Latest News
Yukio Mishima, një Nobel i munguar
Ëndrra e tij është për një Japoni tradicionale, jashtë botës teknike e cila ka filluar të shtrijë kthetrat e saj gjithandej.
Nga Urim Nerguti
Përkthyes
Para pak ditësh, lexuesi shqiptar ka marrë në dorë, nëpërmjet Shtëpisë Botuese "Tirana Times", vëllimin me novela të njërit prej shkrimtarëve më të mëdhenj të shekullit të XX-të, Yukio Mishima. Duke qenë se Letërsia Japoneze është mjaft pak e njohur ndër lexuesit shqiptarë, është e udhës, dhe madje e ngutshme, që të flasim pak mbi këtë letërsi, duke thënë dy fjalë mbi Mishimën dhe vëllimin në fjalë.
Nëse Marcel Proust mendonte, përkundër Sainte-Beuve, se vepra e një autori duhet ndarë nga jeta e tij, rasti i Mishimës është një përgënjeshtrim i gjallë i kësaj teorie. Nuk mund ta studiosh veprën e Mishimas pa ndërmarrë anash dhe studimin e jetës së tij. Aq më tepër që jeta e Mishimas është një vepër "letrare" më vete.
Yukio Mishima, me emrin e vërtetë Kimitake Hiraoka, rrjedh nga një familje fshatarësh. Lindur më 1925, ai do ta kalojë pothuaj tërë fëmijërinë e tij të hershme tek gjyshja, e cila vinte nga një familje samurajsh. Fëmijë i ndrojtur, disi i feminizuar, ai nuk merr pjesë në asnjë veprimtari shkollore, nga frika e gjyshes. Ajo e ndalonte të mos merrej me sport, madje as të dilte në diell. Mendohet se prirjet e tij drejt vdekjes dhe teprimit kanë ardhur si rrjedhojë e këtyre viteve me gjyshen, e cila ishte tepër nevrike si pasojë e vuajtjeve nga nervi shiatik. Megjithatë, kur Mishima është tashmë 12 vjeç, ajo pranon ta rikthejë më në fund tek prindërit e tij, dhe vdes dy vjet më vonë, më 1939. Në shtëpi, prindërit kanë dy qëndrime të kundërta. I ati, një njeri i vrazhdë, i mësuar me disiplinën ushtarake, bën kontrolle të befta në dhomën e të birit dhe ia gris shkrimet e gjetura. Ai nuk do kurrsesi që i biri të merret me letërsi, si një profesion për njerëz të dobët, dhe e detyron të mësojë gjermanishten. Duhet thënë se i ati kishte pikëpamje naziste. Ndërsa e ëma, e përkrah dhe e mbështet në përpjekjet e tij për të shkruar.
Më 1944, ai mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera, duke u dekoruar nga vetë dora e perandorit, një takim i cili do ta shënojë përjetë. Po atë vit, ai boton romanin e parë Pylli i tëri në lule, ku dhe merr pseudonimin Yukio Mishima. Gjatë Luftës së Dytë botërore, arrin të mos shkojë në front, duke pretenduar se vuan nga tuberkulozi. Megjithatë, ai do të vuajë nga kjo, nga humbja e rastit për të pasur një vdekje heroike. Më 1947, diplomohet në Universitetin e Tokios dhe punësohet në Ministrinë e Financave. Megjithatë, i ati e lejon të merret me shkrime për një vit, por më pas, ai e kupton që i biri do të jetë një shkrimtar. Gjatë kësaj kohe, njihet dhe me Yasunari Kawabata, Nobelistin e ardhshëm (1968).
Vazhdon kështu seria e shkrimeve të tij, një krijimtari e pasur ku do të bien përnjëherë në sy temat e tij të zakonshme : kulti i trupit, i bukurisë, i luksit. Por bukurinë trupore ai e shihte të lidhur gjithmonë me bukurinë shpirtërore. Megjithatë, në këtë kult të bukurisë trupore, duhen parë dhe prirjet e tij homoseksuale të cilat ai i kishte shfaqur që në shkollë. Romanet e tij priten mjaft mirë në Europë dhe në SHBA-ës. Ndihet në ajër dhe mundësia e një Çmimi Nobel të ardhshëm.
Përsa i përket jetës së tij vetjake, ai fillon të merret me arte marciale dhe bëhet një ekspert i kendos. Trupi i tij fiton atë bukurinë e kënduar aq shumë nëpër shkrimet e tij, dhe këtë trup do ta mbajë deri në vdekje, më 1970. Në të njëjtën kohë, fillon të shëtisë nëpër bare homoseksualësh, ku flitet se ka pasur ca lidhje me të huaj që kalonin nëpër Japoni. Megjithatë, pasi mendon të lidhet me Shoda Michiko, e cila më pas u bë gruaja e perandorit Akihito, ai martohet përfundimisht me Yoko Sugiyama, me të cilën do të ketë dy fëmijë, vajzë e djalë.
