Stacioni Roma Termini
Kush ngrihet në fluturim i duhen disa Çaste të marrë frymë lirisht, Të thithë oksigjenin e duhur të çlirimit, Ta harrojë plurin vrasës të qytetërimit, Pluhurin e pafshirë të historisë.
Arjan Th. Kallço
Historia fiksohet çdo ditë në celuloidet
E aparateve fotografike mes flesheve
Të panumërt që shkrepen papushim.
Stacioni i trenit s’vë kurrë
Gjumë në sy. Nuk ka kohë për ndalesa
Blackaut-e që të përjashtojnë nga memoria
E historisë, as pushime nga lodhja nostalgjike
e shekujve të pandershëm gënjeshtarë.
Bujtësit pretendojnë mikpritje bujare
Prej djepit të paprishur të Besës së Madhe,
Përherë mik i ngushtë i udhëtarëve
Të panjohur, i mallit të të parëve.
Njerëz që mbërrijnë nga larg,
Vizitorë të botëve të panjohura trokasin
Me padurim presin çastin e shumëpritur
Ta hedhin firmën e tyre në faqe të bardhë,
Nëse ende ka mbetur bosh nga penat,
Nëse ende ata i ka pritur.
Udhëtarë të tjerë nisen për larg
Me historinë e tyre në zemër
T’ua tregojnë si ambasadorë ciceronë
Të gjithë të vuajturve të shkretë
Se sakrificat janë të tyret, edhe pse
Pas nuk lënë dot asnjë emër.
Ky stacion është kryqëzim fatesh
Të historisë sonë të re : nuk shkruhet më
Mbi pergamena të padeshifrueshme
Mbushur plot me sekrete të amshueshme, por
Në këtë tokë bekuar nga drita e shpresës
Mbi të shtrenjtin dhe’.
Aeroporti Ciampino
Avionët si zogj të etur
Për hapësira lirie
Ulen e ngrihen papushim mbi të.
Nuk ka dallime ngjyrash apo
Flamujsh në krahët e trupit
Me kujdes stampuar.
Kush ulet në pistë pak ajër
Lirie sjell me vete. Është tepër
I pastër atje lart, pa asnjë ndotje
Teknologjike të oxhaqeve shtatlartë,
Ndërsa tretin ushqimin e përditshëm
Shtëllungat e tymit vrasin të ardhmen
Për paratë. Por ndotje të tjera
Ia prishin humorin Botës.
Kush ngrihet në fluturim i duhen disa
Çaste të marrë frymë lirisht,
Të thithë oksigjenin e duhur të çlirimit,
Ta harrojë plurin vrasës të qytetërimit,
Pluhurin e pafshirë të historisë.
Edhe dashuritë janë ndryshe aty lart
Të pastra si vetë natyra. Shkundet
Pluhuri jetës, i maskave gënjeshtare që
Mjerisht ajo i mbart, edhe ndjenjat tronditen
Thellë brenda nesh, por sa pak që zgjat,
Sa pak.
Romë, 10 Korrik 2012
Comments (0 posted)
Post your comment