Home | Literature | Intervistë me autorin, Arjan Th. Kallço

Intervistë me autorin, Arjan Th. Kallço

image Arjan Th. Kallço, Pedagog i Gjuhës italiane/Universiteti Fan S. Noli, Korçë
Një realitet është më i besueshëm kur e prek vetë me të gjitha shqisat e tua, ndryshe do të mbetet gjithmonë një ëndërr e bukur, ose nuk do ta njohësh kurrë. Këtu qëndron dallimi midis poetëve që njohjen e realizojnë me imagjinatë apo e përfytyrojnë dhe poetëve që pengesat midis tyre dhe njohjes dinë t’i kapërcejnë.

 

 


Nga Dea J Klosi

 

 

 

 

 


Klosi News : Zoti Kallço, a mund të na flisni pak për krijimtarinë tuaj letrare, me se përfaqësohet ajo dhe ku mund të gjendet ?


Arjan Th. Kallço : Dëshiroj që në fillim t’ju falenderoj për këtë intervistë në sitin tuaj që të them të drejtën më jep kënaqësi të pamasë. Është intervista ime e parë dhe ju keni ekskluzivitetin në botimin e saj. Jam dy herë i lumtur, pasi duke marrë në konsideratë punën time, jam mësuar të shkruaj dhe intervistoj të tjerët dhe jo veten. Krijimtaria ime është e shumëanshme, pasi prek poezinë, prozën në dy gjuhë dhe përkthimet. Nuk po përmend këtu artikujt dhe studimet. Kam filluar të shkruaj mbi dy dekada më parë kur isha student në Tiranë, por gjithmonë ndien brenda vetes një farë ndrojtje që t’i botosh krijimet e para. Më pas ishte një periudhë kur poezitë i shkrova në gjuhën italiane dhe takimi me një mike italiane në Tiranë, më dha shtysa që t’i përktheja edhe në gjuhën shqipe. Ndoqa një rrugë tjetër: i shkrova në dy gjuhë, duke menduar në gjuhën italiane dhe gjuhën shqipe. Ndoshta është një risi që për mua pati shumë rëndësi dhe interes.
Fillimisht botova një libër me proverba, më pas përkthime dhe libri im i parë me poezi do të dilte shumë kohë më pas, në vitin 2010, me një përmbledhje poezish në dy gjuhë, nga udhëtimet e mia në Greqi. Vendi i qytetërimit që tronditi dhe pushtoi botën me madhështinë e vet, nuk mund të mos të të frymëzojë në krijimitarinë tënde. Një poet i mençur di të respektojë kohë, vende dhe tradita. Poezi të shumta ka edhe në sitet e interneti po në dy gjuhë; mjafton të klikosh emrin. Proza lindi më vonë se poezia, pas një përvoje të gjatë në gazetari, atëhere kur e ndjen se ka ardhur momenti i duhur që ti kthesh sytë nga një gjini tjetër, që kërkon më shumë kohë që ta shkruash. Të dyja gjinitë për muaj janë të barabarta; ka ditë që kërkon të shprehesh gjatë në tregime, ngjarjet nuk mungojnë kurrë, dhe të hedhësh në letër mendime, reflektime, filozofi dhe interpretime psikologjike të jetës. Vjet botova librin e parë me tregime, Ëndrrat thyhen shpejt, të ndarë në dy pjesë, në tregime udhëtimi dhe me tema reale shqiptare. Ka ditë kur frymëzimi të tërheq si një magnet drejt poezisë, shpirti është tepër i prekshëm dhe delikat, dhe vargjet nuk rreshtin. Stinët e vitit, sidomos periudhat përmbyllëse dhe fillestare, janë katalizatori i vërtetë i ngacmimeve tek ndjeshmëria e poetit. Librat e mi, në sajë edhe të kontributit dashamirës të sponsorëve, i gjen tek lexuesit dhe sigurisht në Bibliotekën tonë kombëtare, si dhe në internet në sitet e gazetave, të konkurseve dhe antologjive në Itali, në Greqi, Kosovë, Maqedoni, Amerikë etj.


Klosi News : Njëri prej poetëve më të mëdhenj të shekullit të kaluar, Rilke, thotë kështu : « Për të shkruar qoftë dhe një varg të vetëm, duhet të kesh parë shumë qytete, shumë njerëz e plot gjëra. Duhet ta ndjesh si fluturojnë zogjtë. » Cili do të ishte përkufizimi juaj i poezisë ?


Arjan Th. Kallço : Në fakt Rilke ka të drejtë kur thotë se duhet të kesh udhëtuar dhe parë shumë, pasi nëse qëndron në një vend ka rrezik që të përsëritësh vetveten. Por unë mendoj se ka mënyra të shumta për të parë: shikon nga avioni, treni, autobuzi, makina, por asnjëherë nuk e zëvendëson shikimin kur ecën, pasi bëhesh pjesë e një bote që e ndien, shijon, prek. Një realitet është më i besueshëm kur e prek vetë me të gjitha shqisat e tua, ndryshe do të mbetet gjithmonë një ëndërr e bukur, ose nuk do ta njohësh kurrë. Këtu qëndron dallimi midis poetëve që njohjen e realizojnë me imagjinatë apo e përfytyrojnë dhe poetëve që pengesat midis tyre dhe njohjes dinë t’i kapërcejnë. Edhe unë kam udhëtuar shumë, janë jo vetëm një hobi, profesioni im ma lejon këtë luks, por përmes tyre shmang pikërisht ëndrrën romantike të të shkruarit pa parë. Në një nga vargjet e mia theksoj se udhëtimet janë ilaçi i vetëm për mua.
Pra siç e shihni Rilke dhe të gjithë poetët e dashurojnë udhëtimin. Poeti pa udhëtimet ngjan me një marinar pa detin apo pilot pa avion. Nëse i pyesni të tria kategoritë, do të përgjigjen se udhëtimi për ta është jetë.
Këtu mund të citoj një poezi të shkurtër të shkruar pikërisht nga dehjet e udhëtimeve : Dashuri të tjera do kërkoj/ për të jetuar mijëra jetë/ shpirti pa brenga nuk jeton/ ashtu si deti pa lumenjtë. Në një konkurs në Itali, pikërisht se çfarë është poezia, i jam përgjigjur me disa përkufizime :

Poezia është tingulli i të gjitha instrumentave muzikorë të marra së bashku.
Poezia është zgjimi i jetës në pranverë dhe lakuriqësia e vjeshtës.
Poezia është një kuzhinë plot oreks ku nuk mungon asnjë përbërës.
Poezia është shpirti sublim që mbledh të gjitha dridhjet e ndjenjave të kohës në të cilën jetojmë.
Unë mendoj se një përcaktimi më i gjerë do të ishte përmbledhja e të katër përcaktimeve në një të vetëm dhe do ta shihni sesa komplekse është poezia, pasi përmban pak muzikë, pak natyrë, pak kuzhinë dhe shumë ndjenjë.


Klosi News : Sot, ne jetojmë në epokën e Internetit, që i ka tronditur shumë zakonet tona të të lexuarit dhe shkruarit. Si e shihni Ju poezinë në lidhje me këtë mundësi të re shprehjeje ? A është bërë ajo më demokratike ? A ka fituar apo humbur në këtë histori ?


Arjan Th. Kallço : Është mëse e vërtetë. Disa e quajnë tërmet, por unë do të përdorja fjalën revolucion që më pëlqen shumë, pasi përmbys gjithçka. Dhe realisht kështu ndodhi, ëeb-i dhe kompjuteri na goxhdoi të gjithëve para ekranit dhe tashmë jemi bërë edhe internetodipendentë. Dikur shkruaje një letër dhe ajo kërkonte kohën e vet që të mbërrinte tek destinacioni, më pas përgjigjia kërkonte të njëjtën kohë që të vinte. Tani ato kohë kanë përfunduar, sepse gjithçka mbërrin në kohë reale. Pak kohë më parë unë kam shkruar disa artikuj lidhur me këtë revolucion, bile kam sjellë në to edhe mendimet e shkrimtarëve, të poetëve, të botuesve, por edhe të njerëzve të tjerë. Mund t’i gjeni lehtësisht në internet, p.sh tek Gazeta Kritika që është on line. Poezia është çliruar nga faktori kritikë apo çensurë dhe e boton në çast. Unë botoj edhe në facebook dhe aty marr vlerësimet e para, nëse u pëlqen apo jo.
Por sigurisht jo çdo formë e shprehur në vargje është poezi e bukur. Interneti u dha mundësi të gjithëve që të shkruajnë, por duhet shumë kujdes. Para se të botohet një poezi është mirë që të piqet, natyrisht flas për poetët emergjentë, të rishikohet, të rilexohet shumë, edhe sikur të kërkohet mendimi i poetëve të afirmuar. Problemi qëndron në përulësinë për ta bërë atë hap, pasi ndeshemi shpesh me raste kur lexohen vetëm lavdërime dhe nëse shoqërisht u shkaruan se poezia ka nevojë për një rishikim, ngrysen dhe stepen, alarmohen dhe shkruajnë përgjigje nga më të çuditëshmet. Të vjen keq që nuk e kanë kuptuar ende ligjin e parë të të qënit poet, njeri i përulur dhe dashamirës ndaj kritikave, nëse ato bëhen me vend, me synimin që t’i japësh një ndihmë. Mendjemadhësia, bela e të zot’-na kujton proverbi. Unë besoj se nuk ka të humbur dhe fitimtarë në këtë histori, nuk është luftë me kohën, teknologjia bën të vetën dhe duhet ta pranojmë, por është luftë me veten, me kërkesat e secilit poet për një poezi sa më cilësore.


Klosi News : Dihet se gjatë gjithë jetës, ne zgjedhim gjithmonë, në heshtje apo me zë të lartë, një mësues, një rrymë ku e gjejmë veten më mirë. Nga vijnë ndikimet tuaja letrare dhe poetike ?


Arjan Th. Kallço : Në jetë njeriu kur është në hapat e para të saj ka nevojë për modele, por varet cilat modele zgjedhim. Jam i bindur se modelin më të mirë, nuk ka perfekt, njeriu duhet ta ndërtojë vetë çdo ditë. Unë do ta quaja ndikim nga mësuesit, por përsëri me një lloj caku, pasi rrezikojmë të humbim origjinalitetin dhe identitetin. Shumë poetë dhe shkrimtarë kanë patur një ndikim në fillimet e tyre dhe më pas koha ka treguar se u kanë qëndruar besnikë atyre deri në fund, ose gjatë krijimtarisë kanë ndryshuar. Më duket se këtu duhet bërë një saktësim, ndikim në formë dhe në përmbajtje. Unë njoh poetë që edhe sot kanë mbetur “skllevër” të formave klasike të poezisë dhe e ndiejnë veten mirë. Unë kam disa modele që i zbulova gjatë viteve të punës sime, poetë që janë Nobelistë italianë dhe që i përkasin Hermetizmit. Në poezinë hermetike vetëm simbolika është është ndikim, pasi forma është praktikisht e lirë, ndërsa përmbajtja mendoj se nuk duhet marrë në konsideratë: kohët nuk janë të njëjta. Unë personalisht nuk jam dakort edhe me fjalën rrymë, pasi arti është art në të gjitha kohët. Edhe realizmi aq i etiketuar socialist prodhoi letërsi, dhe të mirë, ndërsa në fazat e sotme të shoqërisë sonë, letërsia, edhe pse e çliruar, nuk arrin të ketë rezultatet e së kaluarës. Këtu duhen kërkuar arsyet dhe jo tek dufet e kota në shumë artikuj.


Klosi News : Sot shihet njëfarë gjallërimi i veprimtarive poetike në Shqipëri. A mendoni Ju se poezia ka nevojë të kalojë përmes këtyre takimeve ? Po vlerësimi me çmime, në rang lokal, kombëtar apo ballkanik, a ju duket diçka pozitive për poezinë ? Shkurt, a ka poezia një mision të përcaktuar ?


