Mirë se vini në Shqipërinë natyrale!
Dhe amaneti i së shkuarës është: Të festojnë dhe të shijojnë 28 Nëntorin 1912, shpalljen e Shqipërisë natyrale, duke e bërë atë realitet.
Koço Danaj
Është një ftesë, që në përvjetorin e 100-të të Pavarësisë së Shqipërisë, ju drejtohet fqinjëve të saj, grekë, serbë, malazezë dhe maqedonas. Po pse atyre në fillim? Sepse ata janë fqinjët tanë dhe shqiptarët ftesat e para ua drejtojnë fqinjëve. Ata janë fqinjët tanë dhe sot në territoret e shteteve të tyre kanë padrejtësisht territore të Shqipërisë natyrale, të cilat me paqe dhe në rrugë paqësore ne do t’ua marrim.
Është një ftesë që i drejtohet Brukselit dhe Uashingtonit. Po pse edhe atyre? Sepse Brukseli është kryeqyteti i Evropës së Bashkuar dhe Shqipëria natyrale është pjesë organike e saj. Sepse Uashingtoni është aleati strategjik i Shqipërisë natyrale.
Është një ftesë që ju drejtohet edhe shumicës dërrmuese të politikanëve shqiptarë të cilat sot drejtojnë tre vilajete shqiptare. Edhe ata do të jenë të mirëseardhur. Do të jetë i mirëseardhur Sali Berisha, Bamir Topi, Edi Rama të konkurrojë për president, kryeministër ne Tetovë, Kumanovë, Mitrovicë, Preshevë, Gjilan, Drenicë... Do të jetë i ftuar Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Albin Kurti, Ramush Haradinaj të konkurrojë në Sarandë, Vlorë, Gjirokastër, Konispol, Filat etj. Do të jetë i ftuar Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi të konkurrojë në Fier, Durrës, Shkodër etj.
Po pse ftesa bëhet që sot? Që të përgatiten të gjithë, edhe fqinjët, edhe Brukseli, edhe aleatët, por edhe politikanët shqiptarë që luftojnë për pushtet.
Por, nuk është vetëm një ftesë. Është edhe një doktrinë e sanksionuar në aktin e shpalljes së Pavarësisë në 28 Nëntor 1912, por e papërfunduar. Na takon ne shqiptarëve të fillim shekullit të XXI-të ta përfundojmë. Atë që na morën me luftë, me racizëm, me mentalitet kolonialisti dhe gjenocid, ta marrim me paqe, me argumente dhe me dialog.
Për shembull, në kujtimet e tij Eduard Grey do të shprehej se bëhet fjalë për disa fshatra shqiptare, kur në realitet Shqipërisë natyrale ju shkëputën nga trungu më shumë se 50 mijë kilometra katrore dhe sot Vilajeti i Shqipërisë, në qind për qind të territorit të tij, kufizohet me troje shqiptare. Ky vilajet nuk ka fqinjë as grekë, as maqedonas, as serbë, as malazezë, por ka fqinjë vetëm shqiptarë. Ndërsa, pasardhësit e Greyt, në vitin 1982, bënë luftë kundër Argjentinës për disa ishuj, me mijëra kilometra larg Londrës, në Malvine, ose Folklend, afër Argjentinës. Dhe bota e qytetëruar ju dha të drejtë.
Për shembull, kur u shpërbë Bashkimi Sovjetik, mbeti një territor i vogël midis Polonisë dhe Lituanisë me kryeqytet Konigsbergun (Kaliningrad). Ky territor është edhe sot pjesë e Federatës ruse, për shkak se shumica dërrmuese e banorëve janë rusë (Kalinigradi është 600 kilometra larg nga Berlini dhe 1200 kilometra nga Moska). Ndërsa, Struga është dy kilometra nga Pogradeci, e megjithatë, konsiderohet pjesë e Maqedonisë.
Po kur do të fillojë të shkruhet Ftesa për fqinjët, miqtë dhe aleatët e Shqipërisë natyrale? Do të shkruhet në periudhën midis 29 korrikut 2013 që përkon me copëtimin juridik të kombit shqiptar dhe do të përfundojë në prill 2015 që përkon me asgjësimin tërësor të kombit shqiptar nga Traktati i fshehtë i Londrës
Por, nuk është përsëri thjesht një ftesë, është më shumë se kaq. Është një vizion për të ardhmen e rajonit dhe të vetë Evropës. Rajoni i Ballkanit dhe vetë Evropa dëshiron paqe dhe stabilitet, për më tepër që tani është në krizë. Dhe, shqiptarët janë në pararojë të paqes dhe stabilitetit. Ai që ka provuar disa herë gjenocidin, racizmin, deri edhe shpërbërjen, ai e dëshiron paqen më shumë se të tjerët.
Prandaj, shqiptarët janë të etur më shumë se të tjerët për paqe, stabilitet. Prandaj, sot kanë arritur në një shkallë të atillë vizioni që ta kuptojnë se Shqipëria natyrale është vizioni i paqes dhe progresit rajonal dhe evropian.
Vizoni i Shqipërisë natyrale ka edhe kundërshtarët e tij. Këta kundërshtarë janë midis politikanëve shqiptarë, por edhe midis fqinjëve, apo deri në Bruksel. Po çfarë na thonë kundërshtarët tanë, brenda nesh dhe përballë nesh?
