Agim në Romë
Po agon shpenguar edhe një ditë e re Në qytetin e Lavdive të pashuara Dhe llastueshëm nga gjumi i shkurtër...
Arjan Th. Kallço
Po agon shpenguar edhe një ditë e re
Në qytetin e Lavdive të pashuara
Dhe llastueshëm nga gjumi i shkurtër
Në rizgjimin e përgjumur të verës
Solemnisht e kremton. A mund të ketë
Ndonjëherë kllapitje nga lodhja e gjatë
E kohës së paprekur që tangent rrëshqet
Në damarët e historisë?
Sytë kanë kohë të hapur,
Si dikur në Athinën e nxehtë
Nën përpëlitjet e zakonshme të disa minutave
Të pafund ku dëshirat e pakënaqura
Nuk duan të binden. Dhe përsëri i shoqëruar
Si në çdo kryeqytet ku kam shkuar
Nga shpirtrat bujarë të legjendave urbane
Fshehur diku nëpër libra a rafte,
Të bashkëvuajtësve të mi poetë.
Përjashta ka rënë qetësia e periferisë
Dhe asnjë grimcë grindavece e një nate më parë
S’duket të mjegullojë mes pallateve të lartë.
Ajri i freskët në ballkon të mbush thellë
Me frymën e munguar të ditës përvëluese.
Trotuaret, bulevardet janë memecë
Të njomur nga lagështia inatçore që tinëz
Vazhdon të bjerë e pashqetësuar nga drita
E dielli, por ende asnjë vendim dot s’merr.
Pemët gjelbëroshe gjithmonë frymojnë
Të vetmet qënie që komunikojnë me jetën
Në ketë duel të çuditshëm pa armë dhe
Pa asnjë dert.
Romë, 9 Korrik 2012
Comments (0 posted)
Post your comment