Rrjedhë
Nëpër katarakte varet nënqeshje, me bardhësi lëpin relievin, nëpër cicërima thërmohet, avullon nëpër erë me dallgët transparente të tokës...
Ziko Ll. Kapurani
Shpirti im është i gjëndjes së lëngët,
me vetitë e lëngjëve
rrjedh përrua ku fëshfërit
pylli i trishtë.
Merr ngjyrën e një gjetheje
që i dridhet përsipër,
Formën e një guri ku i shket
vrapi mërmëritës.
Hapet
në delikatesën e një ndjenje të fshehtë,
në tundjen qumështore
të gjinjëve të pranverës.
Nëpër katarakte varet nënqeshje,
me bardhësi lëpin relievin,
nëpër cicërima thërmohet,
avullon nëpër erë
me dallgët transparente të tokës,
muzgjeve hap mëngjezet pentagrame
me dridhjen e notave të ajrit
e të dritës.
Pak më tej
në një pellg,
me rrethin e diellit
ndërton një valle ku kërcejnë yjet
dhe fëmijët mëhallës.
Diku më poshtë
rrjedha e shpirtit fundos në ranishte,
humbet, sikur prej saj nuk mbeti më.
Kush e di kujt i fshihet,
kush e di ç’të shkuara ka me ndonjë.
Ndoshta një çast të çvishet
nga të errtat e tokës.
Në galaktikë
lakuriq të dalë,
thjesht,
rrjedhë nën qerpikë.
Comments (0 posted)
Post your comment