Home | Literature | * * *

* * *

image
— Erdhët më së fundi, Preng? e pyeti ai kolegun.
Në tonin e të folurit ndihej një nuancë mërzitjeje për shkak të pritjes së gjatë.

 

 

 

 

Agim Hamiti

 

 


— Tri ditët e para do të qëndrosh i shtruar në infermieri, të të kemi nën vëzhgim, i tha mjeku i burgosur Shpresimit, mbasi ia qepi e ia mjekoi plagën. – Vetëm kështu mund t’i shpëtosh infeksionit.
— Unë e kam bezdi të qëndroj pa lëvizur, por gjersa e do puna, do të rri.
— Nuk është fjala për të mos lëvizur prej vendit, por për të respektuar orarin e veprimeve të infermierisë.. Përndryshe policët e shërbimit të brendshëm në kamp lajmërojnë oficerin e rojës dhe të dëbojnë prej këtej.
Përveç Shpresimit, në infermieri ndodheshin të shtruar edhe tre të burgosur të tjerë. Njëri kishte thyer këmbën, një tjetër sapo ishte kthyer prej spitalit i operuar në veshka dhe i treti vuante shumë nga zemra.
Turni i parë kthehej zakonisht nga puna rreth orës katër pasdite. Derisa hanin drekë të gjithë, ora shkonte pesë. Pikërisht në këtë orë Serveti shkoi tek Shpresimi në infermieri. Ata u takuan jashtë, në ballkon.
— Si ndihesh tani, Shpresim? Të dhemb shumë plaga?
— Jo, ma kanë qepur e mjekuar; pak dhembje kam. Ti si ia kalova nga puna?
— Të shkarkosh vagonët me mineral në bunker vet i tretë nuk është punë e vështirë. Një punë të tillë mund ta bëja vullnetarisht përherë. Ku do ta pimë kafen sot?
— Këtu ku jemi. Brenda në infermieri nuk lejohet. Për sa i përket çështjes së punës, duhet të interesohemi me kohë në Zyrë Teknike, që të vazhdosh atje ku
je me organikë.
— Unë nuk i shkarkoj dot i vetëm vagonët me mineral. Dy ortakët e mi do të punojnë deri në fund të dhjetorit; në janar nuk dalin më në punë. Nga na tjetër, pas asaj që ndodhi sot atje, nuk e shikoj dot me sy sheshin e përgatitjes së trupave, ku vranë Shkëlzenin sikur të ishte egërsirë. I shkreti djalë! I morën jetën në moshë aq të re, pa i pasur borxh kujt.
— Kushedi si e ka pasur hallin. Të kujtohet ç’na tha për Demirin? E dinte që ai ishte dorë e tjetërkujt. Urrejtja që tregonte policia ndaj tij ka qenë e rekomanduar.
— Sidoqoftë, ne e kemi për detyrë të respektojmë amanetin e tij për fotografitë dhe vendin e varrit. Fotografitë unë do t’i marr pastaj, në orën gjashtë që hapet depoja e veshmbathjes dhe do t’i fsheh me kujdes në mes të plaçkave të mia. Për vendin e varrit do ta kemi të vështirë, mbasi Shkëlzenin nuk do ta varrosin në Shëpal, ku gjendet varreza e të burgosurve politikë të Spaçit. Këto fjalë ia tha polici, që ruante trupin e pajetë të Shkëlzenit, kolegut të tij të brigadës sonë.
— Ç’kuptim ka kjo?
— Po të vrasësh një djalë të ri me sëpatë pa bërë asgjë të keqe, ç’kuptim ka? Ne nuk kemi si ta kuptojmë shkakun e varrosjes së tij në një vend anonim, gjersa nuk dimë arsyen e vrasjes. Ato lidhen domosdoshmërisht njëra me tjetrën.
— I shkreti Shkëlzen! Nuk e ka menduar kurrë se do të persekutohej edhe pas vdekjes në moshë rinore.
— Ka të ngjarë të ketë marrë me vete ndonjë sekret të rëndësishëm, gjersa po ndodh kështu. Atyre u duket se edhe eshtrat e tij mund ta denoncojnë të vërtetën që i tmerron, prandaj duan të zhdukin çdo gjurmë të tij. Unë qysh nesër do të interesohem të mësoj se ku e kanë varrosur. Pa dyshim varri do t’i bëhet brenda rrethimit, si zonë e ndaluar për të shkelur këmbë njeriu. Duke qenë varr i hapur rishtas, nuk do të jetë shumë e vështirë për ta konstatuar se ku ndodhet.
— Kjo detyrë të mbetet ty tani. Unë nuk mund të dal dot në punë, pa mu shëruar plotësisht plaga. Mirëpo atëherë do të jetë e vështirë të diktohet vendi i varrit. Mendoj se ata do t’i bëjnë një varr shkel e shko, sa për të mos ta lënë jashtë.
— Gjithsesi unë shpresoj ta gjej vendndodhjen e tij, se jam edhe një muaj e gjysmë akoma në punë.

