* * *
Një shpërthim eksplozivi shurdhues ndërpreu bashkëbisedimin. Instinktivisht të gjithë u strukën në një ort të shkurtër që vazhdonte majtas. Marteli heshti.
Nga Agim Hamiti
— Shumë vagonë mineral po dalin sot, i tha Servetit njëri prej shokëve të punës. – Nuk po na lënë të mbushemi me frymë.
— Ka hyrë komandanti i kampit me një skuadër policësh në minierë. Megjithatë ky ritëm i lartë pune nuk do të zgjasë shumë. Në mesditë shumica e fronteve të punës e mbarojnë së hequri materialin dhe merren me vendosjen e trupave. Minatorët duhet të bëjnë birat për përgatitjen e materialit të turnit të dytë.
— Ndoshta do të kemi kohë të lirë atëherë, për të ngrënë ndonjë kafshatë bukë nga e mëngjesit. Të ka marrë uria ty?
— Jo, unë e ha rregullisht mëngjesin dhe ndiej uri vetëm pas orës dy pasdite. Sidoqoftë, në këtë lloj pune koha kalon më mirë se në kamp.
— Do të ishe dakord ti të vazhdonim të punonim këtu bashkë edhe pas muajit dhjetor?
— Me shumë dëshirë. Me ty unë i shkarkoj pa problem vagonët me mineral.
Ata ishin duke shkarkuar një vagon në bunker, kur atje shkoi me nxitim njëri prej policëve.
— Mos e shkarkoni krejt vagonin, i urdhëroi ai. – Materialin e mbetur e lini në të. Dy kërcunjtë që nxorët prej vagonit i vendosni në të përsëri dhe vagonin e spostoni deri në fund të shinave. Duhet ta gjejmë patjetër prej cilit front pune ka dalë ky vagon dhe kush e ka bërë punën sabotuese, duke futur kërcunj brenda. Ne duam të nxjerrim mineral nga miniera, jo kërcunj. Herë tjetër ju do të mbani përgjegjësi, po nuk na raportuat për veprime të tilla.
Serveti me ortakun e tij zbatuan urdhrin e policit dhe vazhduan shkarkimin e vagonëve të tjerë. Në mesditë ritmi i punës ra dhe ata patën kohë të ndiznin një zjarr të vogël, për të ngrohur duart. Kur dy ortakët e tij të punës vendosën fetat e bukës anës zjarrit për t’i thekur, Serveti u çua në këmbë.
— Do të largohem pak për nevoja personale. Po dolën përsëri vagonë me mineral, nuk do ta keni problem t’i shkarkoni vetëm, besoj.
— Ik pa merak. Ne jemi dy dhe i shkarkojmë kollaj vagonët e rrallë që mund të dalin.
*
Atë ditë komandanti i kampit vizitoi pjesën më të madhe të fronteve të punës në minierë. I veshur me një palë kominoshe blu, çizme llastiku, kapelën plastike në kokë dhe llambën e karbitit në dorë, ai interesohej të dinte se cilët
të burgosur përbënin grupin e punës, para se të ngjitej në secilin front pune. Skuadrës së policëve shoqërues i ishin bashkangjitur inxhinieri i asaj zone të minierës, dy brigadierë të lirë dhe tre policë të turnit të parë.
— Minatori i grupit të punës ku do të shkojmë tani ka qenë oficer, njëri prej vagonistëve ka punuar shofer në MP të Jashtme, kurse tjetri gazetar, e sqaroi komandantin polici i asaj brigade.
— Janë dënuar rëndë?
— Të tre për agjitacion e propagandë. Njëri me maksimumin e nenit, 10 vjet, se është përsëritës.
— Cili prej tyre?
— Ish-gazetari.
— Ngjitemi, urdhëroi komandanti.
Njëri prej policëve filloi të godiste me gur tubin e ajrimit.
— Pse e bëni këtë? pyeti komandanti kureshtar.
— Për t’i lajmëruar se dikush do të ngjitet nëpër shkallë. Ndërkohë që ne do të ngjitemi, ata duhet të bëjnë kujdes të mos shkarkojnë ndonjë vagon me mineral në furnel. Normalisht, ne nuk duhet ta fillojmë ngjitjen pa na u kundërpërgjigjur ata me të njëjtin sinjal. Përndryshe të burgosurit mund të shkarkojnë qëllimisht vagonin mbi ne, duke u justifikuar se nuk dinin gjë që kishte njerëz nëpër shkallë.
Ndërkohë u dëgjuan kumbimet e tubit që vinin prej së larti. Ata e kishin rrugën të lirë. Të parët e filluan ngjitjen policët e punës, mandej grupi shoqërues dhe në fund komandanti me personelin e lirë të shfrytëzimit të minierës. Ata u bashkuan të gjithë në krye të furnelit dhe u drejtuan për në frontin e punës. Ky ishte mbi 100 m në thellësi. Minatori kishte filluar të bënte birat në ballë të frontit me martel, zhurma monotone e të cilit dëgjohej qartë. Si ecën ca në drejtim të zhurmës së martelit, atyre iu vështirësua frymëmarrja prej pluhurit.
— Nuk duhet shkuar më tutje, komandant, sugjeroi polici i punës. – Më tej pluhuri i krijuar prej martelit dendësohet së tepërmi e bëhet i padurueshëm.
— Na çoni tek dy punëtorët e tjerë të grupit, atëherë, ndryshoi plan komandanti – Ose, më mirë, i gjeni ata dhe na i sillni pak më tej, ku nuk ka pluhur.
Pas pesë minutash, dy vagonistët u paraqitën tek grupi i vizitorëve.
— Nga je ti? e pyeti komandanti njërin prej tyre.
— Nga Elbasani.
— Përse je dënuar?
— Agjitacion.
— Sa vjet?
— Shtatë.
— Sa ke bërë?
— Dy e gjysmë.
— Po ti,tjetri, sa vjet je dënuar?
— Dhjetë.
— Sa ke bërë?
— Dhjetë.
— Dhe sa ke akoma?
— Dhjetë.
— Nuk kam qejf të luaj kungulleshka me ty; po të pyes për dënimin.
— Kur s’keni qejf ju për të luajtur, po unë? Kungulleshka luajnë me jetën tonë ata që paguhen për këtë punë: hetuesit e gjykatësit. Ata më riarrestuan në burg një muaj pra plotësimit të dekadës së parë dhe unë tani sapo kam filluar të dytën.
— Nga je?
— Nga Tir…
Një shpërthim eksplozivi shurdhues ndërpreu bashkëbisedimin. Instinktivisht të gjithë u strukën në një ort të shkurtër që vazhdonte majtas. Marteli heshti.
— Barramina e martelit ka takuar në ndonjë kallëp dinamiti me kapsollë të paplasur, tha njëri prej vagonistëve. – Eja të shkojmë atje shpejt, se minatori është në rrezik, i tha shokut të tij i burgosuri nga Elbasani.
— Të largohemi menjëherë prej këtej! Nuk po marrim vesh ç’ka ndodhur, propozoi njëri prej policëve të turnit të parë.
Ata filluan të zbrisnin shkallët me të shpejt.
Dy shokët e grupit të punës e gjetën minatorin të shtrirë përtokë e të përgjakur. Marteli, me barraminë të këputur, ishte flakur prej shpërthimit disa metra më tej.
— Është dëmtuar rëndë, nuk po përmendet. Duhet ta nxjerrim jashtë sa më parë, i dhanë karar dy vagonistët.
*
Comments (0 posted)
Post your comment