Home | Literature | * * *

* * *

image
— Çfarë egërsie shpirtërore! Edhe lopët reagojnë ndaj gjakut, kur theret ndonjëra prej tyre. Sa do ta shijonte ambasadori shqiptar një fetë buke të lyer me gjakun e viktimës së tij në pragun e kësaj mense mjerimi!

 

 

 

Nga Agim Hamiti

 

 

 

 

 

Kjo intrigë kriminale e ambasadorit shqiptar, për të cilën i kishte folur vetë Refiti, iu kujtua Servetit tek po kapërcente pragun e gjakosur të derës së mensës. Me urdhër të komandës së kampit, barela me të cilën ishte transportuar trupi i të vrarit u mbështet në këmbë në anën e sipërme të derës së mensës, ku të burgosurit do të hynin për të ngrënë darkë. Ajo ishte gjithë gjak, i cili, duke kulluar përgjatë barelës, e skuqi hyrjen e mensës. Për të mos shkelur mbi gjakun e bashkëvuajtësit të tyre të vrarë, të burgosurit detyroheshin ta kalonin me një kërcim pragun e derës. Hyrja në mensë u bë e detyruar atë ditë edhe për të burgosur të veçantë, që nuk dëshironin të hanin darkë.

I ulur në një stol nga fundi i mensës, pa vënë gjë në gojë, Serveti mendonte:

— Çfarë egërsie shpirtërore! Edhe lopët reagojnë ndaj gjakut, kur theret ndonjëra prej tyre. Sa do ta shijonte ambasadori shqiptar një fetë buke të lyer me gjakun e viktimës së tij në pragun e kësaj mense mjerimi!

— E vranë Refitin e shkretë! i tha me keqardhje Shpresimi, kur doli Serveti nga mensa.

— Ai vrau veten, gjersa u hodh në tela.

— E si mund t’i kalonte ai dy rrethime aq të lartë telash me gjemba, të bashkuar midis tyre me një rrjetë të tretë telash horizontalë? Ata mund ta kapnin kollaj fare, pa e vrarë.

— Pse, do t’iu dhimbsej vdekja e tij si djalë i ri? Në qoftë se atyre do t’iu vinte keq për ne, nuk do të na trajtonin në këtë mënyrë, pa bërë asgjë. Gjersa

janë të papërgjegjshëm për jetën tonë, përse u dashka të merakosen për vdekjen?

«Ajo që më bën mua përshtypje të keqe është vendosja e barelës së përgjakur tek dera e mensës. Kjo është një gosti shumë çnjerëzore. Të mendosh se ata që do të hyjnë në atë mensë, për të shuar urinë, janë njerëz dhe t’i detyrosh të shkelin mbi gjakun e një njeriu tjetër, kjo është një barbari e pakonceptueshme për krijesa njerëzore të palajthitura prej ideologjisë vrastare. Asnjë pushtues në kohë lufte nuk ia ka lejuar vetes çmenduri të tilla, jo më t’ia imponosh këtë popullit tënd në kushte normale. Ne jemi viktima të një regjimi mizor që nuk respekton as ligjet e tij të ashpër, por i shpall vetëm si fasadë juridike. Ligji është një nga krijimet krenare të njerëzimit për ta gëzuar jetën, ndërsa qeverisja nëpërmjet urdhëresave të jashtëligjshme mbetet marrëzia më e madhe e mendjes njerëzore. Mjerisht, kjo është bërë diçka e zakonshme tek ne.

62

Polic Prenga kishte pesë ditë që përgjonte në mes të shkurreve, pranë varrit të maskuar të Shkëlzenit, që atyre u pëlqente ta quanin gropë. Me porosi të operativit, atë e kishte zëvendësuar përkohësisht një polic tjetër në detyrën e përhershme të mbikëqyrjes së të burgosurve ordinerë.

Prenga shkonte atje që me natë, para se të nisej turni i parë për në minierë, dhe pozicionohej në pjesën më të dendur të shkurreve, 5-6 m larg varrit problematik. Atje priste me durim të shfaqej përsëri i burgosuri që ai e kishte parë të zbriste deri në mes të bregores. Kur fillonte të errej, Prenga largohej prej andej, pa rënë në sy. Mundimi po i kalonte kot.

