* * *
Shko fli i qetë sonte, si trimat para betejës. Dita e nesërme do të të ndezë dritën jeshile për tu liruar prej burgut. Ai e përcolli tek dera e zyrës me dorë në qafë.
Agim Hamiti
...
Të nesërmen ishin 32 të burgosur më tepër që u nisën për në punë turni i parë. Ata krijonin një brigadë më vete të shoqëruar prej një polici. Shumica e tyre u caktuan të punonin në sipërfaqe. Vetëm gjashtë më të rinjtë shoqëronin të burgosurit që nxirrnin nga miniera vagonët me mineral. Serveti me dy të burgosur do t’i shkarkonin këta vagonë në bunkerët e posaçëm, ku ngarkoheshin kamionët me mineral për në Laç.
— Unë do të ndihmoj përgatitësit e trupave të drurit, i tha Demiri policit shoqërues.
— Zgjidh dhe dy shokë të tjerë, se do të nevojiten shumë trupa.
— Le të vijë me mua ai i burgosuri që vuan nga stomaku dhe ai kokëthinjuri i moshuar. Ata nuk vlejnë gjetkë.
— Dakord, le të vijnë me ty.
— Më duhet të përgatis një sëpatë të mprehtë në ofiçinë, për të bërë kllapat e trupave. A mund të shkoj vetëm deri atje, komandant Ndreka?
— Po, Demir, mund të shkosh edhe vetëm. Ti je i rregullt dhe nuk është
nevoja të të shoqërojë polici në çdo hap.
— Faleminderit për konsideratën.
Pas dy orësh Demiri u kthye tek sheshi i përgatitjes së trupave me sëpatën e re hedhur në sup.
— Si të duket kjo sëpatë, Shpresim, është e mprehtë? e pyeti.
— Shumë. Po ne i kemi dy këtu, ç’e deshe këtë?
— Ju vazhdoni të punoni me veglat tuaja, unë do të punoj me sëpatën time. Nuk dua t’ju bezdis duke u kërkuar veglat tuaja të punës. Tani duhet të më mësosh pak sesi bëhen kllapat e trupave të drurit.
Shpresimi ia shpjegoi në praktikë procesin e punës Demirit, duke përgatitur disa palë trupa bashkë.
— Qenka punë e thjeshtë; e mësova tani. Mund të vazhdoj vetëm, të faleminderit.
— Mirë, vazhdo vetë, se unë duhet të fus trupa në minierë, ia ktheu Shpresimi.
Të burgosurit e papunësisë kishin dy javë që dilnin përditë në punë, kur operativi i kampit thirri Demirin në orët e vona të mbrëmjes së 14 nëntorit.
—Si i ke punët, Demir, mirë? e pyeti me përzemërsi duke i rrahur shpatullat.
— Faleminderit, zoti shef. Tani ndihem më në formë, se kam dy javë që dal rregullisht në punë.
— Forma jote fizike është e dobishme për ty vetë dhe për ne. Nga puna njeriu ka shumë përfitime, përveçse ajo është edhe burimi i të mirave materiale për individin dhe për shoqërinë. Jo më kot Stalini i madh e pagëzoi partinë tonë: Parti e Punës. Edhe ti personalisht do të kesh përfitime të veçanta nga puna këtë herë.
Duke i thënë këto fjalë, ai i shkeli syrin në mënyrë kuptimplote.
— Faleminderit për fjalët e ngrohta, zoti shef. Por unë dua që nga puna ime të përfitojë kryesisht shoqëria. Aty brenda është edhe pjesa ime e fitimit.
— Të lumtë, Demir! Kjo mënyrë të menduari tregon se ti e ke kuptuar drejt parullën revolucionare të partisë sonë: Kundër interesit personal, rehatit personal dhe lavdisë personale. Në bazë të këtij parimi të madh të kam thirrur sonte këtu, për të të njoftuar se erdhi dita të kryesh detyrën e lartë shoqërore e atdhetare që ke marrë përsipër.
«Nesër është data 15 nëntor. Një vit më parë Shkëlzen Grami, me ndihmën e pakursyer të UBBsë, ka çelur një ekspozitë pikture, e cila u bë gjoja shkak për përndjekjen e tij prej qeverisë së Beogradit. Pikërisht nesër ai duhet të marrë dënimin e merituar, në emër të popullit, për misionin e ulët antishqiptar, me të cilin e kishte ngarkuar UDBja. Besoj se ti je gati për këtë aksion patriotik.
— Unë gati kam qenë qysh ditën e parë që dola në punë. Më ka ardhur keq për çdo ditë që kalonte pa vepruar.
— Të kuptoj drejt, Demir, por partia na ka mësuar të jemi të duruar dhe të
përpiqemi t’i rehabilitojmë edhe armiqtë e betuar si ai. Për hir të moshës së tij të re, i lamë kohë të mjaftueshme të reflektonte dhe të gjente pozicionin e duhur në marrëdhëniet me ne. Mirëpo ai i ka hipur kalit së prapthi, nuk do që ta korrigjojë qëndrimin e tij antishqiptar dhe nuk na shikon dot me sy ne.
— Për të keqen e tij e ka. Nesër merr fund aventura Grami.
— Bukur e the: aventura Grami. Kuptohet që e ndien njësoj si ne këtë çështje, o Demir atdhetari! I meriton plotësisht lëvdatat dhe shpërblimet nga ana jonë. Njerëzit aventurierë, si ai, e matin veten me hijen e mëngjesit, por llogaritë u dalin keq në fund. Nesër Grami është turni i parë, apo jo?
— Po, po; turni i parë është.
— Nesër unë marr shërbimin si oficer i rojës. Do të kujdesem që, pas kryerjes së aktit, të mos të të prekë me dorë policia, siç ndodh zakonisht në kësi rastesh. S’më mbetet gjë tjetër, veç të të uroj mbarësi e lehtësi në kryerjen e detyrës atdhetare. Shko fli i qetë sonte, si trimat para betejës. Dita e nesërme do të të ndezë dritën jeshile për tu liruar prej burgut.
Ai e përcolli tek dera e zyrës me dorë në qafë.
Fragment nga Romani "ENIGMA E NJE BRENGE", i Agim Hamiti-t
Comments (0 posted)
Post your comment