Home | Literature | Ata që rrëfejnë historira (Fragment)

Ata që rrëfejnë historira (Fragment)

image
Procesi i krijimit është i veçantë për çdo shkrimtar, dhe kjo është e vërtetë për secilin prej librave të mi, frymëzimi i pikënisjes dhe pjekja e tij në shpirtin tim, nuk janë gjithnjë të njëjtët. Disa prej tyre nisen nga një ëndërr, si për shembull Rrapanidhja e kristaltë, ca të tjera nga një ngjarje e ndodhur vërtet, si Kënga e hudhrës parajsore. 

 

Përkthyer nga frëngjishtja 

URIM NERGUTI

 

 

 

 

 

 

 

Konferencë e mbajtur me rastin e dhënies së çmimit Nobel në Letërsi,

 

Stockholm, 7 Dhjetor 2012, 

 

 

 

...

 

Pas vdekjes së nënës, kam ndjerë një pikëllim të madh dhe kam vendosur t’i kushtoj një libër. Bëhet fjalë për Gjinj të bukur, mollaqe të bukura, e meqë e kisha ndërmend prej kohësh dhe isha i mbytur nga emocioni, e kam shkruar këtë roman me një frymë, pesëqindmijë karaktere për vetëm tetëdhjetëetre ditë.

Në këtë libër, kam përdorur pa asnjë vetëpërmbajtje njëfarë lënde që kishte lidhje me jetën e nënës, por përjetimi emocional i nënës në roman është i trilluar, kur nuk e gjen madje burimin në jetën e mjaft nënave të kantonit Dongbei. Përkushtimi në krye të librit, « Për shpirtin e nënës sime përtej », është në fakt një përkushtim për të gjitha nënat nën qiell, dhe kjo me të njëjtën ambicje disi mburravece që më shtyn ta bëj atë vendin e vogël që është « kantoni Dongbei në Gaomi » një Kinë, madje një njerëzim në miniaturë.

Procesi i krijimit është i veçantë për çdo shkrimtar, dhe kjo është e vërtetë për secilin prej librave të mi, frymëzimi i pikënisjes dhe pjekja e tij në shpirtin tim, nuk janë gjithnjë të njëjtët. Disa prej tyre nisen nga një ëndërr, si për shembull Rrapanidhja e kristaltë, ca të tjera nga një ngjarje e ndodhur vërtet, si Kënga e hudhrës parajsore. Por cilado qoftë pikënisja, në përfundim duhet që vepra të mplekset me të jetuarën vetjake ; kjo i siguron veprës një karakter të fortë, domethënë që aty mund të ngulitet një numër i madh personazhesh tip, të përbërë nga një mori hollësirash të gjalla, mund të shpaloset një gjuhë e pasur e me ngjyra, dhe përsa i përket strukturës, mund të ketë thesare trillimi. Këtu duhet përmendur diçka : në Kënga e hudhrës parajsore, unë kam futur në skenë një rrëfyes të mirëfilltë dhe i kam dhënë një rol nga më të rëndësishmit. Sinqerisht kërkoj falje që ia kam përdorur emrin e vërtetë, por është e qartë se të gjitha veprimet e këtij personazhi në libër, mbeten të trilluara. Në procesin tim të shkrimit, ndodh shpesh kjo dukuri : në fillim, përdor emrin e vërtetë të personazhit, dhe këtë e bëj me shpresën që të ndihem më pranë tij, por kur e mbaroj veprën dhe them me vete se tani duhet t’ia ndryshoj emrin, e ndjej se tanimë është e pamundur. Dhe kjo është arsyeja që disa njerëz, me emrin e një personazhi të një romani, kanë vajtur tek im atë për t’i shprehur pakënaqësinë, dhe ai ka kërkuar falje në emrin tim, por sidoqoftë duke i bërë të kuptojnë se s’duhet ta bëjnë kaq të madhe. Iu ka thënë kështu : « Fjalia e parë e romanit Klani i tallës, është si më poshtë : "Im atë njëfarë cubi". Domethënë, kur unë s’e vras mendjen dhe aq, atëherë, po ju, pse mërziteni kaq shumë ? ».

