* * *
— A thua do të turpërohesha prej atij surrati t’ia thosha emrin, po ta kisha njohur? Nëpër mjegull e pashë. Megjithatë e kam parasysh si trup. I thërrisni këtu e i rreshtoni të gjithë të burgosurit që punojnë në sipërfaqe. Nuk besoj që ai armik të jetë prej punëtorëve të minierës.
Nga Agim Hamiti
Për shkak të mjegullës së dendur, atë ditë komanda e kampit e përforcoi rrethimin me gjithë efektivin e ushtarëve që kishte në dispozicion, ndërsa turni i parë u nis për në minierë me dyfishin e policëve shoqërues. Të burgosurit u urdhëruan të ecnin të kapur për dore dy nga dy, përndryshe ndaj tyre do të ushtroheshin masa ndëshkimore. Për çdo pesë minuta policët ndalonin dhe i numëronin. Ndërkohë që ata vishnin rrobat e punës në barakë, policët qëndronin tek dera. Pasi ndërruan teshat të gjithë dhe ndezën llambat e karbitit, të burgosurit u urdhëruan të rreshtoheshin përsëri për dy dhe ashtu u shoqëruan prej policëve, derisa u futën në minierë.
— Shkoni çani ca dru për sobën tonë! – i urdhëroi njëri prej policëve shkarkuesit e vagonëve.
— Po shkoj unë, – u tha Serveti dy shokëve të punës.
Stiva e trupave të drurit gjendej rreth 80 m prej bunkerëve ku shkarkoheshin vagonët me mineral dhe pothuajse në gjysmë të rrugës për tek qafa prej nga
dukej kampi. Serveti mori sëpatën në barakë dhe u nis me hap të shpejtë për tek stiva e drurëve e mbuluar prej mjegullës. Gjeti një trup të thyer e të hollë dhe filloi ta priste me nxitim. Si përgatiti një krah të mirë drush, i lidhi me një fill teli që kishte marrë me vete dhe mbajti vesh me kujdes, nëse kishte lëvizje rrotull tij. Nuk dalloi gjë të dyshimtë dhe pa humbur kohë u nis me vrap drejt kodrës, me qëllim që të kthehej sa më parë tek vendi i punës me drutë e policëve. Sëpatën nuk e lëshoj nga dora. Duke nxituar tatëpjetë shpatit, Servetit i rrëshqiti këmba dhe rrokullisi pa dashje një gur. Këtë dhe hapat e tij dëgjoi Prenga në ekstazën e buzëputhjes me udhëheqësin e partisë.
*
— Ndal, mos lëviz prej vendit! – urdhëroi polici me sa zë kishte, sapo dalloi siluetën e të burgosurit nëpër mjegull.
I trembur nga befasia e britmës së Prengës dhe i tronditur prej pasojave të kuptueshme që do të sillte kjo aventurë e guximshme, Serveti e humbi vetëkontrollin. Ai lëshoi me forcë sëpatën në drejtimin prej nga i erdhi zëri dhe u nis vrap përpjetë kodrës.
— Më vrave për pak, armik i poshtër! – shkrofëtiu polici, ndërsa po fërkonte parakrahun e djathtë, me të cilin kishte devijuar drejtimin e sëpatës, duke e goditur në bisht. – Vrapo sa të duash, nuk i shpëton dot lakut tim sot, ke rënë në të.
Ai flaku mushamanë e shiut përmbi sëpatë dhe filloi të ngjiste me vrap shpatin e kodrës.
Serveti, i maskuar prej mjegullës, mbërriti tek drutë e përgatitura e i rrëmbeu në vrap e sipër, pa harruar të merrte edhe sëpatën e përgatitësve të trupave të ngulur në një trung.
— Ja ku i keni drutë, komandant, – i tha ai policit që rrinte tek dera e barakës.
— Fut ca në sobë, se është dobësuar zjarri, – ia ktheu ky.
Serveti zgjidhi drutë dhe filloi të fuste copat më të holla në sobë. Kur po dilte nga baraka, dëgjoi britmat e polic Prengës, i cili mbërriti tek bunkerët, ku shkarkoheshin vagonët.
— O Mark, Zef, o Gjok; ku jeni, bre, se më vranë armiqtë e partisë! Ku shkoi ai trimi, që guxoi të më godiste me sëpatë dhe ia mbathi me të katra, si lepur?
— Si është puna, Preng, çfarë ka ndodhur?– e pyetën në një gojë Marku me Zefin, duke vrapuar drejt tij.
— E shikoni, pra, me sytë tuaj çfarë ka ndodhur, – thirri i revoltuar Prenga, duke shpërveshur parakrahun e djathtë. – Një armik më ka goditur me sëpatë për të më vrarë, pastaj u nis me vrap përpjetë shpatit të kodrës.
— Cilës kodër, Preng, ç’ka po thua? – u habitën kolegët.
— Të gjendet atentatori e të arrestohet, më pas jua sqaroj unë të gjitha.
— E njohe kush ishte?
— A thua do të turpërohesha prej atij surrati t’ia thosha emrin, po ta kisha njohur? Nëpër mjegull e pashë. Megjithatë e kam parasysh si trup. I thërrisni këtu e i rreshtoni të gjithë të burgosurit që punojnë në sipërfaqe. Nuk besoj që ai armik të jetë prej punëtorëve të minierës.
— E pamundur. Njëzet minuta më parë ne i shoqëruam deri brenda në minierë gjithë të burgosurit që punojnë atje dhe i numëruam. Frroku dhe Nikolla janë akoma tek hyrja e minierës, se mos kthehet ndonjëri prej tyre pas.
— Atëherë të rreshtohen shpejt para nesh të burgosurit që punojnë në sipërfaqe.
— Po si ndodhi, mor Preng? Ku e pse u ndeshe me të burgosurin, që deshi të të godiste me sëpatë? – u interesua polic Marku, si sekretar partie që ishte.
— Ai më goditi, jo deshi të më godiste. Ti e pe si më është nxirë e ënjtur parakrahu prej bishtit të sëpatës.
— Po ku ndodhi kjo, cili qe shkaku i përplasjes me të?
— Të gjejmë më parë shkaktarin e kësaj prapësie, për të tjerat do të flasim më vonë bashkë, shoku sekretar, – ia ktheu Prenga fytyrëngrysur.
Comments (0 posted)
Post your comment