Home | Literature | Lahuta e Malcis (Konferenca e Londonit)

Lahuta e Malcis (Konferenca e Londonit)

image
 Nen zgiedhë t' vet me mbajtë Shqypnín
 Ke aj nji hajr kurr s' e ká bâ
 E as nuk mbahet n' mend se mkambë
 Fis a popull t' ketë mbí dhé
 Veç shka shkelë e ndrydhë nen kambë...

 

 

 

Gjergj Fishta


 

 

 
Hej, moj Zânë, ti kjosh e bardhë!
 Tridhetë herë, mana, rreth diellit
 Hausit t' qiellës toka ká ardhë,
 E aq herë lulet njethë janë Prillit,
 Se ti, purë m' "Lahutë t' Malcis",
N' hullí menden mbajtë m'a ké,
 Qi të mûjshe vetë nipís
 S' kohve t' vona enè per t' lé,


 Me u kumtue me 'i kangë kreshnike,
 Si erdh t' u regjë mendja e Shqyptarit,
 Prap per t' gzuem lirín jetike,
 Trashigim lânë atij prej t' Parit:
 E sa u bâ gjaku e medeti,
 Sa u tuer rrêna edhè tradhtija,
 Dér qi duel Shqypnija m' veti,
 Si premtue kisht' Perendija.
 Por, qe, tash na u kapem m' cak:
 Gjatë Parnasit mjaft m' ké rrekun
 Mriz e m' mriz, a lak më lak:
 Kangës ktu spiku tash do hjekun.
 Veç se po, moj bjeshkatare,
 Krah m' krah bashkë na tue këndue,
 Ndertue kemi 'i pomendare,
 Rrfé as mot mos m' e dermue.
 N' at London, larg n' at dervend
 Të shtatë Krajlat bâjn kuvend,
 Bâjn kuvend me shoqishojn:
 Per Shqypní po bisedojn:
 Ashtû ndêjun rend mbas rendit
 Me at Inglizin n' krye të vendit.
 Prá, per Zotin, moj Shqypní,
 Oren çuet, tham, ti m' a ké!
 Nji pllamë vend, nji grusht njerzí,
 Vllá as fis kurrkand mbí dhé,
 Bukë pa bukë, e qe se prap
 Té shtat Krajlat çue ké peshë;
 T' cillt po ngasin turr e vrap
 N' at London m' shoshojn me u ndeshë,
 Per me folë, me bisedue,
 Nji zojë m' vedi tý me t' qitë,
 Shkjaut e Turkut me t' lirue:
 Prap Kunora m' báll me t' ndritë,
 Porsi t' ndriti dikur motit.
 Me gjithkta, por larg nuk shkon
 E me i vrá ká rrfeja e Zotit
 T' shtatëtit, mledhë si janë n' London;
 Persè rrumull pesqind vjet
 Të randë Turkun me t' shtypë.
 Me t' thá n' shpírt, dér qi simjet
 M' shtjelma Shkjau atij s' ká hypë.
 Jo, po, gjaku i bijve t' ue,
 Moj lum nana, e njatà lot
 Qi ti derdhe, janë tue vlue
 E gjýgj lypin prej s' Tynzot.
 Krajli i Inglizit, nji telbis:
 Me çá qymen per mjedis:
 Veç, me gjasë, pak si i pabesë
 Ç' i a ká vû aj gishtin krés
 Se edhè fjalët fort po i peshon,
 Kah ká mârrë e ligjiron:
 Si t' i a bâjm e tek t' i a bâjm;
 Se na pykë, trima, kem' rá
 Me Shqypní, sa mâ nuk ká!
 Porsa krisi n' at Balkan
 Pushkë, e top, edhè havan,
 E i a nisen me u shemtuem
 Turk e Shkjá idhtë tue luftuem,
 Tue pá Turkun se per ballë
 T' Shkjaut, qi luften kishte kallë,
 Zot Shqypnís s' po mund t' i dalë,
 E ká bâ pleqní n' Stambollë
 Né Shqypnín me na e lshue n' dorë,
 Qi, pa mbajtë na krah as pajë,
 Ktû t' a dájm fatin e sajë;
 A tue njoftë si Shtet të lirë
 E krejt m' vedi: a se mâ mirë,
 Ndoshta, Shkjaut na tue i a dá,
 Si bashtinen -- vllá per vllá,
 Si me thânë, në kater pjesë,
 Per mos t' lânë mâ asnji ngatrresë.