Gjatë shkrimit të romaneve si Kënga e hudhrës parajsore, romane që janë më afër realitetit shoqëror, çështja më e rëndë që është shtruar para meje nuk ka qenë ajo që të dija nëse po apo jo isha aq i guximshëm sa t’iu bëja një kritikë disa anëve të errëta të shoqërisë, por ka qenë kjo tjetra : mos vallë kjo zjarrmi dhe ky zemërim përpirës që e ndjeja brenda vetes, do ta linin anën politike të fitonte mbi anën letrare, dhe kështu romani të më dilte si kronika e një lajmi të ditës. Shkrimtari është pjesë e shoqërisë, ai sigurisht që mban qëndrim dhe ka pikëpamjen e vet, por kur kalon tek akti i të shkruarit, duhet ta vendosë veten mbi rrafshin e njerëzores, dhe t’i përshkruajë të gjithë njerëzit nga kjo pikë. Vetëm kështu letërsia, ndërkohë që fut ngjarjen, e tejkalon atë, dhe merret me politikë por duke u vendosur mbi një rrafsh më të lartë.

Mbase jeta e vështirë që kam bërë për aq shumë kohë, më ka dhënë një kuptim më të thellë të natyrës njerëzore. Unë e di se ç’është guximi i vërtetë, e ç’është dhembshuria e vërtetë. E di se në zemrën e çdo njeriu, ka një zonë të errët që është e vështirë të matet me kutin e së vërtetës dhe së rremës, së mirës dhe së keqes, mirëpo kjo zonë i ofron shkrimtarit një fushë të gjerë ku ta shpalosë dhuntinë e vet. Çdo vepër e cila arrin ta përshkruajë në një mënyrë të saktë e të gjallë këtë zonë kundërshtish, detyrimisht do ta kapërcejë politikën dhe do të paraqesë cilësitë që priten nga një letërsi e shkëlqyer.

Të flasësh papushim për veprat e tua, është një gjë e mërzitshme për të tjerët, por jeta dhe veprat e mia janë aq ngushtë të lidhura, saqë po të mos kisha folur për këto të fundit, do të kisha pasur përshtypjen se nuk di nga t’ia filloj. Pra ju kërkoj falje për këtë.

Në veprat e mia të para, si rrëfyes modern, kam ndenjur i fshehur pas tekstit, por me Tortura e santalit, kam kërcyer nga prapaskenë në skenë. Nëse mund të themi se veprat e mia të rinisë futen më tepër tek të folurit me vete, pa kurrfarë meraku për ndonjë lexues, me këtë libër, kam pasur pështypjen se po qëndroja drejt në këmbë në një vend, përballë një auditori të mbushur plot, duke iu bërë një rrëfim tërë ngjyra. E tillë ka qenë tradita romaneske nëpër botë, dhe ende më shumë, në Kinë. Dikur e kam provuar dhe unë romanin modern perëndimor, kam luajtur me gjithfarë mënyrash rrëfimi, dhe megjithatë, si përfundim, jam rikthyer tek tradita. Sigurisht, ky rikthim nuk është bërë në një mënyrë konservatore. Tortura e santalit dhe romanet që kanë pasuar më vonë, janë një përzierje në rrafshin stilistik, ato e vazhdojnë traditën e romanit klasik kinez por duke huazuar nga teknika e romanit perëndimor. Ajo çfarë unë kuptoj me « risi » në lëmin romanesk, është thelbësisht përftim i kësaj lloj përzierjeje, e cila ngërthen gjithashtu prurje nga disiplina të tjera artistike. Kështu, në Tortura e santalit, kemi prurje elementesh të ardhura nga opera popullore apo, në veprat e fillimit, prurje nga Artet e Bukura, nga muzika, madje dhe nga akrobacitë.

