* * *
— Zoti komandant, unë kam qenë oficer ushtrie dhe jam dënuar dhjetë vjet burg se kam thënë, para pesë vjetësh, që Traktati i Varshavës është skllavërues për Shqipërinë. Gjersa qeveria shqiptare është solidarizuar me mendimin tim sot, unë duhet të lirohem nga burgu e të dekorohem.
Agim Hamiti
— Të gjithë të burgosurit të grumbullohen në mensë, se ka mbledhje me përfaqësues të komandës!
Këtë thirrje tellalli i kampit të Spaçit e përsëriti disa herë në orën pesë të pasdites së 31 tetorit. Ai shkoi në kuzhinën private, nëpër gjithë dhomat e fjetjes dhe në mjediset e tjerë të brendshëm të kampit, duke i njoftuar bashkëvuajtësit se duhej të shkonin urgjentisht në mensën me çati të prishur, e cila e derdhte gjysmën e ujit të shiut mbi tavolinat e ngrënies. Të burgosurit e fundit u futën atje pa kaluar dhjetë minuta prej thirrjes së tellallit. Në orën pesë e gjysmë shkuan në mensë komandanti i kampit, operativi, zëvendëskomisari dhe një togë policësh.
Fjalën e mori komandanti:
— I gjithë populli shqiptar është mobilizuar si asnjëherë tjetër, për t’i pritur me duar plotë festat e mëdha të nëntorit. Këto festa e gjejnë vendin tonë më të fortë se kurrë. Kohët e fundit qeveria jonë denoncoi Traktatin skllavërues të Varshavës dhe ne i presim këtë herë festat si i vetmi vend i lirë e demokratik në Evropë. Partia jonë nuk trembet as prej vringëllimave të armëve të NATOs, as nga kërcënimet e socialimperialistëve të Kremlinit dhe as prej ndonjë koalicioni të tyre të mundshëm.
«Në këto kushte edhe kampi ynë me punëtorët e tij të detyruar duhet të përfshihet në atmosferën revolucionare mbarëkombëtare për tejkalimin e planit të nxjerrjes së mineralit të bakrit e piritit. Në këtë mënyrë ne do të kontribuojmë për të çarë bllokadën e egër imperialisto-revizioniste. Për këtë qëllim komanda e kampit, në bashkëpunim me Zyrën Teknike, ka vendosur t’iu bëjë thirrje të burgosurve të papunësisë që të dalin vullnetarisht në punë gjatë dy muajve të ardhshëm. Këta nuk do t’i nënshtrohen normës së detyruar dhe do të punojnë kryesisht në sipërfaqe. Është mirë që ata të shprehin vullnetin e tyre në këtë mbledhje, në përgjigje të thirrjes sonë. Kush e do fjalën?
— Unë, u hodh e tha një i burgosur, i cili punonte minator.
— Ne donim të dëgjonim fjalën e të burgosurve të papunësisë, por meqenëse u ngrite në këmbë, shprehu edhe ti.
— Zoti komandant, unë kam qenë oficer ushtrie dhe jam dënuar dhjetë vjet burg se kam thënë, para pesë vjetësh, që Traktati i Varshavës është skllavërues për Shqipërinë. Gjersa qeveria shqiptare është solidarizuar me mendimin tim sot, unë duhet të lirohem nga burgu e të dekorohem.
— Lidheni dhe e fusni në birucë, i urdhëroi komandanti i kampit policët e pranishëm në mbledhje. – Atje do t’ia çojmë edhe dekoratën, pas mbledhjes. Kush e do fjalën prej të burgosurve të papunë?
— Unë, thirri Demiri, duke u çuar në këmbë në rreshtin e parë të stolave.
— Mos na kërkosh edhe ti ndonjë dekoratë, si ai i pari, i tha komandanti i
kampit duke qeshur.
— Unë e di mirë sesi fitohen dekoratat; nuk shkoj me ëndrra si ai.
— Aq më mirë, atëherë; po të dëgjojmë.
— Thirrja juaj, zoti komandant, më ka emocionuar shumë. Ju faleminderit që na llogarisni edhe ne si pjesë e popullit shqiptar. Partia na ka dënuar me të drejtë, se kemi shkelur ligjet e saj, ndërsa ju na bëni pjesëtarë në festat kombëtare. Ky është një nder për ne. Unë zotohem para jush se, duke filluar qysh nesër, do të dal në punë dhe nuk do të pushoj asnjë ditë deri në fund të vitit. Kam besim se edhe shokët e tjerë të papunësisë janë të të njëjtit mendim. Ju këtë mund ta verifikoni duke e hedhur në diskutim publik propozimin tim.
Komandanti i kampit e vlerësoi efikas mendimin djallëzor të Demirit.
— Kush është kundër propozimit të Demirit prej ju të burgosurve të papunësisë? iu drejtua ai sallës.
— Unë nuk kam fuqi të dal në punë, se i kam kaluar të tetëdhjetat, tha, pa u çuar prej vendit, më i moshuari i të burgosurve.
— As ne nuk presim punë prej teje, ia ktheu komandanti. – Ka person tjetër që nuk pranon t’i përgjigjet thirrjes sonë?
— Unë tri javë kam që jam kthyer prej spitalit, ku u operova në stomak, u hodh e tha një i burgosur tjetër. – Ndihem i pafuqishëm për të dalë në punë.
— Ti je operuar nga stomaku, por duart e këmbët i lëviz pa problem. E dëgjove diskutimin e Demirit?
— Demiri gëzon shëndet të plotë, nuk është i sëmurë si unë.
Demiri u ngrit me vrull prej stolit dhe kërkoi përsëri fjalën.
— Fol, Demir, fol, e inkurajoi komandanti. – Shpjegoja bashkëvuajtësit se është privilegj të dalësh në punë me rastin e festave.
— Në radhë të parë unë dua t’i them atij se nuk e kam parë ta lërë ndonjë vakt bukën pa ngrënë, pse është i sëmurë nga stomaku. Ai të dalë në punë dhe të punojë sa të ketë mundësi.
— Edhe ne aq kërkojmë prej tyre, se e dimë që vuajnë nga shëndeti, gjersa janë përjashtuar ligjërisht nga puna. A ka ndonjë të burgosur tjetër, i cili nuk dëshiron të dalë në punë për nder të festave të nëntorit?
Mënyra e formulimit të pyetjes i imponoi heshtjen edhe ndokujt që kishte ndërmend të kundërshtonte për të dalë në punë i sëmurë.
Komandanti i kampit mbajti fjalën përmbyllëse të mbledhjes:
— Duke filluar qysh nesër, të gjithë të burgosurit e papunësisë do të dalin rregullisht në punë vetëm gjatë turnit të parë. Kjo do të vazhdojë deri në fund të muajit dhjetor. Nesër në mëngjes do të bëhet furnizimi i tyre me tesha e vegla pune.
Fragment nga "ENIGMA E NJË BRENGE", i Agim Hamiti-t
Comments (0 posted)
Post your comment