 Pse, medjè, edhè fort po drue,
 Se, kokë - fortë shkjau tue qillue,
 S' ká me u rysë pa pushkë m' e lshue,
 Mbasi aj mbrendë sod ká ngujue.
 Prandaj vetë u çova fjalë
 Dér n' London nji herë me dalë,
 Na ktû s' bashku me vendue,
 Ket Shqypní si m' e shestue,
 Qi n' dorë Turku na ká lshue,
 Me e vû n' sheste sido kjoftë.
 He! atê Zoti m' a marroftë,
 Krajli i Italis zû t' u idhnue;
 Se, per Zotin, kjoftë levdue!
 Cok kjo punë kurrkund s' ka gjasë.
 Jo mâ pak se pêsqind vjet
 Rresht Shqyptarët e ngartë kan plasë
 Sulltanit tue i bâm hysmet,
 Kush tue i lá atij pagë e t' dheta,
 Kush tue e vûmun kryet n' rrezik:
 Jo, per tê nuk u âsht dhimët jeta,
 E perrçik, po, per perrçik
 Me gjak t' vet lá e kan Turkín:
 E qe sod, qi s' po i del mâ
 Nen zgiedhë t' vet me mbajtë Shqypnín
 Ke aj nji hajr kurr s' e ká bâ
 E as nuk mbahet n' mend se mkambë
 Fis a popull t' ketë mbí dhé
 Veç shka shkelë e ndrydhë nen kambë,
 Veç shka djegë, e pjekë, e pré:
 N' vend me i dhânë lirín Shqypnís,
 Para se me u ndeshë me Shkjá,
 I a lshon n' dorë diplomacís,
 Veç të lirë per mos m' e pá!
 Vall ç' ká thânë Krajli i Moskovit:
 Jo, po pra, Turku i Stambollit
 N' daç thuej motit, n' daç n' ditë t'sodit
 P'rherë ká kênë rrezik i zí
 Per lirí e gjytetní:
 Sa qi thonë, se as bár s'ká bî
 Kahdo shkelë ká kamba e tij...
 Por un deshta ktû me u thânë,
 Se na s' kem' kurrkund nevojë
 Punë Shqypnijet n' gojë me zânë:
 Ajo â e ndreqne e hi n' tebojë:
 T' a ká ndrequn Shkjau i Balkanit
 Me grykë t' pushkës, me taf t' taganit,
 Qi mâ mirë nuk ké shka i thue,
 Q' se, si burrat tue luftue,
 Turkut shtjelmat m'bark ká vû
 Edhè e lshoi shakull per tokë;
 Kû, zavalli rrin tue krrokë,
 Si njaj korbi nder sterqokë.
 Prej gazepit qi e ká rrokë
 E s'po din mâ kû âsht me kokë.
 Jo qi vetë, besa, 'or ju shokë,
 Jam tue bâ, po, shum çudí:
 Kah na duel sod kjo Shqypní,
 S'cilles êmni nuk i âsht ndîe
 Kurr n' Europë? Prandaj s' e dij,
 Kot pse t' rrahim ujë n' havan?..,
 Pse t'i a vêm gacen agzotit?...
 Se 'i Turkí ká pasë n' Balkan,
 Sod qi Shkjau, berqavera Zotit!
 T'a shemtoi, n' gjak t' a ká lá,
 Kta e kem dijtë, po; por se ká
 Kund Shqypní n' fushë a n'rragam,
 Kta, vallahi, dijtë s' e kam.
 Franc Jozefi ndêjë pështetë:
 N' mos e dijsh t' a kallxoj vetë.
 Turku motit njat krahinë
 Ç' merr prej Shkodret del n' Janinë
 Per urë detit ajo shtrî,
 N'dorë me pushkë nuk e pat shtî,
 Si Greqin e njat Serbín
 Cilla âsht çua lugat n' ditë t' sodit
M' Europë marë; por mbas nji godit
 Me Shqyptarë, tue lidhë besë
 Me i njoftë t' lirë, e n' punë të Fés,
 M'gjûhë, e m' dokë edhè m' kanû
 Mos me u prekë, veç me u sundue
 Kta krejt m' vedi: si dishmue
 Mâ se 'i herë vetë Turku e ká:
 E si puna flet n' ditë t' sotit
 N' at Gegní nder Male t' Mdhá,
 N'dorë sundimin kû, si motit
 E ká vendi: edhè u vendue
 Shqiptarët Turkut n' luftë me i shkue
 E mâ teper vjetë per vjetë
