* * *
— Përpiquni t’ia bllokoni pjesërisht gjakderdhjen me ndonjë rrobë. Po humbet shumë gjak, vërejti njëri prej policëve duke i kthyer krahët asaj pamjeje kasaphane.
Shkëlzeni doli para orës njëmbëdhjetë për të marrë trupat. Shpresimi sapo i kishte çuar në anë të zjarrit dy fetat e tij të bukës.
— Trupat ja ku i ke gati, dy palë. Sa t’i ngarkosh në karatruke, buka do të jetë thekur dhe e ha të ngrohtë.
— Mirë po thua.
Shkëlzeni afroi karatruken deri ku kishte shina dhe filloi të vendoste në të trupat që i kishte veçuar Shpresimi. Ai po bënte udhën e katërt, kur Demiri, që po ngrohej në diellin e vakët vjeshtak mbi një grumbull trupash, i thirri:
— Mos merr më nga ata trupa! Eja merr tek stiva e madhe!
Shkëlzeni vazhdoi punën pa folur, duke menduar se ai s’do ta zgjaste më tej bisedën. Mirëpo kur shkoi për të marrë trupin tjetër, atje gjeti Demirin.
— Kupton shqip ti, apo të pëlqen të të flasin vetëm serbisht? Lëri këta trupa, të thashë, e shko merr tek stiva e madhe, si gjithë të tjerët.
— Këta trupa i ka veçuar Shpresimi për mua dhe unë do t’i marr.
— Këtu vendos unë, jo Shpresimi. Po deshe trupa, merr tek stiva e madhe.
Shpresimi dëgjoi debatin dhe nxitoi për atje. Demiri u mat ta godiste Shkëlzenin me grusht, por ky bëri një përkulje të shpejtë dhe ai për pak u rrëzua, ngaqë doli huq.
— Mos guxo të më prekësh me dorë, përndryshe do të bëhesh pishman, thirri Shkëlzeni, dyllë i verdhë në fytyrë.
— Jo, me dorë nuk do të prek, se ndyhem prej teje, agjent i qelbur! Tani ta ndreq unë qejfin.
Demiri rrëmbeu sëpatën e fshehur pas një trungu dhe iu vërsul Shkëlzenit.
— Ç’bën me sëpatë, u çmende? thirri Shpresimi duke hyrë mes tyre.
Ai ishte shtatvogël përballë Demirit kabà dhe arriti vetëm t’i devijonte pak drejtimin sëpatës së ngritur, duke goditur bishtin e saj me majat e gishtave të dorës së djathtë, ndërkohë që me të majtën e shtyu tek supi Shkëlzenin, për ta ndihmuar të shmangte goditjen e shpejtë. Sëpata i preu gishtin e madh Shpresimit dhe u ngul në supin e djathtë të Shkëlzenit. Ky klithi prej dhimbjes dhe u rrokullis për të evituar goditjen tjetër. Demiri i dha një shkelm të fortë Shpresimit gishtprerë dhe u vërsul me sëpatë mbi Shkëlzenin e gjakosur.
Dy prej ortakëve të punës të Shpresimit kishin hyrë me trupa në minierë, ndërsa i treti filloi të bërtiste për ndihmë, ngaqë vetë nuk guxonte të ndërhynte në atë përleshje të egër. Serveti dhe dy të burgosurit e tjerë, që shkarkonin vagonët në bunker, u nisën me vrap për tek vendi i sherrit. Edhe katër policët e turnit të parë dolën prej barakave të tyre dhe u drejtuan për atje. Në bazë të rregullores së shërbimit, ata nuk duhej të ndërhynin, derisa të përfundonte grindja.
Ata panë sesi Demiri, pasi e kishte rrëzuar përtokë Shpresimin e plagosur, u gjend pranë Shkëlzenit të mbledhur kruspull nga dhimbjet e mëdha. Ai u mat ta godiste me sëpatë në kokë, por Shkëlzeni arriti të lëvizte paksa në çastin e fundit. Sëpata u ngul në mes të shpatullave. Një vërshim i fuqishëm gjaku, pas shkuljes së sëpatës prej trupit të Shkëlzenit, ia mpiu krahët vrasësit. Ai u zverdh krejt dhe, duke mbajtur në dorë sëpatën që kullonte gjak, u bëri shenjë policëve të afroheshin. Serveti u mat t’i kapte sëpatën Demirit, por ky e ngriti lart duke kërcënuar:
— Mos u afroni asnjëri, përndryshe do t’ju godit. Sëpatën do t’ua dorëzoj vetëm policëve.
