* * *
— Nuk di ç’të them. Edhe tani më duket e pabesueshme. Vetëm mungesa e gishtit më bind se nuk qe një ëndërr e keqe ajo mynxyrë, që i mori jetën një 25 vjeçari. Unë nuk di që ata të jenë grindur ndonjëherë më parë. Shkëlzeni ishte engjëll, nuk prishte fjalë me njeri.
Nga Agim Hamiti
— Infermier, eja shpejt, se po na presin, i thanë dy policët.
— Ja, sa të marr ca fasha, një ilaç për të burgosurin që ka prerë gishtin dhe barelën për transportimin e kufomës.
— Fashat dhe ilaçin merri; për barelën nuk është nevoja.
— A nuk ka një të vdekur atje?
— Urdhërojmë ne këtu, jo ti.
— Më falni. Për dy minuta do të jem gati për nisje.
Kur mbërritën tek vendi i ngjarjes, e gjetën kufomën të mbuluar me një batanije të vjetër. Pak më tej ishte ulur njëri prej policëve të punës. Infermieri hoqi ngadalë batanijen. Pamja që iu shfaq para syve e rrëqethi. Kufoma dhe vendi përreth ishin gjithë gjak.
— Duhet larë patjetër që të mund të dalloj plagët e të përpiloj procesverbalin. Në këtë gjendje as shihet, as kuptohet gjë, vërejti infermieri.
— Pse nuk e kupton dot ti nga se ka vdekur? e ironizoi njëri prej policëve.
— Procesverbali kërkon saktësi dhe hollësi, jo një konstatim të përgjithshëm.
— Ti je një i burgosur, jo ekspert kriminalistike, iu hakërrua polici. – Eksperti do të vijë nga Rrësheni. Të urdhëroj të përpilosh procesverbalin sa më shpejt, se do ta firmos edhe unë.
Infermieri u detyrua të zbatonte urdhrin.
— Ja, kjo ishte e tëra, i tha polici duke firmosur. – Tani interesohu për plagën e Shpresimit, se i vdekuri pret.
— Ka filluar të mahiset plaga, ngaqë e ke mbështjellë me xhaketën e punës gjithë pluhur, i tha infermieri Shpresimit. – Do të kesh pak më tepër dhimbje dhe hemorragjia e çastit do të shtohet gjatë pastrimit, por kjo është e domosdoshme, për të evituar infeksionin. Pastaj do ta mjekoj me një ilaç që e minimizon hemorragjinë. Kjo do të ndërpritet plotësisht, mbasi t’i qepim buzët e plagës në infermieri. Tani duhet të bësh pak durim.
— Vazhdo punën, se plagë pa dhimbje nuk ka.
— Si ndodhi kjo fatkeqësi e rëndë, Shpresim? Ishin grindur ndonjëherë midis tyre më parë? e pyeti infermieri duke pastruar plagën.
— Nuk di ç’të them. Edhe tani më duket e pabesueshme. Vetëm mungesa e gishtit më bind se nuk qe një ëndërr e keqe ajo mynxyrë, që i mori jetën një 25 vjeçari. Unë nuk di që ata të jenë grindur ndonjëherë më parë. Shkëlzeni ishte engjëll, nuk prishte fjalë me njeri.
— Po ç’pati Demiri me të, atëherë?
— Vetëm ai e di të vërtetën.
— Hajde, mbaruat? thirri njëri prej policëve që shoqëronin Demirin. – Nuk kemi kohë t’ju presim gjatë.
— Ja, komandant, për dy minuta jemi gati.
Ata e kishin vënë në mes Demirin duarzgjidhur.
— Ju të dy do të ecni para meje, i urdhëroi polici infermierin dhe Shpresimin.
Ata zbatuan urdhrin.
Tek porta e kontrollit po i priste oficeri i rojës.
— Demirin e izoloni në një birucë vetëm, i udhëzoi ai dy policët. – Ndërsa ju nxitoni për në infermieri.
*
Comments (0 posted)
Post your comment