Home | Literature | Fragment nga " Enigma e një brenge"

Fragment nga " Enigma e një brenge"

image
Dikush të ka parë tek provoje një skelet syzesh dielli pas ofiçinës. Prej kënaqësisë, i ke dhënë cigare mekanikut që t’i solli atje. Është e vërtetë, apo jo? Ki parasysh se, po nuk pranove, unë jam i detyruar të thërras këtu informatorin. Atëherë pasojat për ty do të jenë më të rënda.

 

 

Agim Hamiti

 

 

 

 

 

Dritat e rrethimit të kampit të Spaçit kishin një orë të ndezura, kur polic Prenga me katër të burgosurit ordinerë u paraqitën tek porta e hyrjes për në rajonin e banimit. Atje i prisnin oficeri i rojës me nënoficerin e shërbimit.
— Hë, Preng, erdhët? e pyeti buzagaz operativi, duke hapur portën.
— Erdhëm, shoku shef. U vonuam pak, sipas porosisë suaj.
— Shumë mirë. Mbasi t’i fusësh brenda katër të burgosurit, të pres të vish lart, tek zyra ime.
— Si urdhëron, shoku shef. Pas dhjetë minutash do të jem atje.
*
Kur polic Prenga shkoi tek zyra e oficerit të rojës, operativi po lexonte disa letra që kishte mbi tavolinë. Ai trokiti lehtë në derën e hapur përgjysmë.
— Hyr, Preng, hyr, i tha operativi, pa i shqitur sytë prej letrës që po lexonte. – Një koiçidencë e çuditshme! Letra që po lexoj bën fjalë për një pakujdesi tënden, në dëm të rregullores së shërbimit në një rajon me rëndësi të posaçme, siç është kampi ynë. Të enjten e kaluar i ke dhënë cigare nga paketa jote një të burgosuri politik që punon në ofiçinë. Ju keni qenë vetëm, duke u ngrohur në diell pas ofiçinës, kur ju ka parë rastësisht personi që bën raportimin.
Polici u zverdh në fytyrë dhe filloi t’i merrej goja:
— Seriozisht po flisni, shoku shef? Unë erdha këtu për t’ju informuar rreth groposjes që bëmë, ndërsa ju…
— Këtu erdhe se të kam thirrur unë dhe do të flasësh për çfarë do të të pyes unë, jo për atë që je përgatitur ti, e ngriti zërin shef Paskali. – Dikush të ka parë tek provoje një skelet syzesh dielli pas ofiçinës. Prej kënaqësisë, i ke dhënë cigare mekanikut që t’i solli atje. Është e vërtetë, apo jo? Ki parasysh se, po nuk pranove, unë jam i detyruar të thërras këtu informatorin. Atëherë pasojat për ty do të jenë më të rënda.
— Nuk është nevoja ta thërrasësh informatorin, shoku shef; unë nuk kam ndërmend t’ju gënjej. As vetë nuk e kuptoj si u ndodha bosh në atë rast.
Duke thënë këto fjalë, Prenga uli zërin dhe kokën.
— A e di se është faj i rëndë të krijosh marrëdhënie të tilla me të burgosurit politikë, armiqtë e betuar të partisë sonë? Lere si çështje ndërgjegjeje, por edhe materialisht familjes tënde ia siguron mirëqenien partia, jo armiqtë e saj.
— Nuk di ç’të them, shoku shef; më vjen ndot nga vetja. Veç për një gjë duhet të më besoni: armiqtë e partisë i urrej njësoj sikur të ishin armiqtë e familjes sime. Vërtet i dhashë cigare në një moment dobësie atij të burgosuri politik, por kjo nuk do të më pengonte fare t’i jepja plumbin ballit të njëjtit person, po ta kërkonin interesat e partisë. Ajo nuk ishte shenjë kompromisi me të, por dobësi personale për shkak të normave tona zakonore. Me këtë nuk dua të justifikohem, por të shpjegohem. E meritoj çdo masë ndëshkimore nga ana juaj.
— Jo, Preng, jo; nuk na mëson kështu partia. Ajo flet me gjuhën e ndëshkimeve kundër armiqve, por jo me ata që i kanë shërbyer e i shërbejnë me besnikëri. Vërtet ti ke gabuar rëndë, duke krijuar marrëdhënie të dënueshme me një të burgosur politik, por partia nuk i flak tutje njerëzit e saj, të cilët i kanë dhënë prova se e duan. Faji mbetet faj, por kuadrot me partishmëri si ti kanë mundësi ta kompensojnë atë me punën e tyre në të ardhmen. Unë mendoj ta mbyllim midis nesh këtë çështje, në qoftë se do të zotohesh se në të ardhmen do t’i shtosh përpjekjet për vigjilencë revolucionare në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me mua.
