Për librin
Në këtë shekull trazirash vendin ku e ke, o i urti libër, ku shkrihen elementet puthitur në shekuj nga i artistit vështrim? Mbrëmje mjegulltë nga ato letra nuk do na ndrijë në ujërat e qeta si në prozën e Konradit, qielli s’do të flasë as me korin e Faustit...
Czeslaw Milosz (Nobel, 1980)
Në të çuditshmen armiqësoren kohë jetonim
Atëherë kur mbi krye predhat na këndonin
dhe vitet kobzinj si shrapnela që shkallmojnë
atyre që luftë s’panë tmerrin u mësojnë.
Me zjarr javë të tëra, me flakë zhuritur
punonim rëndshëm për bukë të uritur.
Këto çudi mbi tokë si të një bote tjetër
pa vënë gjumë në sy, trishtuar ne krejt,
shihnim nga dritaret atë natë të errët
kope zezelinash mos turreshin drejt nesh,
mos u shpërthente kontinenteve një i ri sinjal
ndaj, këqyrnim në pasqyrë, mos na shfaqej në ballë
një vuratë, si shenjë, që tashmë ishim dënuar.
S’mjaftonte të mashtroje me fjalë të kulluar,
për të përjetshmin patos të gjithë kësaj bote,
se ish ditë apokalipsi, e stuhive epoke,
rrënuan ish-shtete, kryeqytetet e dehur
vërtiteshin rreth boshtit nën qiellin e vrenjtur.
Në këtë shekull trazirash vendin ku e ke,
o i urti libër, ku shkrihen elementet
puthitur në shekuj nga i artistit vështrim?
Mbrëmje mjegulltë nga ato letra nuk do na ndrijë
në ujërat e qeta si në prozën e Konradit,
qielli s’do të flasë as me korin e Faustit,
ballin këngë e Hafizit që s’dëgjohet përkund
s’do ta prekte me acar, asnjë krye s’do përkundte,
të rreptat ligje historie as Norwidi s’i zbulon
se ato një tis i kuq tejendanë i mbulon.
Shqetësuar, të verbër besnik të epokës prore,
diku larg po shtegtojmë, por mbi ne tetori
siç valëvitet flamuri ai gjethet fëshfërin.
S’i afrohemi livadhit, se dënimin e dimë,
që koha u jep gjithëve ç’janë dashuruar
me realitetin, nga zhurmë metali shurdhuar.
Pra, lavdinë na është dhënë ta stisim – pa emër
si klithmë lamtumire e ikanakëve – në të errët.
Wilno, 1934
Përkthyer nga Pandeli Çina
Comments (0 posted)
Post your comment