Portreti
Duke punuar, kërcente si djalli vetë. Kindat e xhybes së tij fluturonin si flatra të kuqe. Drita e prozhektorit shkëlqente si një rreth i zjarrtë, përqark kafkës së tij tullace. Furça i kërcente në dorë si ndonjë mashë. Ra sahati. Kërciti karrigia.
Henri Troyat
Zoti Bogas krenohej shumë me ofiqin e tij si kryetar i bashkisë së lokalitetit dhe ëndërronte të ngjitej lart në hierarkinë zyrtare. Një ditë mori një ftesë nga një zgjedhës me influencë. Oskar Malvuazeni e priti zotin Bogas i veshur me një xhybe bojë mjedre, plot me yje të vegjël, të alternuar, me figura që paraqisnin gjuhëza flake. Në këndin e sallonit të pritjes ishte një tryezë, ku qe shtruar darka për një njeri të vetëm.
- Uluni dhe hani, - tha Oskar Malvuazeni.
- Po ju?
- Unë nuk kam uri. Dhe është marrëzi të hajë njeriu, kur nuk ka uri. Mund të më vijë oreksi pas një ore, .apo jo? Atëhere do të jap urdhër të më sjellin një krah zogu të fërguar. Po mund të mos më vijë për të ngrënë, gjer nesër në mëngjes. Atëhere përse t'i hedh barkut? Por ju nuk duhet të rrini pa ngrënë për qejfin tim. Nga ana tjetër, mua më pëlqen të flas, dhe të flasësh ë, në të njëjtën kohë, të hash, është e pamundur; veç kësaj, mua nuk më pëlqen të më ndërpresin fjalën, dhe sa kohë që ju do të jeni i zënë duke ngrënë bukë, nuk do t'ju vejë ndër mend të më përgjigjeni. Kështu që gjithsh¬ka shkon për bukuri.
- Si të doni, - belbëzoi kryetari i bashkisë.
Oskar Malvuazeni rrahu shuplakat. Zoti Bogas u ul me kujdes në fron dhe filloi të përtypte ca mish zogu të egër, që ia serviri një shërbëtor me dorëza të bardha. Ndërkaq, Oskar Malvuazeni shkonte e vinte nga një qoshe e sallonit tek tjetra, me atë xhyben e tij ngjyrë mjedre.
- Unë vendosa të ngulem këtu, në këto viset tuaja - tha ai, më së fundi, - për arsye se më pëlqen vetmia, ajri i freskët dhe drita e gjallë e diellit. Unë jam piktor.
- Ashtu, ashtu! - ia bëri zoti Bogas. Oskar Malvuazeni buzëqeshi si me djallëzi.
- Mua më vjen mirë që ju nuk e keni kokën të rënduar nga njohurit të tepërta dhe prandaj jeni i lirë si një fëmijë në buzë të detit, - tha ai. - Piktorët që keni takuar deri tani, mund të kishin shtrembëruar përfytyrimin tuaj mbi artin. Vetëm unë jam në gjëndje t'iu tërheq, t'iu magjeps. Vetëm unë, s'ka!...
Ai ngriti gishtin nga tavani dhe rrumbullakoi gojën, sikur po matej të nxirrte një bërthamë ulliri. Zoti Bogas filloi të shqetësohej. Kontornoja e gjellës po ia frynte stomakun, dhe ai tha si i menduar:
- Po, është e vërtetë se, po e vuri njeriun në dorë piktura, nuk ka si të shkëputet më. Edhe unë kam njohur një mjeshtër peisazhesh detare, që rrinte duke pikturuar, gjatë gjithë rrugës, vela të kuq në sfondin e një deti të kaltër.
Oskar Malvuazeni rrudhi buzët dhe ia krisi gazit, duke thënë:
- Piktura për të cilën flisni ju nuk është art. Kjo është një gjë, me të cilën merren njerëzit pa talent, që kopjojnë anën e jashtme, bukurinë e sendeve, dhe që harrojnë gjënë kryesore.
- Gjënë kryesore? - pyeti zoti Bogas, duke njomur tulin e bufkës në salcë. .
- Sigurisht! - thirri Malvuazeni. - Pa më thoni, zoti kryetar i bashkisë, ç'gjë quani ju si kryesore në veten tuaj: trupin apo shpirtin?