Së fundi, më lejoni t’ju flas pak për Ligjin e rreptë të karmas. Ky titull vjen nga parimet budike, e me sa di unë, përkthimi i tij ka qenë një kokëçarje e vërtetë për përkthyesit në vende të ndryshme. Nuk i kam studiuar në thellësi tekstet budike, pra nxënia ime e budizmit është mjaft e përciptë ; fakti që kam përdorur këtë titull, sipas meje vjen ngaqë mjaft mendime themelore të budizmit tregojnë një njohje të mirëfilltë të universit. Për budistët, mjaft grindje që plasin nëpër botë janë pa kurrfarë interesi. E parë nga ky këndvështrim i lartë, kjo botë është aq pikëlluese ! Sigurisht, unë nuk e kam shkruar këtë libër në formë predikimi, aty kam folur për fate njerëzore, për ndjenja, për kufinj të qenies njerëzore, për tolerancën e saj, për përpjekjet dhe sakrificat që bën ajo për të kërkuar lumturinë dhe ngulmuar në bindjet e veta. Në këtë roman, personazhi i Lan Lianit, duke u përballur i vetëm me prirjen e përgjithshme të epokës, është për mua një hero i mirëfilltë. Prototipi i këtij personazhi është një fshatar i një fshati ngjitur me timin ; në fëmijërinë time, e kam parë shpesh duke kaluar në rrugë para derës sonë, me atë qerren e vet me rrota druri që kërcëllinte dhe që tërhiqej nga një gomar me këmbët tërë varrë. Ai shtynte nga prapa, e shoqja ecte përpara me hapa të vegjël, duke tërhequr kafshën. Në shoqërinë e kolektivizuar të asaj kohe, një pamje e tillë në punë dukej aq e çuditshme, aq e shfazuar ; për sytë tanë prej fëmije, ata dukeshin si kllounë që ecnin kundër rrjedhës së Historisë, madje ne arrinim deri aty sa, kur ecnin në rrugë, i qëllonim me gurë, të shtyrë nga një zemërim i ligjshëm. Kaluan shumë vite dhe kur një ditë mora penën në dorë, m’u shfaqën menjëherë në mendje ky personazh e kjo skenë. Gjithmonë e kam ditur se një ditë apo tjetër do të shkruaja një libër mbi të, për t’ia treguar mbarë botës historinë e tij, por vetëm më 2005, ndërkohë që isha në një tempull dhe po vështroja një afresk mural mbi samsaran, apo ciklin e jetëve, m’u qartësua metoda e duhur për ta treguar këtë histori.

Dhënia e çmimit Nobel që më është bërë, ka ngjallur mjaft polemika. Në fillim kam menduar se ato kishin lidhje drejtpërdrejt me mua, por pak nga pak, e ndjeva se nuk isha unë personi i marrë nën shenjë. Isha si shikuesi i një pjese teatri që sheh një shfaqje të dhënë nga turma. Kam parë lule që binin të shumta mbi atë që ishte nderuar, e kam parë edhe gurë që e qëllonin, edhe ujë të pistë që ia hidhnin përsipër. Kam pasur frikë mos e rrëzonin, por ai është përvjedhur duke buzëqeshur mes luleve dhe gurëve, e ka fshirë ujin e pistë mbi trup dhe, tejet i qetë, ka dalë mënjanë dhe ka thënë kështu :

Për një shkrimtar, mënyra më e mirë për të folur, është shkrimi. Gjithçka që kam për të thënë, e shkruaj në veprat e mia. Fjalët që dalin nga goja i merr era, e ato që lindin nën majën e penës nuk fshihen kurrë. Shpresoj se do ta keni durimin të lexoni ndopak nga librat e mi. Por sigurisht, nuk e kam atë cilësi që t’ju detyroj për këtë lexim. Dhe me kushtin që t’i lexoni, nuk pres nga ju që të ndërroni mendim për mua, asnjë autor në botë ska arritur të vlerësohet nga tërësia e lexuesve. Dhe kjo është ende më e vërtetë në epokën tonë.

Do të doja të hesht por, në një rast të tillë, më duhet të flas, pra do t’i shtoj ende dhe ca fjali, në thjeshtësi të plotë.

Jam një njeri që rrëfen histori, dhe janë pra ca histori që do t’ju rrëfej.

...

 

 

 

© Fondacioni Nobel, 2012.

 

© Urim Nerguti, 2012, për këtë përkthim. 

© Klosi News

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00