* * *
Po sikur të ketë ndodhur vërtet? Iu duk se nga çasti në çast do të binte përtokë. Edhe disa hapa – tha – dhe do të rrëzohem. Nuk kam më fuqi të vrapoj. Një shëmbëlltyrë që i ngjante një imazhi që kishte lidhje me babain, sikur ia preu krejtësisht forcat. Po binte...
Arjan Th. Kallço
...
Jetën nuk ia kemi borxh askujt
Alo, alo, bir, ku ndodhesh?
Çfarë ka moj nënë? Më dukesh shumë e shqetësuar?
Eja shpejt në shtëpi se nuk kemi lajme të mira. Çfarë ka ndodhur nënë? Kush? Në Tiranë ka ndodhur gjëma. Janë përleshur demonstruesit me ruajtësit e rendit. I ka ndodhur gjë babait? Nga ana tjetër telefoni filloi të bënte bip...bip. La punën që kishte në duar dhe pa u menduar shumë, doli nga dera si i marrë dhe mori rrugën e shtëpisë. Shqetësimi ia veshi krejtësisht sytë, gati ia verboi pamjen aq sa nuk shihte se ku po e hidhte hapin. Ecte, por i dukej se një fuqi e paparë e mbante të lidhur fort, e tërhiqte prapa dhe nuk arrinte t’i shkëputej. Një përleshje ndryshe e tija, në heshtje me imazhet e një përbindëshi që as që nuk po ia lehtësonte ankthin. Bënte të ecte, por gjithmonë i dukej se ishte po aty, i ngjitur pas tokës dhe që nuk lëvizte dot. Do të jetë përleshur dhe do të ketë marrë ndonjë goditje me shkop diku dhe ndoshta tani ndodhet në spital - mendoi sa hap e mbyll sytë tek përpiqej që ta zgjidhte atë litar, që ende po e mbante të lidhur fort pas idesë së pengesës. Këto lloj ndjenjash janë dominuese sa herë që njeriu kapet i papërgatitur nga lajme të dhimbshme. Ose janë një lloj aluçinacioni që krijohet në shpirt dhe që kur shoqërohen mes tyre, truri është gjithmonë subjekt i prekur nga gjurmët që memoria lë në të, krijojnë një cocktail vrasës. Ose do të ketë marrë ndonjë plagë nga të shtënat e pakontrolluara, një plumb qorr, sapo përmendi fjalën plumb, drithërima të ethshme ia përshkuan trupin, që ka dalë nga ndonjë armë. Ia dinte mire hilen këtyre plumbave, pasi kush e di sa herë i kishin folur për ngjarje të rënda pas «stërvitjes» së madhe shqiptare në vitin ‘97, që varrosi një herë e mire qetësinë e fituar në vite. Kishte qënë vetë i pranishëm në ndonjë rast, kur armët u dukeshin lodra në duart e shokëve, por që mrekullia nuk kishte sjellë tragjedi.
Hapat po bëheshin edhe më të shpejta, sigurisht jashtë çdo perceptimi njerëzor, i dukej se po fluturonte e megjithatë dora e zezë e pakonceptueshme, vazhdonte ta mbante të lidhur pas vetes. I shkëputej vjedhurazi, duke ia lënë në dorë fillin dhe një lloj lehtësimi ia rigjeneronte forcat, por sapo hidhte hapin e madh të parë, tentakulat e rroknin edhe më fort pas trupit. Ah, po të kisha një thikë me vete – thoshte – do t’ia tregoja qefin mirë! Ishte një dialog midis dy forcash që duhej patjetër të ishin në duel në çdo kohë. Më shumë ishte një monolog deliri, kllapie.
Dreq o punë, kur kërkon që të mbërrish më shpejt diku, koha nuk kalon, rruga nuk merr fund. A thua se dëshiron të të parapërgatitë nga ndonjë lloj humbje ndienjash të papritura para skenave të dhimbshme? Mendimet e kishin përpirë të gjithin dhe nuk po dinte më se çfarë të mendonte. Po sikur situata të jetë më e rëndë sesa telefonata? – edhe pse nuk do ta deshte kurrë një gjë të tillë – mendimi doli natyrshëm pa ndonjë siklet. Njerëz jemi dhe duhet të jemi të përgatitur para çdo ndodhie – e mbylli këtë përleshje të vështirë me veten.