Zoti Bogas, i zënë në befasi, ndenji i menduar, pa ditur si të përgjigjej. Oskar Malvuazeni i rrahu pak supin:
- Natyrisht, shpirtin, dreqi e mori!
- Ashtu vërtet, dreqi e mori! - ia vërtetoi fjalën kryetari i bashkisë - Po ai piktori që njihnit ju, në rast se do të bënte portretin tuaj, do të kopjonte me kujdes mbulesën tuaj trupore.
Kjo shprehja e fundit sikur nuk i pëlqeu zotit Bogas. Atij nuk ia kish përmendur kurrë, gjer atëhere, ndonjë njeri mbulesën e tij trupore.
- Kurse unë, - vazhdoi Oskar Malvuazeni, - unë pikturoj shpirtrat. Kur qëndroj përpara modelit, shikoj, si të thuash, me një palë sy të tjerë, dhe shoh diçka më shumë se lëkurën, kockat dhe flokët. Unë shoh diçka më shumë se ajo që preket dhe shihet me sy. Shoh përtej çastit të tanishëm. Dhe personi që del në tablonë time, vetëkuptohet, nuk të jep pamjen vulgare të natyrës, por të shpreh me saktësi thelbin e saj, kuptoni?
- Po, - tha zoti Bogas, duke dashur të mos e zgjaste.
- Atëhere, a jeni dakord të pozoni para meje?
- Unë, të them të drejtën...
Oskar Malvuazeni i ra ziles. Hynë dy shërbëtorë dhe hoqën tryezën. Zoti Bogas u gjend menjëherë në një kolltuk me rrota dhe fytyra e tij rrihej tani nga një dritë e fortë, verbuese.
- Unë dua, - tha Oskar Malvuazeni, - të zbukuroj muret e studios sime me një afresk madhështor. Në të gjithë sallonin, nuk ka për të mbetur asnjë qoshe e papikturuar. Dhe në një vend të dukshëm kam ndër mënd t'iu vendos juve.
- A është e domosdoshme kjo? - pyeti zoti Bogas.
- Ju nuk e pranoni propozimin tim?
- Jo, si jo... Një nder i tillë... por a nuk iu duket se në pozitën time...
Françesku i pozonte përpara Kluesë, Napoleoni pozonte para Davidit, Alberti Lebrenit...
- E dl, e di, - u nxitua të thotë zoti Bogas. - Po ju çfarë kini në mend të pikturoni? - Shpirtin tuaj.
- Ashtu, eh... Po është e lejueshme kjo?
- Ju keni frikë? .
Zoti Bogas vështroi rreth e rrotull si i trembur.
- Jo, jo... Unë jam gati.
- Seanca do të jetë e shkurtër. Një orë, jo më shumë. Zhorzh, më sill furçat dhe lapsat...
Djali i solli ato, dhe Oskar Malvuazeni filloi portretin e kryetarit të bashkisë, shpirti i të cilit kish për të stolisur një panel të madh në fund të sallonit. Drita e fortë e një llambe prozhektori nuk e linte zotin Bogas të ndiqte lëvizjet që bënte furça në murin e bardhë. Ai shihte vetëm se Oskar Malvuazeni herë afrohej atje, herë largohej me një të kërcyer, dhe përsëri zgjaste për të drejtuar vijën, dhe hidhej në vend, duke hapur kësisoj xhyben e tij luksoze. Nganjëherë piktori qasej fare pranë, duke prekur pothuaj pozonjësin, pastaj vinte duart mbi supet e këtij dhe ngulte një vështrim të thellë në bebëzat e syve të kryetarit të bashkisë, bebëza të mëdha, që dukej sikur ishin përlotur nga brengosja.
Zoti Bogas po mendonte me maraz për shtëpinë e tij. ku e priste e shoqja me të dy fëmijët. Ai e ndjente veten sikur ish zhveshur lakuriq, sikur ish poshtëruar dhe turpëruar nga ai njeri i çuditshëm, i pasjellshëm.
- Zoti... zoti Malvuazen - tha me gjysmë zëri, - tani u lodha.
- Tralala! - ia preu fjalën Malvuazeni.
