Home | Literature | * * *

* * *

image
— Atëherë kufomën duhet ta sjellim në Tiranë?
— Në asnjë mënyrë. Duhet ta groposni tinës brenda territorit të rrethuar të minierës, duke u kujdesur posaçërisht që të mos mbetet asnjë shenjë varri. Porosi e rëndësishme e zëvendësministrit personalisht për ty.

 

 

 

Agim Hamiti

 

 

...


Zilja e telefonit po tingëllonte prej disa minutash në zyrën e oficerit të rojës të kampit të Spaçit, por ky nuk po e prekte receptorin me dorë. Rrinte gjysmë i shtrirë sipër krevatit, pranë të cilit kishte afruar edhe tavolinën. Mbi tavolinë, një shishe gjysmëkilëshe raki rrushi, disa feta djathi në një pjatë, një copë sallam dhe ca fiq të thatë. Një paketë cigaresh DS, me një çakmak përsipër, ndodhej në anë të tavolinës, ngjitur me krevatin.
Zilja e telefonit pushoi së rëni disa çaste, pastaj filloi përsëri. Operativi e ktheu me fund gotën e rakisë që mbante në dorë dhe e la mbi tavolinë. Nxori me ngé një cigare prej paketës dhe e ndezi.
— E di ç’do të më thuash, o polic, kur të ngre receptorin, murmuriti duke thithur cigaren. – E kuptoj prej këmbënguljes sate që Demiri ka mbaruar punë. Një armik më pak nuk është gjithmonë një fitore më shumë. As ti nuk je maratonomaku e as Demiri ndonjë hero, që unë të nxitohem për të dëgjuar jehonën e asaj që ka ndodhur.
Ai u ngrit ndenjur në anë të krevatit dhe zgjati dorën tek telefoni.
— Alo! foli me përtesë.
— Ti je, shoku Paskal? Jam Spartaku, flas nga MP të Brendshme.
Operativi u çua rrëmbimthi në këmbë, duke e flakur në çast plogështinë e mëparshme.
— Si urdhëron, unë jam, shoku Spartak. Sapo u ktheva prej një inspektimi në fjetoret e të burgosurve.
— E mora me mend, gjersa nuk po përgjigjeshe. Ndonjë lajm nga miniera?
— Endé jo. Ndoshta edhe ata kanë tentuar të telefonojnë në mungesë time. Sidoqoftë, më vonë mund të lidhem vetë me ta dhe për çdo të re do t’ju njoftoj menjëherë.
— Nuk jemi të ngutshëm; punët e mira bëhen ngadalë. Bisedova me zëvendësministrin pak më parë dhe më sugjeroi të të thosha në kohën e duhur diçka të rëndësishme. Në fshatin Shëpal ndodhen varrezat e të burgosurve të kampit tuaj?
— Po, sipas vendimit të MP të Brendshme.
— Sigurisht. Sa varre të burgosurish figurojnë atje?
— Dy; sot do të bëhen tre.
— Jo, nuk do të ketë të tretë sot.
— Si kështu? Ka shumë të ngjarë që ajo punë tashmë të ketë përfunduar. A nuk më transmetuat dje pasdite mesazhin: Nesër është data 15 nëntor, përvjetori i parë…
— Po, po; ai hesap duhet të mbyllet patjetër, në qoftë se nuk është mbyllur akoma. Fjalën e kishim tek varrezat. Në Shëpal nuk do të ketë varr të tretë sot. Ky fakt është po aq i rëndësishëm sa edhe kryerja e misionit të Dajakut.
— Atëherë kufomën duhet ta sjellim në Tiranë?
— Në asnjë mënyrë. Duhet ta groposni tinës brenda territorit të rrethuar të minierës, duke u kujdesur posaçërisht që të mos mbetet asnjë shenjë varri. Porosi e rëndësishme e zëvendësministrit personalisht për ty.
— Mos kini merak; gjithçka do të përfundojë siç duhet.
— Atëherë mbetem në pritje të telefonatës. Mirë u dëgjofshim.
— Së shpejti.
*
Operativ Paskali uli receptorin, mori cigaren e ndezur të lënë të tavëll dhe e thithi thellë i lehtësuar.
— E çuditshme, tha me vete. – Mirë që duhet të vdes, por pa varr, pse?… Gjërat e thjeshta, që nuk kuptohen kollaj, janë të rëndësishme.
Zilja e telefonit e shkëputi prej meditimit. Me të ngritur receptorin, ndjeu gulçimin e telefonuesit, i cili mezi po mbushej me frymë.
— Shoku shef, jam Zefi, polici i brigadës së nëntokës. Ka ndodhur një ngjarje e rëndë. Demir Sojaku, i cili ka dalë në punë këto ditë, ka vrarë me sëpatë minatorin Shkëlzen Grami. Shkakun e grindjes nuk e kemi mësuar akoma, mbasi Demiri nuk pranon të japë asnjë shpjegim.
— Ku ndodhet tani Demiri?
— Në barakën tonë. Jemi unë e Marku me të, por ç’është më e keqja, ai nuk pranon t’i hedhim prangat.
— S’prish punë. E mbani nën mbikëqyrje duarzgjidhur, gjersa të vijnë ta marrin dy policë të tjerë, që do t’i nis unë nga kampi. Ka vdekur i dëmtuari?
— Po; nuk jetoi as dhjetë minuta pas goditjeve të pësuara.
—Është lënduar ndonjë person tjetër?
— Shpresim Bogoni ka humbur gishtin e madh të dorës së majtë. Edhe ai duhet sjellë në infermieri, se nuk po i ndërpritet hemorragjia me ilaçet e kutisë sanitare që kemi këtu.
— Mirë. Aty do të vijë edhe infermieri i burgosur, për të kontrolluar viktimën. Kur të kthehet në kamp, të marrë me vete edhe Bogonin.
— Të mos harrojë barelën, për të transportuar të vdekurin.
— Jo, ai vetëm sa do ta ekzaminojë, për të përpiluar procesverbalin e shkakut dhe rrethanave të humbjes së jetës. Kufoma do të mbetet aty, në pritje të ekspertizës nga Rrësheni.
— Si urdhëron.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0