Po sikur të ketë ndodhur vërtet? Iu duk se nga çasti në çast do të binte përtokë. Edhe disa hapa – tha – dhe do të rrëzohem. Nuk kam më fuqi të vrapoj. Një shëmbëlltyrë që i ngjante një imazhi që kishte lidhje me babain, sikur ia preu krejtësisht forcat. Po binte. Këpuca goditi diku një gur dhe rrëzimi ishte i pashmangshëm. Tashmë jetonte mes imazhesh të pakuptueshme: i dukej se ndodhej në një rrugë ku nuk mund ta dëgjonte njeri dhe diku në bulevardin e Tiranës mes mijëra njerëzish që nga krismat nuk dinit nga t’ia mbanin. Vraponin në një rrëmujë imazhesh që zorr se mund të përshkruhen më.
Po babai im ku është? Baba – ku je? A e keni pare babain tim?
Askush nuk përgjigjej. Turma shtyhej dhe mes tyre kishte që rendnin tek njerëzit, që duket se kishin nevojë për ndihmë.
Hapi sytë dhe e pa veten të shtrirë në rrugë. I dha forca vetes dhe u ngrit në këmbë.
Jepi forca, bir, i dukej se zëri i të atit ishte aty me të. Ndjenjat e mëparshme të pengesës e kishin braktisur dhe ndihej i lirë. Vrapoi me sa fuqi që kishte në shpirt dhe pas disa minutash u gjend tek pragu i shtëpisë. Brenda kishte pllakosur shamata, pasi lajmet ishin ende konfuze. Thirrje që dilnin nga shpirti i shqetësuar ishin një lloj hajmalie që dukej se largonte tragjedinë. Si ndodhi? Kush ju tha? Si është? – ishin pyetjet e para që nxitimithi dolën nga goja e djalit. As vetë nuk e kuptonte këtë furtunë pyetjesh që askush nuk po e përballonte dot, pasi ndër kohë kishin mbërritur dhe të afërm të tjerë. Le të ruajmë qetësinë, të ruajmë qetësinë! – ishin shprehjet që dilnin me një farë nervozizmi të kuptueshëm. Por të gjithë e dinin se ishte një fjalë goje. Pjesëtarët e familjes nuk i nxinte vendi. Kush kishte mbuluar fytyrën me duar, kush shkulte flokët nga zemërimi, të tjerë e kishin futur kokën ndër duar dhe dhimbja i kishte demoralizuar. Diku në kuzhinë një zile telefoni, prishi pamjen tronditëse dhe të gjithë rendën për të kuptuar se çfarë kishte ndodhur.
Po ju lajmërojmë se i dashuri juaj u nda nga jeta, pasi u qëllua me një plumb, por në këtë katraurë nuk është e qartë ngjarja. Pranoni ngushëllimet tona më të sinqerta. Tashmë tronditja i kaloi përmasat e veta dhe në pak çaste u shndërrua në gjëmë. Gratë filluan kujen dhe të qarat sipas zakonit, ndërsa burrat mundoheshin t’i ngushëllonin fëmijët që nga ai moment ishin jetimë. Nuk ka ngushëllim që të mund të lehtësojë dashurinë e fëmijëve për prindërit, veçanërisht kur vdekja vjen kështu, e papritur, si pasojë e një proteste në kërkim të dinjitetit të humbur të njeriut. Po tani ç’të bëjmë? Si do vejë halli ynë? Si ta përcjellim këtë gjëmë?
Gratë po përgatitnin shtëpinë, duke shtruar dhomat dhe korridoret për mort, ndërsa burrat kujdeseshin që të vendosnin karriket, ndonjë tavolinë në qendër dhe cigaret për miqtë që do të vinin për ngushëllim. Gjithçka duhej të ishte gati që t’i bëheshin të gjitha nderet e ceremonisë mortore. Bardhoshi nuk përmbahej dot, nga marrazi sa nuk po i plaste zemra. Lotët ishin i vetmi shpëtim që ia lehtësonte shiprtin, një lloj ngushëllimi që të mos binte në depresion të thellë. Dhimbja është gracka e parë e këtij xhindi që ta zbraz gjithë botën nga kënaqësitë e jetës. Ndoshta këto gjëra nuk i dinte, se nuk i kishte provuar, por i ndruhej shumë një emotiviteti të tillë. Vdekja ishte një fjalë që i kallte frikë, por kurrë nuk e kishte menduar që frika t’i afrohej kaq afër dhe ta prekte thellë. Ishte një lloj prove për ta kuptuar se këto janë ligjet e jetës me të cilën herët a vonë do të përballej, prandaj duhej ta hidhte tutje këtë ndjenjë. E njihte mirë veten dhe nuk ishte kaq i sigurtë për këtë. I ndruhej shumë kësaj dobësie që shumë herë e kishte mposhtur.
...
Fragment nga "Ëndrrat thyhen shpejt", i Arjan Th. Kallço-s
Comments (0 posted)
Post your comment