 Me i lá ktí 'i porez të lehtë.
 E pse Turku dalkadalë
 Besen thei e s' u ndêi n' fjalë
 Ashtû krejt si isht' bâ kuvendi,
 S' don me thânë, or shoq, se vendi,
 N'sý t' arsyes e të drejtsís
 Ká djerrë tagrin e lirís,
 Qi i kje njoftë prej vetë Turkís.
 Ket krahinë, tash, t' u ngjatët jeta,
 Qujtë Shqypní e ká rrotull jeta.
 Pra, n'Balkan posë se 'i Turkí,
 Po kisht' pasë edhè 'i Shqypní:
 Pasha t' Lumin Perendí,
 S'kan per t' lânë kurr Shkján me hî,
 M' i u bâ dhâmi ktij sa derrit.
 Qaj Kreu i Frances, nji farë sherrit
 Kênë gjithmonë, kshtû i a ká nisë,
 Si nper hundë aj me angllatisë:
 Jo, po, ashtû âsht kênë puna motit,
 Si thue ti; veç se n' ditë t' sotit
 Krejt ká ndrrue. At herë e kshtênë
 Marë Shqypnija ká pasë kênë,
 Qi, per shpírt, jo veç se vû
 S'do t' kisht besë ajo me turki;
 Por kulsheder mbí tê lshue,
 N' fyt do t' i a kisht' njitë m'tfurk
 E si 'i gjarpen, si nji bollë,
 Karh me i dhânë n' karadreqollë.
 Po, por sod puna ká ndrrue,
 Pse n' Shqypní t' kshtênët janë pakue..
 Prandej pra; t' ngjatët Zoti jeten!
 Per me dashtë me thânë t' verteten:
 Sod me sod njajo krahinë,
 Qi prej Shkodret del n' Janinë,
 S' ká si quhet mâ Shqypní:
 Si kje qujtun, ndoshta, motit
 N' ato kohët e Gjergj Kastrijotit...
 Pse edhè sod t' thuesh, marë Shqypnija
 Ká rrokë armët e n' luftë ká dalë,
 E tue rrahë plajmi e duhija,
 Shí e borë edhè tue rá,
 S' keqje thá e bâ terfurk,
 Rrin t' u grî enè me Shkjá,
 Veç per t' lânë Shqypnín nen Turk.
 Kta veç tash, qi Bulgarija
 Duel n'Çatallxhe e u thye Turkija,
 Varg e vister dalë kan në Vlonë:
 Shtý prej tejet, si po thonë...
 E 'i paçaver kuq e zí
 Vjerrë na e paskan per nji hû,
 Edhè hunin ngulë m' nji shpí
 T' madhe, niskan me këndue
 Kin demèk po duem Shqypní,
 Kinsè kshtû na jem' Shqyptarë!
 Eh Madhní, as na s' hám bár;
 Na edhè 'i kem', po, mêt n' kandár,
 E kem' sý edhè me pá...
 Rregji i Italis se ç' i âsht furë:
 Edhè ju Françezt dikúr
 Jeni vrá, po, vllá me vllá;
 Shoqishojn -- ofshe edhè grá!
 Ndezë i kini flakadâ,
 Edhè jo per tjetr gjâ:
 Per Fé t' lume, a besë t' harrueme,
 A per erz t' motres e t' nanës:
 Por per t' lanë Inglizin n' Francë!
 Po a per kta tash na m' i a hî,
 Me dá Francen me kufî,
 Per m' u a lshue fqîjve per brî?
 Jo, Zotní; s' âsht gjâ ajo fjalë.
 Pse edhè â 'i punë, mor t' u ngjatët jeta:
 Muamedanet në luftë s' kan dalë,
 Veç per t' shitun faculeta
 Sa mâ shum... si na nji palë
 Sod n' Europë; por veç per fé.
 Por nder lufta fjesht fetare,
 Ti e din vetë, se fis e Atdhé,
 Gjûhë a doke s' kqyren fare;
 Veç ngallnimi i njaj ideje,
 Veç triumfi i njasaj feje,
 N' luftë per t' cillen nieri del:
 Pra nuk ké pse kapesh tel,
 Mos me qitë m' vedi Shqypnín,
 Mos m' i a dhânë asaj lirín,
 Pse muhamedant shqyptarë,
 N' daç nizamë, n'daç vullndetarë,
 S' kan luftue atà per Shqypní;
 Por per Mbret e per Turkí,
 Atà me të cillin Shtet
 Mvedvedsue ki' n fén e vet.
