Home | Literature | * * *

* * *

image
— Jo, nuk do t’iu them asgjë. Njëri prej tyre, i arratisur nga Shqipëria më 1945, ma ka hedhur nja dy herë fjalën të martohem me vajzën e tij. Bilé i ka ndërtuar edhe së bijës një vilë afër të tijës dhe, duke qeshur, më ka thënë: «po të duash ti, kjo vilë bëhet e jotja». E di që ai do të më quante të çmendur, po t’i tregoja se dua të kthehem në Shqipëri dhe do të bënte çmos të më pengonte.

 

 

Nga Agim Hamiti

 

 

 

 

 

Disa krisma të befasishme armësh zjarri e prishën atë mbrëmje qetësinë lëngimtare të Spaçit. Jehona e të shtënave vinte prej vendrojave të rrethimit të minierës.

— Oh, rojet vranë dikë prej të burgosurve që punojnë në minierë, i tha shokut të tij një ish-oficer ushtrie tek po shëtisnin në kamp. – Jehona e të shtënave ishte në mish.

— Mjerë kush e paska pasur atë fat të zi, ia ktheu bashkëbiseduesi.

S’vonoi shumë dhe në kamp u përhap lajmi se rojet kishin vrarë Refitin, një

të burgosur nga Librazhdi.

*

Refiti ishte arratisur nga Shqipëria para 12 vjetësh; pikërisht atë javë që i kishte shkuar fletëthirrja për kryerjen e shërbimit ushtarak të detyrueshëm. Pas dhjetë vjetësh mërgimi në Francë, e kishte marrë malli shumë për nënën dhe dy motrat më të vogla që kishte braktisur. Ishte paraqitur në ambasadën shqiptare në Paris dhe kishte takuar vetë ambasadorin. Mbasi i kishte bërë të njohur identitetin dhe shkakun e arratisjes, Refiti i kishte shprehur dëshirën për tu kthyer në Shqipëri.

— Unë isha 18 vjeç e gjysmë dhe më kishte ardhur fletëthirrja për kryerjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Të them të drejtën, atëherë e kisha shumë bezdi uniformën e ushtarit. Për të shpëtuar prej saj, kalova kufirin. Megjithëse u bënë dhjetë vjet që jetoj në Francë, nuk kam krijuar familje. S’kam ndërmend ta kaloj jetën larg nënës, dy motrave dhe vendit tim. Veçse nuk dua të përfundoj në burg. Edhe ashtu unë i ndarë se i ndarë do të jem me nënën e motrat; veç që do të vuaj.

«Kam pyetur disa shqiptarë të arratisur që njoh këtu dhe më kanë thënë se në Shqipëri të burgosin shumë vjet, po të kthehesh nga jashtë shtetit. Prej kësaj frike kam ndenjur deri tani. Sot kam ardhur tek ju për të mësuar të vërtetën. Të dënon ligji shqiptar po të kthehesh nga jashtë shtetit, apo jo?

Ambasadori kishte buzëqeshur gjatë, para se t’i përgjigjej:

— Në radhë të parë të falënderoj për dashurinë që po tregon ndaj atdheut tonë, përfaqësues i të cilit jam unë këtu. Së dyti, të siguroj se ti mund të kthehesh kur të duash në Shqipëri dhe nuk do të të prekë njeri me dorë, veç nënës dhe motrave, të cilat të presin me mall e do të të shtrëngojnë në krahë.

«Në vitin 1957 qeveria shqiptare ka bërë një amnisti të gjerë për të arratisurit, me përjashtime të rralla. Ti përfiton prej kësaj amnistie dhe mund të kthehesh në vendin tënd kur të kesh qejf, pa të hyrë gjemb në këmbë.

— Po shqiptarët e tjerë të arratisur pse më thonë se në Shqipëri të burgosin rëndë, po u ktheve nga jashtë shtetit?

— Refit, mos i mat të gjithë shqiptarët e arratisur me kutin tënd! Një pjesë e tyre janë armiq të betuar dhe nuk pushojnë së vjelli vrer kundër vendit të tyre. Ti je i ri, i padjallëzuar dhe i papërlyer në veprimtari antishqiptare. Nuk duhet ta barazosh veten me ata. Atyre u vjen inat që nuk janë të pastër si ti dhe duan të të pengojnë edhe ty të kthehesh. E shumta që mund të të ndodhë ty në Shqipëri është kryerja me vonesë e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, mbasi ligji përkatës e përjashton shtetasin shqiptar nga kryerja e këtij shërbimi pas moshës 33 vjeç.

— S’prish punë kjo. Jam gati ta kryej shërbimin ushtarak, vetëm të mos më fusin në burg.

— E pse do të të fusin në burg? Pse e do shumë Shqipërinë dhe, për hir të kësaj dashurie, do të kthehesh vullnetarisht në atdheun tënd?

— Kur mund të kthehem?

— Kur të duash; kjo varet vetëm nga ti. Veç ka diçka të vogël që duhet mbajtur parasysh. Ti ke kërkuar strehim politik në Francë dhe qeveria franceze nuk të lejon më të kthehesh në Shqipëri. Për ta kapërcyer këtë vështirësi, do të të ndihmoj unë. Ti duhet të shkosh në Itali, si turist francez. Unë do të flas me ambasadorin tonë në Romë që të të pajisë me vizë hyrjeje për në Shqipëri. Veç nuk duhet të tregohesh i pakujdesshëm e të flasësh për këtë çështje me shqiptarët e tjerë të arratisur, se ata do të përpiqen të të prishin punë pastaj.

— Jo, nuk do t’iu them asgjë. Njëri prej tyre, i arratisur nga Shqipëria më 1945, ma ka hedhur nja dy herë fjalën të martohem me vajzën e tij. Bilé i ka ndërtuar edhe së bijës një vilë afër të tijës dhe, duke qeshur, më ka thënë: «po të duash ti, kjo vilë bëhet e jotja». E di që ai do të më quante të çmendur, po t’i tregoja se dua të kthehem në Shqipëri dhe do të bënte çmos të më pengonte.

— Gjithçka duhet të mbetet midis nesh, derisa të marrësh avionin nga Roma për në Rinas.

Ambasadori dhe Refiti ishin takuar përzemërsisht në ndarje, mbasi kishin caktuar datën e nisjes për në Itali. Kur Refiti po përshkonte entuziast oborrin e ambasadës, ambasadori kishte filluar të qeshte me të madhe, duke mbajtur ijët me duar.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0