Në vitet ‘60, ai do të shpalosë gjithnjë e më tepër pasione nacionaliste. Ëndrra e tij është për një Japoni tradicionale, jashtë botës teknike e cila ka filluar të shtrijë kthetrat e saj gjithandej. Është pikërisht në këtë kohë që ai shkruan novelën "Patriotizëm", të përfshirë në këtë botim të pranishëm, ku tregon vetëvrasjen e një çifti të ri për atdhe dhe nder. Përballë opinioneve të tij nacionaliste, vetë shkrimtari Kenzaburo Oe, më vonë Çmim Nobel 1994, ndërmerr shkrimin e një libri të titulluar "17", në të cilin ai mbron një qëndrim krejt të kundërt me atë të Mishimës. Por kjo i pëlqen Mishimës, si provokues që është. Madje ai nuk do të ngurojë të shkojë vetë në Universitetin e Tokios për të folur përpara studentëve komunistë. Më 1968, themelon "Shoqërinë e Mburojës", një lloj milicie private në mbrojtje të perandorit. Betimi që duhet të bënin shokët e tij, ishte : Ne betohemi në shpirtin e burrave të vërtetë të Yamatos se do të ngrihemi me shpatë në dorë kundër çdo kërcënimi ndaj kulturës apo trashëgimisë sonë.
Dhe nisur nga fundi i vitit 1969, ai fillon të organizojë planin e vetëvrasjes. I tillë si një Samuraj i cili nuk duhet të lerë asgjë pas vetes, Mishima fillon të përgatisë testamentin, duke iu lënë fëmijëve të drejtat e autorit, dhe iu bën vizita miqve dhe shokëve të vet, pa rënë në sy. Dhe më 25 Nëntor 1970, gjithçka është gati.
Pasi ka nënshkruar po atë ditë veprën e fundit të tij, romanin Engjëlli në kalbje, pjesë e veprës së tij Deti i shterpësisë, të përbërë prej katër romanesh, ai ngrihet dhe hidhet në veprim. Ngjarja do të jetë e rrallë dhe e padëgjuar më parë.
Më 25 Nëntor 1970, në orën njëmbëdhjetë të mëngjesit, së bashku me tre shokë të tij, ai hyn në zyrat qendrore të ushtrisë në Tokio dhe kërkon të flasë me gjeneral Matsuda. Thuhet se i ati i tij, kur e ka parë Mishimën duke dalë nga shtëpia me dy shpata në brez, ka thënë : "Do të më duhet përsëri të ndërhyj me policinë sepse ky kushedi ç’marrëzira do të bëjë ende". Mishima mbante me vete një shpatë të stolisur në shekullin e shtatëmbëdhjetë për t’ia treguar gjeneralit Matsuda ; motivi i vërtetë ishte për ta mashtruar këtë të fundit dhe për ta kapur peng. Duke nxjerrë pretekst nxjerrjen e një shamie për të fshirë tehun, njëri nga shokët e tij duhet të lidhte gjeneralin… por gjenerali u ngrit vetë për ta kërkuar këtë shami, çka kjo bëri që të gjitha planet e bandës fluturuan në erë. Pas disa goditjesh të rrëmujshme, gjenerali ishte lidhur ; ushtarët, të lajmëruar nga zhurma, përpiqen të hyjnë brenda ; Mishima pret dorën e njërit prej tyre dhe plagos disa të tjerë, çka kjo bën që ushtarët të tërhiqen.
Mishima, ushtarët e tij, dhe gjenerali janë vetëm për vetëm. Mishima përgatitet të dalë në ballkon, gjoksin hapur dhe në ballë një shirit me moton e samurajve : "shërbe kombin gjatë shtatë jetëve". Ai dëshiron t’iu flasë ushtarëve që presin poshtë. Më në fund del në ballkon dhe fillon të flasë për rikthimin në vlerat e vjetra të Japonisë. Mirëpo ushtarët nuk pranojnë ta dëgjojnë, duke e ftuar të zbresë poshtë për t’u marrë vesh ballë për ballë si burrat. Atëherë Mishima kthehet brenda dhe merr shpatën me një gjest që e kishte paramenduar me kohë. Kishte ardhur çasti i takimit me vdekjen, në kulmin e bukurisë së shpirtit dhe trupit të tij ; kjo vdekje që ai e kishte përshkruar në mënyrë aq të gjallë dhe të frikshme në novelën Patriotizëm. Në të vërtetë, Mishima nuk kishte rrugëzgjidhje tjetër : si një njeri i cili e urrente dështimin, dhe duke parë se idetë e tij nuk kishin zënë vend në Japoni, atëherë vdekja ishte një çlirim për të. Por një vdekje e cila për të do të ishte heroike, e bukur. Pas disa minutash të tmerrshme vuajtjeje, me tehun e shpatës në bark, ai rrinte me trupin drejt, duke vazhduar ta ngulë më thellë, derisa njëri prej shokëve të tij shkon t’i presë kokën, sipas ritit seppuku. Kështu ka mbaruar njëri prej shkrimtarëve më të mëdhenj të shekullit të XX-të, Yukio Mishima.