Ja për shembull: na thonë se kombi shqiptar nuk ka nevojë të bashkohet, por duhet të ndjekë shembullin e Gjermanisë, Zvicrës dhe Austrisë. Është një tezë antihistorike dhe antishqiptare, sepse kur në vitin 1291, përfaqësuesit e kantoneve të Urit, Shëycit dhe Untervaldenit vendosën themelimin e Konfederatës Helvetike, në Gjermani jetonin akoma fise gjermane, por jo shtet. Kur Austria në vitin 1815, pas disfatës së Napoleonit u bë kryeqendra e Koncertit të Vjenës duke u dhënë tonin për gati një shekull marrëdhënieve ndërkombëtare, Gjermania akoma nuk ishte e bashkuar. Ndërsa, më 28 nëntor 1912, ata politikanë shqiptarë që u mblodhën në Vlorë, ishin jo vetëm nga gjithë hapësira e kombit shqiptar, por edhe shpallën pavarësinë e Shqipërisë natyrale, që shtrihej në katër vilajetet e atëhershme otomane.
Por, modeli që na serviret është edhe antishqiptar. Konferenca e Londrës e vitit 193 i copëtoi shqiptarët në pesë pjesë, mbi bazën e logjikës koloniale, duke shpërblyer me territore shqiptare shtetet fqinje që u konsideruan fitimtarë të Luftës Ballkanike apo që kishin mbështetjen e kësaj apo asaj fuqie të madhe. Këtij pseudo argumenti ne do t’i vëmë përballë një argument real dhe të freskët. Dhe ky është shembulli gjerman. Gjermania në vitin 1945 u nda në katër pjesë dhe me vonë në dy pjesë, për të kënaqur fitimtaret e Luftës së Dytë Botërore. Pas 45 vjetësh, kjo padrejtësi koloniale mori fund dhe Gjermania u bashkua. Ky është shembulli që vlen edhe për kombin shqiptar. Përndryshe, kemi të drejtë të pohojmë se përballë kombeve dhe çështjeve të tyre kombëtare, bashkësia ndërkombëtare aplikon dy standarde.
Segmente të ndryshme të BE-së shprehen se në rastin e Gjermanisë kjo ndodhi pasi Gjermania Perëndimore e kishte sanksionuar në Kushtetutë bashkimin kombëtar. Po edhe ne e kemi të sanksionuar ne Kushtetutë bashkimin kombëtar, bile në Preambulën e saj. Dhe, këtë Kushtetutë, pasi e miratuan shqiptarët e konsideruan të drejtë edhe juristët e nderuar të Komisionit të Venecias, edhe ekspertët e NATO-s. Por, kundërshtarët tanë na thonë akoma më shumë. Na thonë se tani që po shuhen kufijtë, nuk ka nevojë të bashkohen shqiptarët. Po pastaj, ky nuk është argument, është thjesht një konstatim. Pse?
Shuarja e kufijve nuk e ezauron bashkimin e shqiptarëve, përkundër e shtron si imperativ të dorës së parë. Sa më shumë shtohet qarkullimi i lirë i njerëzve, aq më shumë lind nevoja e forcimit të shteteve në territoret e të cilave ndodh ky qarkullim. Dhe, kjo për të garantuar cilësinë e këtij qarkullimi të lirë dhe për të parandaluar kaosin dhe rrëmujën. Sa më shumë shtohet qarkullimi i lirë i ideve nga një vend në tjetrin, aq më shumë forcohen identitetet kombëtare të vendeve të ndryshme. Dhe, kjo për arsyen e thjeshtë se qarkullimi i lirë i ideve nuk do të thotë shuarje e identiteteve nacionale, por përkundrazi forcim i tyre. Sa më shumë shtohet qarkullimi i lirë i mallrave, aq më shumë po bëhen përpjekje për forcimin dhe përkrahjen e asaj që quhet sipërmarrje kombëtare.
Globalizëm nuk do të thotë kaos, por rregull, diversitet identitetesh nacionale, që japin e marrin me njeri-tjetrin, pa u tjetërsuar njeri tek tjetri. Njerëzit lëvizin të lirë në gjithë Evropën, por trojet mbeten aty ku janë, shtetet aty ku janë, kombet aty ku janë. Nuk ka shuarje kombesh, por emancipim dhe civilizim të tyre. Dhe, elementi i pare i civilizimit te një kombi është e drejta e tij për tu bashkuar.
Dhe e fundit, disa politikanë dhe politologë fqinjë na thonë se trojet nuk bashkohen pa luftë. E kanë gabim ose vazhdojnë të gjykojnë me mentalitetin e Luftës së Ftoftë. Pse?
Sot, kur të gjitha regjimet në rajon janë demokratike, atëherë edhe Shqipëria natyrale do realizohet në rrugë demokratike, pa luftë.
Dhe e fundit, në përvjetorin e 100-të të Shqipërisë natyrale, kjo ftesë është edhe një amanet i së shkuarës. Shqiptarët nuk mund të festojnë 28 Nëntorin në mënyrë hipokrite duke shkuar një ditë në vit, duke mbajtur ca fjalime, duke vënë ca kurora dhe pastaj të shijojnë çdo ditë turpërisht, 29 korrikun, 17 shkurtin dhe 9 shtatorin.
Dhe amaneti i së shkuarës është: Të festojnë dhe të shijojnë 28 Nëntorin 1912, shpalljen e Shqipërisë natyrale, duke e bërë atë realitet.
Ka edhe të tjera që do të elaborohen ditë pas dite, por edhe kaq mjafton për ti dhënë kuptim Ftesës: Mirë se vini në Shqipërinë natyrale.
Comments (0 posted)
Post your comment