Home | Literature | * * *

* * *

image
— Paradoksi kryesor është në nisje: padrejtësia ndëshkon në emër të drejtësisë! Prej këtij burimi rrjedh gjithçka paradoksale.

 

 

 

 

Nga Agim Hamiti

 

 

 

 

...

— Sa e dhimbshme të të mbeten eshtrat në burg! tha Shkëlzeni me sytë tek barela, me të cilën po transportohej trupi i pajetë i të burgosurit.
Bashkëvuajtësit e tij e shoqëruan deri tek porta e madhe e kampit. Atje e morën të burgosurit ordinerë, të cilët do ta çonin në fshatin Shëpal, ku gjendej varreza e të burgosurve politikë të Spaçit.
Në kohën që barela me të vdekurin po kalonte para të burgosurve të rreshtuar në dy radhë përballë njëra-tjetrës, drejtori i Drejtorisë së Kampe-Burgjeve, i shoqëruar prej komandantit, komisarit, operativit dhe një grupi policësh, po hynte në mjediset e brendshme të kampit të Spaçit.
Pas dhjetë minutash, tellalli u thirri të burgosurve të rreshtoheshin, se do t’ju fliste drejtori nga Tirana.
Agresiviteti i të shprehurit të këtij ra në sy qysh në fjalët e para:
— Marr shkas nga përcjellja që po i bënit të vdekurit pak më parë, për t’ju bërë të qartë një nga parimet kryesore të punës së drejtorisë sonë. Ju jeni të gjithë të dënuar për veprimtari armiqësore, por në regjistrat tanë jeni të klasifikuar në dy kategori: armiq tradicionalë dhe armiq të rastësishëm. Në kategorinë e parë klasifikohen të burgosurit me prejardhje prej klasës së përmbysur. Këta janë armiq konsekuentë, e kanë të trashëguar armiqësinë ndaj partisë sonë, prandaj ne kemi shumë pak shpresë për rehabilitimin e tyre. Ndryshon puna me të burgosurit me prejardhje nga klasa jonë, të cilët kanë gabuar ndoshta pa dashje dhe ligji, duke qenë i barabartë për të gjithë, i ka dënuar si të tjerët. Këta janë të rehabilitueshëm dhe ne i shikojmë me sy tjetër, krahasuar me kategorinë e parë. Ju duhet ta dini të gjithë se, ashtu siç diferencojmë ideologjikisht familjet tuaja në jetën e lirë, diferencojmë edhe ju këtu.
«I burgosuri i vdekur, që ju përcillnit me respekt pak më parë, ka qenë armik tradicional i partisë sonë. Ai ka luftuar me armë në dorë kundër nesh. Le ta përcjellin të burgosurit e kategorisë së tij, por jo ju, njerëzit tanë, që një ditë do të ktheheni në gjirin e shoqërisë sonë. A i ka hije, p.sh., një ish-anëtari të brigadës së parë partizane, si atij atje pranë stolit, që të përcjellë një ish-oficer të Zogut, si i vdekuri i sotëm?
Duke thënë fjalët e fundit, drejtori po tregonte me gisht një ish-partizan të orëve të para i dënuar 25 vjet burg si agjent sovjetik.
Një i burgosur i moshuar, i cili kishte qenë gjithashtu oficer i ushtrisë mbretërore, ia priti me zë të lartë:
— Në qoftë se i burgosuri ish-partizan nuk duhet të nderojë një ish-oficer të vdekur të Mbretit Zog, pse u dashka të nderojë një ish-sekretar konsullate të asaj mbretërie, siç ka qenë udhëheqësi i partisë suaj, i cili po i vdes në burg edhe ish-partizanët e orëve të para?
— Si guxon, ti armik i poshtër, të vësh shenjën e barazimit midis udhëheqësit tonë të lavdishëm dhe një të burgosuri politik të dënuar nga gjyqi i popullit për veprimtari armiqësore? Lidheni dhe futeni në birucë, i urdhëroi ai policët e pranishëm, i bërë spec në fytyrë.
Ndërsa të burgosurit kurajoz po i hidheshin hekurat, Shkëlzeni pyeti Servetin me zë të ulët:
— E vërtetë është ajo që tha i burgosuri?
— Plotësisht e vërtetë. Kunati i tij u interesua atëherë që lideri i sotëm i shtetit shqiptar të emërohej sekretar konsullate në Belgjikë, me shpresë se mos përfundonte studimet universitare të braktisura në Francë. Ai jo vetëm që nuk e kreu dot universitetin, por e pushkatoi edhe kunatin bamirës, me të marrë pushtetin. Mungesa e një diplome universiteti dhe shërbimi i tij në konsullatën mbretërore e kanë detyruar diktatorin e sotëm të mos pranojë t’i shkruhet biografia në hyrje të veprave të tij.
— Dhe u dashkan persekutuar ish-xhandarët e oficerët e asaj mbretërie; ç’paradoks!
— Paradoksi kryesor është në nisje: padrejtësia ndëshkon në emër të drejtësisë! Prej këtij burimi rrjedh gjithçka paradoksale.

...

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0