Atë ditë mjegulla kishte mbuluar gropën e Spaçit dhe polici përgjues ndjeu fresk. Këmba e majtë i ishte mpirë. E lëvizi disa herë, i ulur siç ishte, dhe u rehatua më mirë, duke e mbështjellë trupin me mushamanë e shiut që kishte marrë me vete.

— Dreq o punë, ç’po ndodh kështu! murmuriti nëpër dhëmbë. – Më duket se i krijova telashe vetes. Doja të forcoja marrëdhëniet me shef Paskalin dhe ka të ngjarë të ndodhë e kundërta. Po nuk erdhi ai armik i mallkuar as këto dy ditë që kanë mbetur prej afatit njëjavor të përgjimit, pisk do ta kem punën. Operativi do të mendojë se unë e gënjeva dhe do të më marrë zët. Edhe kjo më duhej, pas asaj që më ndodhi me atë këmbëtersin tek ofiçina për skeletin e syzeve.

Mpirja e këmbës po e telashonte. Prenga u detyrua të lëvizte sërish prej vendit. Me atë rast, nxori nga xhepi i mushamasë ushtarake dy feta buke të lyera me marmelatë fiku e të mbështjella me një copë gazete Zëri i Popullit. Kjo ishte ngjitur në disa vende pas marmelatës, që kishte dalë anash fetave të bukës të palosura njëra mbi tjetrën. Polici e shpalosi me kujdes gazetën dhe filloi të lëpinte me gjuhë marmelatën e ngjitur pas saj. Befas shtangu i hutuar.

Me gjuhën jashtë e sytë të zgurdulluar nga tronditja, ai mbërtheu shikimin mbi fotografinë e udhëheqësit të partisë, të cilit i kishte bllokuar buzëqeshjen një copë marmelate e ngjitur bash tek goja e tij.

— Të marrtë dreqi shpirtin, o File, ç’paske bërë kështu! mallkoi të shoqen polici i nervozuar. – Ku i ke pasur sytë, moj trutharë, kur ke mbështjellë bukën? Njëqind herë të kam porositur ta shikosh me kujdes çdo copë gazete, para se ta përdorësh për mbështjellje. Të kam thënë gjithashtu se njëri prej të burgosurve politikë, që punon si mekanik në ofiçinë, është dënuar tetë vjet për agjitacion vetëm pse kishte pastruar këpucën e baltosur me një copë gazete, e cila kishte pasur fotografinë e një anëtari të Byrosë Politike. Ndërsa ti vete e më mbështjell bukën me fotografinë e atij që peshon më shumë se njëqind Byro Politike së bashku.

«E ku bëhen shaka me këto gjëra, o File zeza! Apo të është mërzitur mirëqenia që po gëzon qysh se kam filluar unë punën e policit të burgut? Shyqyr që u ndodha vetëm këtu, në mes të shkurreve, e nuk më pa njeri, se do të na kishte marrë lumi! Ndonjëri prej policëve të tjerë do të ishte graduar duke raportuar mua, ndërsa unë do t’i bëja shoqëri atij mekanikut në ofiçinë. Unë nuk di të punoj as mekanik; shyqyr që ka nevojë për shumë gardianë partia! Ti shkon e i bie të mirës me shkelm!

Prenga mori frymë thellë, pa e lëshuar gazetën nga dora. E afroi ngadalë tek goja dhe ngjiti buzët pas saj, për të lëpirë atë pak marmelatë që kishte mbetur atje. Ai ndodhej buzë për buzë me udhëheqësin e partisë, kur dëgjoi rrokullisjen e një guri dhe disa hapa që po afroheshin. Për të mos bërë asnjë lloj zhurme me fëshfërimë letre, Prenga nuk e lëvizi gazetën prej buzëve. Kjo ishte puthja më e gjatë dhuruar fotografisë së udhëheqësit, e ëmbëlsuar këtë herë me marmelatë fiku.

 

 

Fragment nga Romani  "ENIGMA E NJE BRENGE", i Agim Hamiti-t

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0