Home | Literature | * * *

* * *

image
— Nuk është i aftë për role të dyfishtë ai. Çdo marrëveshje me ne e vlerëson si një përforcim të privilegjeve të tij të rëndomtë brenda jetës së kampit. Aq më tepër që këtë herë ne i premtojmë se do ta nxjerrim prej burgut.
— Nuk e gënjejmë. Por do ta nxjerrim për ta çuar, ku?
— Në varreza, sigurisht.

 

 

 

Nga Agim Hamiti

 

 

 

 

Zëvendësministri e takoi të dërguarin e posaçëm në kampin e Spaçit për çështjen e Shkëlzen Gramit, sapo ai e njoftoi se ishte kthyer në Tiranë.
— E, si u ndave me Gramin, luftë apo paqe?
— Luftë, shoku shef, luftë. I ka marrë koka erë atij djali dhe është e pamundur ta gjesh fjalën me të.
— Kokat që marrin erë ne i hedhim në erë, por rasti i tij është i veçantë. Do
të kishte qenë me shumë interes një ujdi me të. Na duhet t’i zbulojmë patjetër dhe t’i shkulim rrënjët e lëvizjes separatiste në Kosovë, e cila solli trazirat e kësaj vere. Ne kemi shumë armiq të jashtëm, për shkak të parimeve tona të larta që atyre u djegin sytë. Në këto rrethana, turbullimi i ujërave në Jugosllavi prej kosovarëve, që kërkojnë qiqra në hell, është kundër interesave tona aktuale e perspektive. Shkëlzen Grami do të ishte një letër e fortë në duart tona, për të depërtuar në radhët e udhëheqësve shpirtërorë të lëvizjes së atjeshme separatiste. Ai është shumë i besuar e i mirëpritur prej tyre, për shkak të ekspozitës në pikturë që çeli, e cila shërbeu edhe si shkëndijë e atij zjarri të masiv. Një mosmarrëveshje ndërmjet krerëve të lëvizjes kosovare e shkaktuar prej ndërhyrjeve tona, krahas luftës së vazhdueshme që ushtron Beogradi nga ana e tij, do të sillte qetësinë e detyruar në Kosovë. Kësaj qetësie duhet t’i shërbejmë me çdo mjet, përndryshe Kosova do të jetë për ne si një vajzë çapkëne që nuk pushon së hedhuri gurë mbi çatinë e shtëpisë së babait të saj. I the Gramit se mospranimi përfundimtar i propozimit tonë do të vlerësohet si një akt armiqësor dhe ai vetë do të gjykohet në mungesë për këtë?
— Ia thashë të gjitha, shoku shef, por ai nuk tundej nga e tija. Veçanërisht kur mori vesh vdekjen e Skënderit u acarua shumë e nuk flitej dot më me të.
— Qëndrimin e Skënderit e prisja, por ky çunak po më befason. Nuk e kuptonte ai për kë binin kambanat, kur ti i flisje për vdekjen e profesorit të tij? Apo do të kishte qenë më mirë të mos kishte marrë vesh gjë për të?
— Bashkë e vendosëm që t’i përdornim paralel kulaçin dhe kërbaçin, duke pasur parasysh që ai i ka akoma të freskëta mbresat e hetuesisë speciale. Unë jam përsëri i mendimit se kjo ishte rruga më efikase për arritjen e qëllimit. Edhe gjatë takimit testues me dy hetuesit tanë Grami kishte mbajtur të njëjtin qëndrim, megjithëse nuk dinte gjë për vdekjen e Skënderit. Në të dy rastet ai nuk dha asnjë shenjë shprese për kompromis.
— Aq më keq për të. Dajakun e takove?
— Po. Dhe u mora vesh mirë me të.
— Ia caktove detyrën përfundimtare?
— Natyrisht, siç e kishim paravendosur.
— Pati shenja lëkundjeje kur i fole hapur se çfarë duhet të bëjë me sinjalizimin tonë?
— Përkundrazi, e pret me padurim sinjalin, shumë i gatshëm për të vepruar.
— Pa nuanca hipokrizie?
— Nuk është i aftë për role të dyfishtë ai. Çdo marrëveshje me ne e vlerëson si një përforcim të privilegjeve të tij të rëndomtë brenda jetës së kampit. Aq më tepër që këtë herë ne i premtojmë se do ta nxjerrim prej burgut.
— Nuk e gënjejmë. Por do ta nxjerrim për ta çuar, ku?
— Në varreza, sigurisht.
— Ne nuk kemi biseduar bashkë për këtë çështje. Mund të më thuash nga je nisur që ke arritur në një përfundim të tillë?
— Nga një aforizëm që kam dëgjuar në këtë zyrë: Vdekja është kapaku më i
mirë i një sekreti.
— Mos e harro.

 

 

Fragment nga Romani "ENIGMA E NJË BRENGE", i Agim Hamiti-t

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0