Vëllimi i pranishëm përmban tetë tekste, shtatë novela dhe një pjesë të shkurtër teatri ku ai hedh në letër të gjitha temat e tij kryesore : bukuria, nderi, patriotizmi, Japonia e geishave, tradita, homoseksualizmi, vdekja.
Në pjesën e teatrit, një vajzë e re dëshiron të prishë fytyrën e saj me acid, në kujtim të dashnorit të saj të vdekur. Por plani i saj është ndër më të pabesueshmit, plot kthesa, që lidhet me shitjen e një rafti rrobash…
Në novelën Shtatë Urat, kemi një përshkrim të botës tradicionale të geishave, me ritet e tyre të ceremonisë së çajit, me dëshirat e pashprehura, në një botë tipike të heshtur japoneze, ku lëvizjet kanë të gjitha një domethënie. Geishat, a do t’i kalojnë vallë shtatë urat, duke përmbushur kështu lutjet e heshtura ?...
Novela Patriotizëm, nga ku e ka marrë dhe titullin kjo përmbledhje, është një tekst i cili ka lidhje të drejtpërdrejtë me vdekjen rituale të Mishimës. Dy të rinj, të sapomartuar, vendosin të vrasin veten në mënyrë rituale, për shkak se burri, një ushtarak i bindur, gjendet përpara detyrës të ngrihet kundër shokëve të tij. Por, në ç’mënyrë do të vijë ky vendim kaq i rëndë për të vrarë veten ?... Kjo novelë është një nga tekstet ku bukuria e vdekjes shfaqet më e frikshme se kurrë.
Në novelën Perla, Mishima ndërmerr të na bëjë një vëzhgim të hollë të marrëdhënieve mes katër grash të cilat mblidhen tek një shoqe e tyre e cila ka ditëlindjen. Mirëpo, në pakujdesi ( !) e sipër, një perlë zhduket. Kush ta ketë marrë vallë ?... Fillon atëherë një lojë e hollë dukjesh të qena dhe të paqena, të cilat krijojnë një pasqyrë të këndshme psikologjish të ndryshme.
Në novelën Flutur, këngëtarja e njohur Tamaki Miura, e cila ishte interpretuesja më e mirë e Madam Butterfly të Puçinit, jep koncertin e saj të fundit. Mes dëgjuesve gjendet dhe Kiyohara, të cilit i kujtohet një koncert tjetër, njëzet vjet më parë, në La Scala, ku ai ka qenë i pranishëm bashkë me Hanako, një grua e re. Një novelë ku flitet, në një mënyrë të përkorë, mbi drithërimat e dashurisë…
Novela Luanesha është një nga novelat më tronditëse të vëllimit. Një grua e re ka zbuluar më në fund që i shoqi e tradhton. Ç’do të bëjë ajo ? Nëse dashuria, për të cilën ajo kishte bërë aq sakrifica, vjen të përdhoset kështu nga një bashkëshort i cili duket krejt mospërfillës ndaj vuajtjeve të saj, atëherë ç’formë do të ketë hakmarrja e gruas ?...
Në Martir, Mishima hulumton të fshehtat e homoseksualitetit, të ca ndjenjave ende të turbullta mes disa nxënësish në një fjetore. Mes një përzierje ndjenjash si urrejtja, dëshira, mizoria apo tërheqja, ai jep marrëdhëniet e paqarta të Hatakeyamas dhe Watarit. Por deri ku mund të shkojnë lojërat e tyre ?...
Dhe novela Ken, që do të thotë shpatë, rrëfen për një ekip kendo i cili ka për kapiten Jiron, një njeri i pafjalë dhe enigmatik, e që është ndër më të mirët. Mishima në këtë novelë na jep një paraqitje të përpiktë të asaj çka janë artet marciale, me disiplinën dhe ndershmërinë e tyre. Por nëse kjo ndershmëri, si pasojë e xhelozive dhe garave në mes kolegëve, është cënuar dikund, ç’duhet të bëjë kapiteni Jiro ?...
Këto novela, të përmbledhura në këtë vëllim, do të sjellin edhe një ndriçim më tepër mbi atë çka është letërsia e Yukio Mishimas dhe letërsia japoneze në përgjithësi.
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment