Mëngjes në Shkup
Qyteti sapo ishte zgjuar Nga gjumi tundues i vjeshtës Mes përpëlitjeve të fundit Të kallura në dilemat...
Arjan Th. Kallço
Mëngjesi ma shkeli syrin në Shkup
Kur rrezet e diellit ende
Ndiheshin të dobëta nga nata.
Qyteti sapo ishte zgjuar
Nga gjumi tundues i vjeshtës
Mes përpëlitjeve të fundit
Të kallura në dilemat
E pazgjidhura kurrë
Në skenën më tronditëse
Të ndërrimit të stinëve.
Qyteti po merrte frymë thellë
Nga kureshtja për të parë
Sesi do të kalonte edhe një ditë
E re nën petkun e vjetër.
Duket se të gjithë njerëzit
Nuk bëjnë gjë tjetër,
Veç mendojnë tek ecin
Të shpenguar drejt vendeve
Të tyre të përditëshme të jetës.
Dikush ndalet më parë të pijë një kafe
Të ngrohtë buzë rrugës që gjithçka
Të fillojë mbarë, dikush vrapon
Midis semaforëve të pabindur të durimit
Të prekë ëndrrën e dashurisë,
Të tjerë udhëtojnë bashkë me kohën
E të mos ndihen të ndarë.
Mirëseardhe më tha qyteti përsëri,
Edhe pse e di fort mirë, për ty
S’është hera e parë.
Shkup, 27 Shtator 2012
Porti i vogël
Porti i vogël në këtë muzg
Të qetë shtatori
Po fle gjumë. Kudo ka pllakosur
Heshtja e tronditëse e vetmisë.
Secila unazë e zinxhirrit
Punon për veten e vet, jashtë
Harmonisë së përsosur ditore.
Anijet dergjen pranë e pranë
Si copa të vdekura metalesh që
Më nuk frymojnë.
Motorët kanë kohë që janë fikur
Dhe të heshtur nuk e ngrohin dot
Këtë ftohtësi babëzitëse. Edhe
Ata që do t’i ndiznin kanë shkuar
Të çlodhen në vatrat e tyre.
Kush do të udhëtonte
I vetëm në këtë liqen ku legjendat
E lashta dhe moderne s’kanë të sosur?
Zemra e portit duket se ngadalë
Po pushon së rrahuri për të arritur
Kulmin pas mesnate kur edhe vetë
Jeta e qytetit do të pushojë. Për çudi
Dritat e zbehta krijojnë
Sfondin e dashur të përgjumjes, ndërsa
Fanari orientues është i fikur e
Nëse ndonjë anije vonë do të trokasë
Portën e hyrjes do ta gjejë të mbyllur.
Jeta po i bashkohet kësaj trullosjeje
Matematikore të llogaritur mirë dhe,
Është gati të flejë gjumë. Ja,
Po e këndoj unë nina-nanën e parë
Të përkundjes së djepit.
Ohër, 27 Shtator 2012
Comments (0 posted)
Post your comment