— Nuk e shpreh dot me fjalë atë që ndiej në këto çaste, shoku shef. Kam pesë fëmijë dhe ju po bëheni shpëtimtari i tyre, duke më krijuar mundësinë të shërbej përsëri. E kam për nder të bashkëpunoj drejtpërdrejt me ju dhe jam gati të bëj gjithçka të mundur, për të fituar besimin tuaj. Edhe një fëmijë do t’ia falja partisë, po të kishte nevojë për fli.
—Partia i zgjedh flitë nga radhët e armiqve, jo të njerëzve të saj. Ai që groposët sot ishte një fli i mirë për partinë, ndërsa fëmijët e tu do të bëhen ushtarë besnikë të saj. Babai i tyre do t’iu flasë edhe për gabimet e tij të falur prej partisë, duke i porositur që ata vetë të mos gabojnë.
— Do t’i edukoj më tepër me shembulli tim në të ardhmen, sesa me fjalë. Nuk jam i zoti i gojës, por nuk do të lodhem së luftuari për interesat e partisë.
— Interesat e partisë janë thjesht interesat e njerëzve të saj, Preng. Kush i shërben me devotshmëri partisë, i shërben të ardhmes së tij e të familjes së tij.
— Puna ime në të ardhmen do ta tregojë më së miri sesa shumë e kam ndier fajin e kryer.
— E di, Preng, e di; prandaj flas i qetë me ty. Në rast se do të dyshoja në ndërgjegjen tënde, nuk do të t’i hidhja dot sytë e nuk do ta zgjasja fare bisedën. Ashtu siç ke ti nevojë të tregosh gatishmërinë tënde revolucionare në shërbim, ashtu ka nevojë edhe partia për shërbimin tënd të ndërgjegjshëm. Unë do të ofroj një mundësi më të madhe nga sa mendon ti, për ta treguar gatishmërinë tënde.
— Vetëm flisni, shoku shef. Pres me padurim ta njoh detyrën time në bashkëpunim me ju, krahas shërbimit të përditshëm.
— Duhet ta dish, Preng, se një prej parimeve bazë të partisë sonë është: beso e kontrollo. Prandaj nuk duhet të habitesh për misionin e veçantë që po të besoj. Në përgjithësi ti ke shërbyer tek të burgosurit ordinerë. Atje do të vazhdosh përsëri. Muajin e kaluar aty kanë sjellë ish-nënkryetarin e Komitetit Ekzekutiv të një rrethi të Shqipërisë së Mesme, i cili është dënuar 8 vjet burg për shpërdorim detyre dhe përvetësim pasurie. Zëvendëskomisari i kampit e ka baxhanak atë person. Më kanë informuar se para dhjetë ditësh janë takuar dhe kanë ndenjur bashkë gjysmë ore. Ti do ta kesh për detyrë t’i ndjekësh me shumë vëmendje lëvizjet dhe bisedat e tyre, sa herë që do të takohen me njëri-tjetrin. Misioni do të vlerësohet plotësisht i realizuar, po arrite të dëgjosh pjesë të bisedave midis tyre. Mos mbaj asnjë shënim dhe përpiqu të mos biesh në sy të zëvendëskomisarit. Informacionin që do të arrish të vjelësh do të ma bësh të ditur verbalisht vetëm mua.
«Së dyti, groposjen që bëtë sot duhet ta mbulojë harresa, siç u mbulua me dhé vetë Grami. Për këtë arsye duhet ta mbikëqyrësh nga larg vendin ku ndodhet, se mos interesohet ndokush për të. Për çdo informacion duhet të kontaktosh personalisht mua. Asnjëra prej këtyre detyrave nuk është e vështirë për ty.
— Sa më të vështira të ishin, aq më shumë do të më lehtësonin në ndërgjegje për veprimin e shëmtuar që kam kryer.
— Harroje atë, Preng, siç do ta harroj unë vetë. Ja, letrën me atë informacion po e fus në sobë. Tani na piq gështenjat që janë në këtë qeskë dhe të ndërrojmë bisedë.
I ngazëllyer prej gjuhës konfidenciale të shef Paskalit, polici nxitoi t’i,çonte gështenjat mbi sobë. Pas pak njëra prej tyre kërciti fort dhe u rrëzua mbi dysheme.
— Ja, kështu, si kjo gështenjë pëlcasin armiqtë tanë, kur ne e gjejmë fjalën midis nesh për të mirën e përbashkët, i tha operativi buzagaz Prengës që filloi të qëronte gështenjat e pjekura.
Një çerek ore më vonë ai doli nga zyra, pasi u përshëndet përzemërsisht me shef Paskalin. Ky e përcolli deri jashtë. Tek po e ndiqte me sy policin
rrondokop që po largohej duke u lëkundur, operativi belbëzoi:
— Frika e tkurr njeriun si finja pëlhurën e re.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0