Ishte ballë muzgu, kur katër të burgosur ordinerë dhe një polic po ngjisnin
Të Përpjetën e Sizifit. Dy prej të burgosurve mbanin nga një kazmë në sup, ndërsa dy të tjerët nga një lopatë. Polici shtrëngonte një bisht kazme në dorë.
— E kaloni xhadenë dhe ngjituni shpatit matanë, urdhëroi polici.
— Ku do të shkojmë, komandant Prenga? e pyeti më i moshuari prej të burgosurve.
— Në dasmë.
— Në dasmë me vegla varri!
— A ka dasmë më të madhe, sesa kur varros një armik?
— Pse, varr do të hapim vërtet?
— A nuk the se ato janë vegla varri?
— Këto vegla të ushqejnë më parë, pastaj të varrosin.
— Sonte do të hapni varr me to.
Ata nuk kishin dëgjuar gjë për vrasjen e një të burgosuri politik dhe gjithë biseda e policit shoqërues u dukej shaka. Duke qenë të burgosur ordinerë të dënuar lehtë, ata i nxirrnin edhe jashtë rrethimit të kampit për të punuar. I burgosuri moshatar lirohej pas dy muajsh dhe kishte zënë muhabet me kapter Prengën, i cili ishte polici shoqërues i përditshëm.
Kur arritën tek magazina e veshmbathjes, katër të burgosurit e ngadalësuan hapin.
— Kush ju tha të ndaloni? u bërtiti polici. – Vazhdoni udhën drejt zonës së dytë të minierës.
Pas dhjetë minutash, udha malore i nxori në qafën e një kodre, ku përfundonte E Përpjeta e Sizifit. Pak më tej ata dalluan një polic tjetër, i cili bënte ecejake me duart të bashkuara pas shpine.
— Erdhët më së fundi, Preng? e pyeti ai kolegun.
Në tonin e të folurit ndihej një nuancë mërzitjeje për shkak të pritjes së gjatë.
— Po, erdhëm Dod. Tani na nisi shef Paskali. Je mërzitur duke pritur?
— Jo fort. Pozicioni këtu është si pikë vrojtimi dhe e kaloja kohën duke ndjekur me sy gjithë lëvizjet brenda rrethimit. Tani që po erret, arritët ju.
— E ke çelësin e barakës ku ndodhet barela?
— Po; na merre. Unë do të qëndroj këtu, derisa të ktheheni ju.
*
Pas sëpatës së Demirit, e kishte pasur radhën ajo e autopsisë të ushtrohej mbi kufomën e Shkëlzenit. Në përfundim të saj, atë e kishin futur në një thes të formuar prej dy batanijesh të vjetra, të qepura me njëra-tjetrën. Mandej kishin qepur edhe grykën e thesit. Ky ishte shpenzimi i komandës së kampit të Spaçit për ceremoninë mortore të varrosjes së djaloshit kosovar prej kortezhit të katër të burgosurve ordinerë. Këta e shtrinë barelën paralel me batanijet-thes, ku shquanin njolla të mëdha gjaku, dhe po qëndronin në heshtje të plotë.
— Hajde, tunduni prej vendit, ç’prisni? Nuk e shikoni që u err? Më pas do ta keni të vështirë të hapni gropën, u tërhoqi vëmendjen polici.
— Vërtet njeri ka këtu brenda, komandant Prenga? guxoi ta pyeste i
burgosuri moshatar, i cili bënte ndonjëherë edhe shaka me të.
— A mund të quhesh njeri, kur i kundërvihesh partisë sonë?
Pas kësaj vërejtjeje të policit, i burgosuri që kishte folur u bëri shenjë shokëve të tij më të rinj dhe e kapën thesin-qefin në të katër cepat. Me fytyrën të kthyer anash, ata ndaluan frymëmarrjen, e ngritën atë dhe e vendosën mbi barelë. Drejtuan trupin, u mbushën me frymë dhe vendosën kazmat e lopatat përmbi thes. Mandej ngritën barelën.
— Nga do të kalojmë, komandant Prenga?
— Ejani pas meje.
Polici doli nga udha dhe filloi të zbriste me kujdes tatëpjetën. Të burgosurit me barelë në krahë i shkuan pas. Një tufë korbash dolën prej një guve duke krakëllitur dhe filluan të fluturonin përmbi gropën e zymtë të Spaçit.
— Ky e meriton ta lësh të bëhet ushqim për korbat, por partia jonë është zemërgjerë; u lë vend varri në këtë tokë edhe armiqve të saj, shkrofëtiu polici.
Katër të burgosurit vazhduan udhën në heshtje, duke u kujdesur të mos iu rrëshqiste këmba përgjatë rrëpirës që po zbrisnin. Si ecën rreth 100 m, kapter Prenga bëri një gjysmërrotullimi majtas dhe u drejtua rrëzë një shpati. Ai vend nuk dukej prej asnjë pike të udhës këmbësore që çonte nga kampi në minierë.
— Uleni barelën dhe ejani t’ju tregoj se ku do ta hapni gropën.
Ata zgjodhën një vend të sheshtë pak më tej për të vendosur barelën. Morën kazmat dhe lopatat e u afruan tek polici.
— Gropa do të hapet këtu, në mes të shkurreve. Duhet të tregoheni të kujdesshëm, për të mos dëmtuar asnjë shkurre përqark. Filloni punën.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0