Serveti vrapoi pranë Shpresimit të përgjakur.
— Je dëmtuar shumë, Shpresim?
— Kam humbur gishtin e madh të dorës së majtë. Prej andej ka rrjedhur gjithë ky gjak. E kam mbështjellë me cepin e xhaketës plagën, por eja të shkojmë tek Shkëlzeni, se i rrezikohet jeta.
Dy policë e çuan Demirin tek baraka e tyre. Dy të tjerët qëndruan tek Shkëlzeni i larë i gjak e i shtrirë përtokë. Serveti e Shpresimi u afruan pranë tij.
— Përpiquni t’ia bllokoni pjesërisht gjakderdhjen me ndonjë rrobë. Po humbet shumë gjak, vërejti njëri prej policëve duke i kthyer krahët asaj pamjeje kasaphane.
Serveti hoqi xhaketën e dokut, e palosi më katërsh dhe e ngjeshi në rrëzë të shpatullës së majtë të Shkëlzenit, prej nga rridhte më shumë gjak. Mandej e ngriti në pozicionin ndenjur, u ul vetë nga pas në mbështetje të tij dhe i vuri një këmishë pëlhure të palosur mbi supin e djathtë të kthyer gjithashtu në burim gjaku.
— Mos u mundoni më kot me mua, foli me një fije zëri Shkëlzeni me shikimin e venitur mbi fytyrën e Shpresimit përballë tij, i cili po e shtrëngonte fort tek supi i djathtë, për t’i ngjeshur këmishën e vendosur mbi plagë e për ta ndihmuar të qëndronte ndenjur. – Unë e ndiej që po vdes. Sa shumë më mundove këtë vit, o Zot! Po, sot plotësohet viti nga dita e çeljes së ekspozitës time të parë e të fundit. Kisha vendosur t’ju jepja kafe kur të ktheheshim në kamp, për ta kremtuar këtë ditë. Plot një vit më parë jetoja ditën më të lumtur të jetës sime, sot fundin e saj. Po udhëtoj për tek gjyshi; do të çmallem me të. Në fillim do të mërzitet që po i shkoj kaq herët pranë, pastaj do të ndiej kënaqësinë e bashkimit tonë pa UDB, pa Draganë e tradhtira, që na morën në qafë profesor Skënderin dhe mua. Të dy u larguam nga jeta me një brengë të
madhe në shpirt. Na detyruan të pranonim tradhtinë e paqenë, për t’i shërbyer tradhtisë së tyre të vërtetë. Sikur kjo brengë të bëhej lëndë e arkivolit tonë, nuk do ta treste dot dheu kurrë.
«Demiri është dorë e tjetërkujt; ai është urdhëruar për ta bërë këtë. Mundohuni të më harroni, vëllezër, se kështu do të jetë më mirë për ju. Ju falënderoj me frymën time të fundit për gjithçka jeni munduar të bëni për të mirën time. Në çantën e veshmbathjes kam disa fotografi. Ato dhe vendin e varrit tim ua tregoni ndonjëherë njerëzve të mi, po ju krijua mundësia. Pranoji një ditë eshtrat e profesor Skënderit dhe të miat në gjirin tënd të ngrohtë, Nënë Kosovë, se nuk jemi tradhtarë, besona. Përkundrazi, ky fund tragjik na erdhi pikërisht pse të donim shumë e nuk të tradhtonim dot.
«Më fal, Shpresim, që të mundova për të më thekur bukën e mëngjesit dhe nuk arrita dot ta haja. Jam shumë i kënaqur t’i hani ju ato dy feta buke, në vend të përshpirtjeve të bashkëvuajtësit tuaj. Po largohem esëll nga kjo botë, që më dha kaq hidhërime. Erdha gjysh; tani jam duke kapërcyer pragun e banesës së përjetshme».
Shkëlzeni mbylli sytë dhe koka iu var mbi gjoks. Shpresimi dhe Serveti, që po lotonin në heshtje, e shtrënguan fort në krahë. Aty kishte mbetur vetëm kufoma e masakruar; shpirti i djaloshit kosovar kishte fluturuar pranë gjyshit.
Comments (0 posted)
Post your comment