Home | Literature | Kopshti magjik

Kopshti magjik

image
 Në kopsht kishte ekualipte të mëdha e të moçme dhe rrugina të shtruara me zhavorr. Xhovanino e Serenela ecnin në majë të gishtërinjve, duke u munduar të mos bënin asnjë zhurmë. Po sikur tani të vinte i zoti i kopshtit?


 

 

 

Italo Kalvino

 

 


 

Xhovanino e Serenela po çapiteshin përgjatë shinave. Poshtë shtrihej një det gjithë luspa dhe, ku më shumë e ku më pak, i kaltër. Shinat ishin të shndritshme e të nxehta, aq sa digjnin. Por mbi to ecej mirë dhe mund të bëje gjithfarë lojërash: të qëndroje në ekuilibër, ai mbi njërën shinë dhe ajo mbi tjetrën, dhe të ecje duke u kapur për dore ose të hidheshe nga një traversë në tjetrën, pa vënë këmbë mbi çakëll. Xhovanino e Serenela, pasi kishin gjuajtur gaforre, po ktheheshin rrugës së shinave dhe, siç ishin marrë vesh, do të hynin edhe në tunel. Sa bukur ishte të luaje me Serenelën! Ajo ndryshonte nga të gjitha moshataret e saj që përherë i zë frika e, pa një pa dy, ia plasin të qarit. Kur Xhovanino thoshte: “Shkojmë atje”, Serenela e ndiqte gjithnjë pa bërë fjalë.
 Ding! Ata u hodhën përpjetë e panë sipër tyre. Ishte ndërruar sinjali i një semafori në majë të një shtylle. Dukej si një lejlek i hekurt që krejt papritur kishte mbyllur sqepin. Një copë herë mbetën ashtu, me kokën lart: sa keq që se kishin parë! Kurse tani nuk ndreqej më!
 - Po vjen një tren, - tha Xhovanino.
 Serenela nuk luajti nga shina:
 - Nga? - pyeti.
 Xhovanino hodhi sytë përreth, thua se i dinte mirë ato punë. Tregoi vrimën e zezë të tunelit, që herë dukej qartë e herë vagullt, përmes dridhjeve të afshit që ngrihej nga çakëlli i hekurudhës.
 - Andej, - tha. Dukej sikur tashmë e dëgjonte gulçimën që vinte mbyturazi nga tuneli dhe e shihte tek ia behte para tyre krejt papritur me rrapëllimën e rrotave, që hanin shinat pa mëshirë.
 - Ku do të shkojmë, Xhovanino?
 Andej nga deti kishte agave të hirta me brerore të pakalueshme gjembash. Drejt malit vraponte një gardh plot gjethe e lule. Treni ende spo dëgjohej: ndoshta e kishte fikur motorin, po ecte pa zhurmë dhe do tu dilte përpara papandehur. Po ja, Xhovanino kishte gjetur një të çarë në gardh. - Këndej!
 Gardhi, i mbuluar nga bimë kacavjerrëse, ishte një rrjetë e vjetër metalike gati në të rënë. Diku ajo ngrihej nga toka e pështillej në formën e një kaushi, si cepi i një faqeje libri. Xhovanino ishte futur tashmë përgjysmë e po rrëshqiste nga ana tjetër.
 - Më ndihmo pak, Xhovanino!
 U gjendën të dy përmbys mbi një leh në qoshen e një kopshti, me flokët gjithë gjethe të thata e grimca dheu. Gjithçka përreth ishte e heshtur, nuk lëvizte as edhe një gjethe.
 - Shkojmë, - tha Xhovanino dhe Serenela u përgjigj: - Po.
 Në kopsht kishte ekualipte të mëdha e të moçme dhe rrugina të shtruara me zhavorr. Xhovanino e Serenela ecnin në majë të gishtërinjve, duke u munduar të mos bënin asnjë zhurmë. Po sikur tani të vinte i zoti i kopshtit?
