* * *
— Atë detyrë ka policia, t’ju vijë në ndihmë. Thonë se një njeri, që ndiqej prej policisë, kapërceu një kanal 6 m të gjerë. Sa herë që e provonte më pas këtë, binte në ujë. Pra, ishte ndihma e policisë që e bëri goxha atlet në atë rast.
Agim Hamiti
...
Në fund të muajit tetor 1968 në kampin e Spaçit qëndruan për tri ditë disa oficerë të MP të Brendshme. Ata thirrën në takime të veçanta, ditën dhe natën, pjesën më të madhe të të burgosurve, në kuadër të organizimit të rrjetit të brendshëm informativ të këtij kampi të ri. Për të maskuar bashkëpunëtorët e tyre të rekrutuar prej degëve të brendshme të rretheve, ata thërrisnin edhe të burgosur të tjerë, të cilët nuk i përkisnin asaj kategorie. Një taktikë e rafinur, e cila e vështirësonte ndarjen e shapit prej sheqerit midis të burgosurve.
Natën e dytë thirrën edhe Shkëlzen Gramin. Në zyrën ku e çuan ai gjeti dy
persona të veshur civilë, të cilët iu prezantuan si hetues të MP të Brendshme.
— Si po ia kalon me punën, Shkëlzen? Ia ke marrë ndopak dorën martelit?
— Edhe në qoftë se nuk ia kam marrë, më ndihmon policia ta kap ciklin ditor të punës.
— Atë detyrë ka policia, t’ju vijë në ndihmë. Thonë se një njeri, që ndiqej prej policisë, kapërceu një kanal 6 m të gjerë. Sa herë që e provonte më pas këtë, binte në ujë. Pra, ishte ndihma e policisë që e bëri goxha atlet në atë rast.
— Ju lutem, pse më keni thirrur?
— Pse u mërzite kaq shpejt? Ne as të shamë e as të vramë.
— Më keni sharë e më keni vrarë, sa jeni lodhur. A mund të më lini të qetë tani?
— Nuk ka qetësi për armiqtë e popullit. Po të doje të ishe i qetë, mos viheshe në shërbim të UDBsë. Kush shqetëson të tjerët, nuk ka të drejtë të kërkojë qetësi për vete.
— Kjo shprehje është e vërtetë, por duhet adresuar mirë.
— Adresimet i bëjmë ne që kemi pushtetin.
— Ta gëzoni. Nga unë ç’doni?
— Me ty ka punë tjetërkush. Ne donim të të njihnim për të shuar kureshtjen, meqenëse na kishin thënë se je djalë i zgjuar e i talentuar. Fatkeqësisht këto cilësi nuk i ke përdorur për mirë dhe duket qartë që s’ke ardhur akoma nga Korça.
— S’kam si të vij prej një qyteti ku nuk kam qenë kurrë.
— Po fole me këtë gjuhë edhe me personin që do të takosh pas pak, keq do ta kesh punën. Bashkë po ndahemi. Lamtumirë!
Ata dolën dhe e mbyllën derën me çelës nga jashtë. Përshëndetja e tyre në ndarje nuk i krijoi përshtypje të mirë Shkëlzenit.
Fragment nga Romani "ENIGMA E NJE BRENGE", i Agim Hamiti-t
Comments (0 posted)
Post your comment