 Jo qi pasë ka muamedan
 P' rherë n'Shqýpní, qi shum zalldan,
 Manà, hjekë kan prej Turkís
 Per lirí e nám t' Shqypnís;
 Dbue, plaçkitë e m' dajak shtrue,
 Kush me pushkë, kush me helm shue,
 Por mohue Shqypnín s' e kan:
 Jetë e gjâ e a bânë kurban.
 Franc Jozefit s' i u durue;
 Tryezës me grusht fort i ká mshue,
 Se edhè t' madhe ç' ká ligjrue:
 Nji qind fjalë, burra, p'r 'i pare!
 A me mkambë mbretnín shqyptare,
 A se n' Beçë tash ktheva fill,
 E dér neser tue marrë dielli
 Lshue i a kam ushtrin Ballkanit:
 E me maje t' mreftë t' taganit,
 Me ndihmë t' Zotit e t' Taljanit,
 I a vê vetë kufîjt Shqypnís,
 E s' ká burrë, jo, qi m' i lot.
 Se ato fjalë t" Francës e t' Rusís,
 Qi na i qiten ktû per pod,
 Ato janë, po, do fjalë t' shkreta,
 Thash e thâna per gazeta,
 E jo per kuvend të Mbretenvet
 K6u do t' dahet fati i Shqiptarvet:
 Si njiky kuvendi i ynë,
 M' t'cillin bota ngulë ká sýn,
 Edhè pret qi na n' Balkan
 T' shkrefim pushkë, top e havan,
 E me urtí, e me drejtsí,
 Tue shue rasë, tue shkimë mëní,
 T' sjellim paq edhè vllazní.
 Edhè trimi at herë âsht çue,
 Ká msý deren per me dalë.
 M' kambë Wilhelmi ká flakrue,
 Ka dalë para edhè e ka ndalë,
 E ka ndalë qaj miku i vet;
 Mbreti i fortë i Germanís;
 Cilli u hînë atý ndermjet,
 Si me i ardhë qi din burrnís,
 E krye m' krye me Krajl t' Inglizit,
 Herë ul Francë, herë ul Rusí,
 Bjeru punve per midisit,
 Pajto Nemse edhè Italí,
 Ktij lshoj Zot, atij lshoj orë,
 Dér qi s' mbrami i u gjet fija
 Edhè t' shtatëtit vûne dorë,
 Zojë m' vedi me dalë Shqypnija.
 E, kokë - fortë, kúr Knjaz Nikolla:
 Kû me pushkë e kû me t' holla
 S' po do Shkodren me lirue,
 Të shtatë Krajlat ç' janë idhnue!
 Donamet n' Shqypní kan çue,
 Kû Admiralat m' breg sa dolen,
 Kapë per veshit Knjaz Nikollen,
 Fíll prej Shkodret jashtë e zoren,
 Edhè i dhanë m' shtjelm Cernagoren.
 N'at Shqypni ká nji gjamë:
 Padishahi âsht çue në kambë:
 Vall a rrfeja âsht tue bumbullue,
 A se lufta âsht kund tue vlue,
 Qi po rrin kshtû tue gjimue
 Thue po bâhet ndokah nami:
 Shka ká thânë Shehyl Islami?
 Per jetë t' ende, as s' ká rá rrfé,
 As s' ^sht ndezë kund luftë e ré,
 Qi po ndîhet gjithkjo gjamë:
 Janë Shqyptarët qi bâjn donám!
 N' at London, larg n' at dervend,
 Të shtaë Krajlat mledhë kuvend,
 Me shoshojn tue bisedue,
 S' mbrami atà paskan vendue,
 Shqyptarve me u dhânë lirín,
 Zojë m' vedi me qitë Shqypnín.
 E prandej n' Shqypní pa dá
 Rrahin topat nder kalá;
 Persè flamuri kuq e zí,
 Sod mâ s' pari, bukurí
 Porsí fleta e Engllit t' Zotit,
 Po valvitë mbí tokë t' Kastrjotit,
 Si valvit dikúr motit;
 E dér m' qiellë ushton brohrija,
 Kah gerthet fusha e malcija:
 Per jetë t' jetës rrnoftë Shqypnija!
 Edhè kshtû, mbas sa mjerimit
 Mbas sa gjakut e shemtimit,
 E p'r inát t' Shkjevet t' Ballkanit
 Per gazep t' atij Sulltanit:
 Si premtue kisht' Perendija:
 Prap zojë m' vedi duel Shqypnija.
 


