Bukuresht – Kraiovë – Bukuresht
Unë do të nisem përsëri Në udhëtime apokalipse poetësh, Larg prej ëndrrës tënde të tretur, Mes vargjeve heroglife të paqarta...
Arjan Th. Kallço
Ora po rend si e marrë
Bashkë me ne në këtë tren
Të murtë. S’jemi vetëm
Edhe ai trup i metaltë
Dhe pa ndjenja po rend.
Për ku vallë po shkojmë
Të dy ne, me këtë vrap skëterrë
Të kohës martire që ngadalë
Po na djeg?
Unë rrugën e kam të gjatë e
Do të ndalet natyrshëm
Në një qytet. Po ti,
Ku do të shkosh drenushë
Në fasada pikturuar me ngut,
Pa më thuaj,
A ke dikë që po të pret?
Ti udhëtare e heshtur
Pas pak do të zbresësh
Në pafundësinë e këtij qyteti
Pa e hapur gojën aspak.
A thua s’kemi nevojë
Ta dëgjojmë zërin tonë
Të ndrojtur tek dridhet sikletshëm
Mes gjuhëve babilonase ?
Po sikur pak mall mua, poetin shqiptar,
Të më kapë në netët e gjata
Në çdo qytet? Ku t’i gjejmë çastet
Dhe orët e shpenzuara bujarisht
Në dialogjet e heshtura?
Është kohë e humbur
Të presësh verën tjetër,
Nuk e dimë sesi do të jet’.
Të lutem edhe për pak
Minuta mos fli! Mos i mbyll
Sytë e tu të zinj që me ditën
E diellit po flirtojnë.
Të mbyllura veç dëshira
Të pakuptimta trokasin dhe
Kurrë s’bëhen realitet.
Kur do të zbresësh
Nga ky tren, askush
S’do ta kthejë më kokën
Për të të parë, veç poetit
Nga dhe’ i huaj ardhur e qw
Vetëm me vargje të flet.
Ti nesër sërisht do të zhytesh
Në rrugët e qytetit tënd
Të bukur. Dije nuk është
Një kompliment i shtirë,
As dehje me pije të forta.
Ndoshta e diela më
S’do të ketë kthim
Në zemër. Kot nuk thonë :
Ditë e re, kujtime të reja.
Unë do të nisem përsëri
Në udhëtime apokalipse poetësh,
Larg prej ëndrrës tënde të tretur,
Mes vargjeve heroglife të paqarta
Do të mbetet kujtim,
Në këtë bllok të ri,
Në këtë letër.
Dikur e njoha një udhëtare
Tjetër, aty në Greqinë e lashtë,
Mes historisë që endej
Si nuse e re në kohën tonë dhe
Këngëve përgjëruese që
Në mendje më kishin mbetur.
I fola ëmbëlsisht ca fjalë
Në gjuhën e saj, por
Eh, medet,
Koha e shkuar dot s’ma solli
Jehonën e vjetër.
Kur jetën ta dhanë hyjnitë
Bastet midis tyre nuk rreshtën,
Askush nuk e dinte
Se çfarë do të ishe :
Mëkatare fatale tunduese
Në koinçidenca fatesh apo
Hakmarrëse e pashpirt zemrash
Në lamtumirat dehëse.
Shtator 2011
Comments (0 posted)
Post your comment