 Gjithçka ishte shumë e bukur: kubetë e ngushta e shumë të larta me gjethe ekualipti të përkulura dhe ngastra qielli; mbetej vetëm ai ankthi i brendshëm për kopshtin që nuk ishte i tyre dhe prej ku, ndoshta, do ti përzinin nga çasti në çast. Nga një kaçubë mareje, në një kthesë, u ngrit fluturim një trumë harabelash me cicërima. Pastaj ra përsëri heshtja. Mos, vallë, ishte një kopsht i braktisur?
 Po hija e drurëve të mëdhenj, në njëfarë vendi, mbaronte dhe fëmijët u gjetën nën qiellin e hapur, përballë leheve me petunie e me dredhëza të selitura për merak, përballë rruginave, parmakëve e shpinoreve prej dru bushi. Në pjesën më të lartë të kopshtit ngrihej një vilë me xhama farfuritës, me perde të verdha e portokalli.
 Njëlloj, gjithçka dukej e shkretë. Dy fëmijët, tek shkelnin mbi zhavorr, i bënin sytë katër: mbase dyert e dritaret mund të hapeshin nga çasti në çast, në ballkone do të dilnin zotërinj e zonja të rreptë dhe qen trupmëdhenj do të lëshoheshin nëpër rrugina. Pranë një ulluku gjetën një karro. Xhovanino e zuri nga dorezat dhe e shtyu përpara: në çdo vërtitje të rrotës, dëgjohej një kërkëllimë: Serenela u ul mbi karro, ndërsa Xhovanino e shtynte. Kështu, bënë përpara të heshtur, duke kaluar ndanë leheve dhe currilave të ujit.
 - Atë, - thoshte herë pas here Serenela me zë të ulët, duke treguar një lule. Xhovanino ndalej, shkonte ta këpuste dhe ia jepte. Kishte bërë tashmë një buqetë me lule të bukura. Por, duke kapërcyer gardhin për tia mbathur, ndoshta do ti duhej ti hidhte të gjitha.
 Më në fund, arritën në një shesh me rrasa e çimento, aty ku mbaronte zhavorri. Në mes të sheshit hapej një gropë e madhe katërkëndëshe: një pishinë. U afruan: ishte e veshur me pllakëza të kaltra dhe e mbushur deri në buzë me ujë të kthjellët.
 - Hidhemi? - pyeti Xhovanino.
 Afërmendsh, duhet të ishte diçka me shumë rrezik, përderisa ai e pyeste dhe nuk i thoshte vetëm: Hidhu! Megjithatë, uji ishte aq i kaltër e i kthjellët dhe Serenelës nuk i dridhej syri. Zbriti nga karroja, duke lënë aty buqetën e luleve. Rrobat e banjës i kishin të veshura, sepse deri atëherë kishin gjuajtur gaforre. Xhovanino u hodh: jo nga trampolina, se mund të dëgjohej pllaçuritja kur të binte në ujë, por nga buza e pishinës. U zhyt thellë e më thellë, me sytë hapur. Përreth nuk shihte tjetër veç kaltërsi dhe duart e tij porsi dy peshq rozë; ndryshe nga nënujët e detit, plot hije të gjelbëreme e të zymta, krejt pa formë. Ja, një hije rozë sipër tij: Serenela. U kapën për dore dhe dolën në sipërfaqe nga ana tjetër, disi me ankth. Jo, vërtet asgjë spipëtinte dhe sy njeriu nuk mund ti shihte. Por ndryshe nga çe kishin menduar, nuk po kënaqeshin: gjithnjë e më shumë ata ndienin hidhërim e ankth, sepse gjithçka përreth nuk ishte e tyre dhe nga çasti në çast mund ti zbonin.