Argumenti: Mbas tridhetë vjetve punë, kushtue lahutës, Poeti mbyllë poemin me thirrjen e Zanës, qi per kaq mote e përcuell pa i u dá kurr krahit. Kujtohet Fishta se me ndihmen e sajë tashmâ ka ndërtue nji pomedore të parrenueshme dhe e grishë Rresht - mirën të këpusë fijen e kangës. Hin, mandej në temë të Konferences së Londonit, ku marrin pjesë shtatë Fuqit e Mdhá Europjane. Auktori i gjenë të mdhajat në bisedën e çeshtjes së Shqipnís. Flet, sëpari, Krajli i Hingliterrës, qi kryesonte mledhjen. Ai paraqet gjendjen dhe pohon se çashtja e kombit shqiptár u ishte lanë të pranishmëvet e se kjo çeshtje paraqitët dy zgidhje: ase me e njoftë shtet në vedi, ase me u a dá fqijvet shkjé. Mbreti i Italis, tuj ndie këto fjalë, merr anën shqiptare ndërsá ai i Rusis atê të Sllavëvet; Franc Jozefi mbron Shqipnín ndersá kryetari i Francës, perherë me Serbi, pohon se Shqiptarët kishin bjerrë vetë të drejtën e vetëqeverisjes, mbasi ata i kishin rá mohit Fés kristjane e tash luftojshin, si muhamedanë të mirë, per të mbajtë në kambë nji Turqi ballkanike. Merr fjalën rishtas Mbreti italjan dhe me fakte konkrete rrxon arrsytimin e të Parit të Francës, ndersá Franc Jozefi, tuj i rá grusht tavolinës, vendosë të shtijë në veprim fuqít e veta ushtarake ase të xjerrë, me të mirë, shi prej asajë mbledhje njoftimin e shtetit shqiptár. Bâ helm prej idhnimit, çohet perandori dhe don të dalë prej kuvendit. Vilhelmini i Gjermanís e ndalë. Zbutë këtê, merr me të mirë të tjerët, dhe, në fund, i a mrrîn qellimit. Fuqít europjane nenshkrujnë vendimin: shqipnija njifet shtet në vedi (autonom).
 Mbasi Krajl Nikolla, kokëfortë, si perherë, s' ndigjon të dalë nga Shkodra, shtetet e Mbledhjes dergojnë danamët e perbashkëta nder brigje të shqipnís dhe, kështu, e perxanë Knajzin e Malit të Zí me nji grusht miza.
 Në marë Shqipnín gërset pushka e gëzimit, shpërthen hareja, ushtojnë topat nder kalá dhe Flamuri kombtár valvitë madhnueshem " Porsi fleta e Engllit t' Zotit". Brohorisin fusha e male persè " Si premtua kisht' Perendija - prap zojë m' vedi duel Shqypnija".

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00