardhur javën e fundit, i foli personit që shpërndante letrat:
— Të lutem, a mos është Shpëtim Boloku?
— Ndoshta, por mbi të ka rënë një njollë boje që e vështirëson leximin e emrit dhe të mbiemrit. Më mirë, na shikoje vetë.
Me të marrë letrën në dorë, i burgosuri i ri njohu shkrimin e vëllait dhe lexoi emrin e dërguesit.
— Faleminderit, e imja është.
Shpresimi psherëtiu, i ktheu krahët turmës dhe u nis të largohej.
— Më fal një minutë, Shpresim, i foli dikush nga pas krahëve.
Ky ktheu kokën. Ish-mësuesi i historisë i buzëqeshi miqësisht dhe i zgjati dorën:
— Servet Dautllari. Kam një javë që po vras mendjen, nëse është e vërtetë që dikur të kam pasur nxënës. Gjatë gjithë kohës që kam punuar mësues, vetëm një nxënës kam pasur me emrin Shpresim. Sipas të dhënave që kam arritur të mësoj rreth teje, besoj se ai nxënës je ti. A të kujtohen mësuesit e historisë të shkollës shtatëvjeçare, Shpresim?
— Më kujtohen, se vetëm dy kam pasur. Ti je njëri prej tyre. Kam dyshuar qysh kur ta kam dëgjuar zërin dhe të kam mësuar emrin e mbiemrin, por sesi më dukej të mendoja se ish-mësuesi im kishte rënë në burg. Në konsideratën time për ta, mësuesit mbeten të pagabueshëm, gjersa janë në gjendje t’iu mësojnë aq shumë gjëra të tjerëve. Por nuk qenka kështu. Fizikisht nuk të kam njohur dot; ke ndryshuar shumë.
— Se kam vuajtur shumë. Këtu jeta është torturë. Fatkeqësisht, po e provon vetë këtë. Kjo është një botë krejt tjetër, Shpresim; një turp njerëzor. Askush prej nesh nuk e ka besuar më parë, se mund të ndodhin këto akte të shëmtuara, për të cilat ne sot jemi dëshmitarë okularë.
«Po të ndiqja me vëmendje pak më parë, kur po ndaheshin letrat. Sa dëgjove një emër të ngjashëm me tëndin, u mallëngjeve e u afrove pranë. Pasi dole i zhgënjyer, u turbullove. Më erdhi keq të të lija të brengoseshe edhe më tepër, duke dialoguar me veten tënde, siç na ndodh shpesh ne të burgosurve. Prandaj të fola tani, përndryshe do të të kisha vëzhguar në heshtje dhe disa ditë. Kam përshtypjen se ti nuk ke korrespondencë me familjen, Shpresim.
— Unë nuk kam më as familje… psherëtiu Shpresimi.

 

 

Fragment nga Romani "Enigma e një brenge", i Agim Hamiti-t

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00