 Dolën nga uji dhe mu pranë pishinës gjetën një tavolinë ping-pongu. Menjëherë Xhovanino e gjuajti topin me raketë: Serenela ia ktheu me zhdërvjelltësi nga ana tjetër. Nisën të luanin, duke gjuajtur topin sa më lehtë, që të mos dëgjohej brenda vilës. Befas, ndërsa rrekej të priste një gjuajtje të lartë, Xhovanino e flaku topin tej me forcë. Për dreq, topi i ping-pongut vajti e ra mbi një gong që varej ndërmjet shtyllave të pjergullës dhe që kumboi zymtë e gjatë. Dy fëmijët u strukën pas një zhabine. Sa hap e mbyll sytë, ia behën dy shërbëtorë me xhaketa të bardha e tabaka të mëdha në duar. Ata vendosën tabakatë në një tryezë të rrumbullakët, nën hijen e një çadre me shirita të verdhë e portokalli, pastaj u larguan.
 Xhovanino e Serenela iu afruan tryezës. Kishte çaj, qumësht e ëmbëlsirë. Nuk mbetej tjetër, veç të uleshin e ti shijonin. Mbushën dy filxhanë dhe prenë dy riska. Por përsëri nuk ndiheshin rehat, rrinin ulur në anë të karriges duke tundur gjunjët. As ëmbëlsirës, çajit e qumështit nuk po ia ndinin shijen.Çdo gjë në atë kopsht ishte ashtu: e bukur dhe e pamundur për tu shijuar nga ai sikleti dhe frika e brendshme, që fëmijët i torturonte njëlloj sikur të kishin bërë faj të rëndë, për të cilin së shpejti do të ishin të detyruar të përgjigjeshin.
 Iu afruan vjedhurazi vilës. Përmes fletëve të një grile, panë nga brenda një dhomë të bukur e të kredhur në hije, me koleksione fluturash nëpër mure. Dhe në këtë dhomë ishte një fëmijë i zbehtë. Djali fatlum duhej të ishte i zoti i vilës dhe i kopshtit. Rrinte ulur në një shezlong e shfletonte një libër të madh me figura. Kishte duar të hajthme e të bardha dhe mbante pizhama të kopsitura deri në grykë, edhe pse ishte verë.
 Tani, duke e përgjuar përmes fletëve të grilës, dy fëmijëve po u fashitej ankthi pak e nga pak. Në të vërtetë, dukej sikur djali i pasur rrinte ulur, shfletonte librin e vështronte përqark me më shumë ankth e siklet se ata. Ai ngrihej majë gishtërinjve sikur druhej që dikush, nga çasti në çast, do të vinte për ta dëbuar, sikur të ndiente që libri, shezlongu, fluturat e kornizuara nëpër mure, kopshti me lojërat, sillën, pishinat e rruginat nuk ishin të tij, ata i përkisnin vetëm gabimisht, prandaj dhe ai nuk mund ti gëzonte, por vetëm të pranonte mbi kurriz pasojat e atij gabimi të hatashëm, që kishte ndodhur pikërisht për faj të tij.
 Djali i zbehtë përsillej me hapa vjedharakë nëpër dhomën e tij të kredhur në hije, përkëdhelte me gishtërinjtë e bardhë kornizat e fluturave dhe ndalej për të mbajtur vesh. Xhovaninos e Serenelës, që tashmë ishin qetësuar, filloi tu rrihte sërish zemra më fort. Ishte frika për një si magjepsje që mbretëronte tek ajo vilë e tek ai kopsht, tek të gjitha ato sende të bukura e komode, si një padrejtësi e bërë kohë më parë.
 Dielli u murrëtye nga retë. Gojëlidhur, Xhovanino e Serenela u larguan. Morën përsëri nga rruginat, me çap të shpejtë, por ama pa vrapuar. Kaluan këmbadoras atë gardhin. Përmes agaveve gjetën një shteg që të shpinte te plazhi i vogël zallor, ku shtëllungat e algave ndiqnin bregun e detit. Pastaj sajuan një lojë shumë të bukur: betejë me alga. I hodhën njëri-tjetrit me grushte në turinj, derisa ra mbrëmja. Për fat të mirë, Serenela nuk qante kurrë.

 

 


Përkthyer nga Dritan Çela

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00