Arjan Th. Kallço: Që arti ta gjallëron mendjen, kjo është nja aksiomë që nuk ka nevojë për përgjigje, por varet se cilën mendje përpiqet ta gjallërojë. Unë nuk jam kundër veprimtarive të larmishme artistike, bile kam qënë me shkrimet e mia promotor i tyre. Varet nga shoqëria pastaj sesa është në gjendje ta ndjekë, ta kuptojë, ta vlerësojë, ta thithë. Më duket se kohët shqiptare moderne janë në kah të kundërt me drejtimin e dëshiruar. Unë jam për takime ku të shprehen hapur mendime, vlerësime, kritika, por ndruhem se gjithçka do të degjenerojë në zënka dhe qefprishje. Një poet i mirë e kupton kur kritika bëhet nga qëndrime të drejta dhe kur nga zilia. Çmimet apo vlerësimet kanë rëndësinë e tyre, por duhet që ato të priren nga serioziteti dhe cilësia. Kush nuk ka nevojë për një stimul për një punë të mirë që bën? Tek ne vlerësimet kanë natyrë tjetër dhe mbeten peng i grupimeve të ndryshme të vetë letrarëve. Por e përçmoj karakterin politik të tyre. Poezia nuk ka vetëm një mision, ka disa, por më i rëndësishmi është ai i lartësimit shpirtëror të njeriut, pa të cilin nuk lind asnjë reaksion në hapësirat e tjera. Tek shpirti gjejnë shprehjen e vet edhe mendimet që zbuten nëse kanë revanshin e padurimit apo trazohen nëse monotina dhe melankonia i ka dergjur të përgjumura. A ka mision më fisnik se ky?


Klosi News : Dhe së fundi, cila është poezia juaj më e dashur, nga një autor shqiptar dhe nga një autor i huaj ?


Arjan Th. Kallço : Më parë më duhet të përmend emrat e poetëve dhe më pas poezitë. Fjala poet është disi e keqpërdorur këto kohë, masivizmi dhe mospërcaktimi i vlerave, shembull tipik i Shqipërisë pas viteve ’90, ka bërë që poetë të quhen të gjithë ata që kanë shkruar edhe një poezi të vetme apo ndonjë libër. Poet për mua është ai që sfidon kohën, nuk kënaqet me punën e vet, por gjithmonë kërkon dhe gjen risi, ka një vision të gjerë të natyrës së vet, por më e rëndësishmja, ai i impenjuar në shoqëri. Unë jam gjithmonë pranë lirikut tonë të madh, Dritëro Agolli, poetit të ëmbël dhe meqë po kremtojmë 100 vjetorin e Pavarësisë, poema Nënë Shqipëri, është poezia më e dashur për mua, është një testament i vërtetë për të gjithë shqiptarët. Autorë të huaj, e kam të vështirë që të përmend një emër, pasi puna ime edhe si përkthyes më ka njohur me emra të shumtë dhe të mëdhenj. Por nëse duhet një emër do të përmendja Mario Lucin dhe poezinë e tij të shkëputur nga përmbledhja Poezi të shpërhapura: Jetës. Është një poezi sublime e një autori që nuk e fitoi dot Nobelin, sepse nuk gjeti mbështetje në vendin e vet, por nëse lexoni gjithë jetën e tij dhe poezinë, do e kuptoni se është në nivelin e Nobelistëve me të drejta të plota. Po ju citoj disa vargje të përkthyera në shqip dhe të gjithë poezinë në gjuhën italiane.

*********

Miq, po na pret një barkë tek lëkundet
në dritën ku qielli përthyhet/
dhe prek detin, fluturojnë krijesa të marra…

*********

Amici ci aspetta una barca e dondola
nella luce ove il cielo s'inarca
e tocca il mare, volano creature pazze ad amare
il viso d'Iddio caldo di speranza
in alto in basso cercando
affetto in ogni occulta distanza
e piangono: noi siamo in terra
ma ci potremo un giorno librare
esilmente piegare sul seno divino
come rose dai muri nelle strade odorose
sul bimbo che le chiede senza voce.
Amici dalla barca si vede il mondo
e in lui una verità che precede
intrepida, un sospiro profondo
dalle foci alle sorgenti;
la Madonna dagli occhi trasparenti
scende adagio incontro ai morenti,
raccoglie il cumulo della vita, i dolori
le voglie segrete da anni sulla faccia inumidita.
Le ragazze alla finestra annerita
con lo sguardo verso i monti
non sanno finire d'aspettare l'avvenire.
Nelle stanze la voce materna
senza origine, senza profondità s'alterna
col silenzio della terra, è bella
e tutto par nato da quella.


Klosi News. Ju falemnderit!


Arjan Th. Kallço : Falenderimet më të veçanta dhe të sinqerta ju takojnë juve, për punën dhe sitin tuaj.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00