Ai kapi furçat dhe filloi të hiqte disa penelata të mëdha mbi murin e bardhë. Duke punuar, kërcente si djalli vetë. Kindat e xhybes së tij fluturonin si flatra të kuqe. Drita e prozhektorit shkëlqente si një rreth i zjarrtë, përqark kafkës së tij tullace. Furça i kërcente në dorë si ndonjë mashë. Ra sahati. Kërciti karrigia.
- Edhe pak, - tha Malvuazeni. - Sikur ta dinit ç'pamje keni marrë në figurë, do të më luteshit vetë të vazhdoj punën. O, çfarë lehtësi gishtash, çfarë mprehtësi syri! Pak durim! Durim! Ju do të habiteni dhe do lypni ndjesë që u treguat i paduruar.
Aty nga ora dy pas mesnate, ai i hodhi furçat mënjanë dhe fshiu fytyrën me një shami të hollë mëndafshi.
- Pa ejani këtu, - tha Malvuazeni.
Ai e mori për krahu dhe e çoi tek paneli. Pastaj ktheu prozhektorin dhe klithi gjithë gëzim:
- Kam nderin t'iu paraqes zotin Bogas, kryetarin e bashkisë së lokalitetit Terra-Le-Flo!
Zoti Bogas hapi gojën dhe ndjeu sikur do të binte për tokë.
Nga muri i pikturuar dukej sikur po e vështronte një turi shtaze ngjyrë vjollce, me ca sy që kullonin gjak. Një tufë flokësh të kuqërreshtë i prisnin ballin. Buzët ishin shtrembëruar në një ngërdheshje të shëmtuar.
- Po ky... ky nuk jam unë, - tha duke rënkuar zoti Bogas.
Është e vërtetë se zoti Bogas nuk e hiqte veten për të bukur. Ai e dinte që kishte ballë të ulët, të shtypur, fytyrë të kuqërreshtë dhe ca mustaqe që i vareshin anash, Por këto të meta të vogla nuk sajonin në asnjë mënyrë tipare të atilla, të neveritshme, që i kish falur i zoti i shtëpisë.
- Pres ta vlerësoni vetë, - tha Oskar Malvuazeni, me një shkujdesje të paturpshme, - Si ju duket? Nuk e njihni veten këtu?
- Jo, zotni!
Dhe ai mbërtheu xhaketën për të treguar se e ndjente veten të fyer.
- Medet! - vijoi Malvuazeni, - Unë mund t'iu siguroj se këtu ka një ngjashmëri absolute. Natyrisht, unë nuk kisha ndër mend të paraqisja mbulesën tuaj trupore...
Prapë ajo mbulesa trupore Zoti Bogas mendoi se ishte bash koha për t'u zemëruar seriozisht.
- Unë iu ndaloj të diskutoni mbulesën time trupore! - bërtiti ai.
- Atëhere, le të flasim për anën tuaj shpirtërore.
Shpirti juaj më është shfaqur në një farë ndriçimi hipnotik...
Zoti Bogas u skuq, u bë flakë, Ai mori, për një çast, pikërisht, pamjen e portretit. Dhe nisi të ulërinte:
- Zotni! Në emër të republikës, kërkoj të respektoni ofiqin tim dhe ngul këmbë që ju ta fshini menjëherë këtë figurë të shëmtuar dhe të lypni ndjesë!
Pa u turbulluar fare, Oskar Malvuazeni zuri përsëri të fishkëllente me zë të ulët dhe iu afrua veprës së vet. Zoti Bogas po e ndiqte me vëmendje dhe pa se piktori e ngjeu furçën në një bojë të verdhë kanarine. Pastaj hoqi në mur një penelatë të lehtë. Dhe nën portretin llahtarshëm u duk mbishkrimi: «Shpirti i zotit Bogas, kryetarit të bashkisë së lokalitetit Terra-le-Flo”.
- Ju jeni një zuzar i fëlliqur! - bërtiti Bogasi.
- Më pas, më pas do të shfaqni mendimin tuaj, - e ndërpreu Oskari.
Dhe ai hapi derën, duke e lënë të dilte kryetarin e bashkisë, që ish bërë si i xhindosur dhe tundte krahët, duke u betuar se do ta bënte çështje në gazetat, do të urdhëronte të bëheshin hetime nga ana e policisë dhe do t'i paraqiste një raport prefektit.
Përkthyer nga Eqrem Biba
Comments (0 posted)
Post your comment