Home | Literature | * * *

* * *

image
Në qoftë se ti vetë nuk e ruan sekretin tënd, mos prit që këtë ta bëjnë të tjerët për ty, thoshte njëra prej aforizmave që Serveti kishte mbledhur në një bllok shënimesh, të cilin e lexonte herë pas here.
Ai vendosi t’i linte ngjarjet në rrjedhën e tyre të lirë.

 

 

 

 

Nga Agim Hamiti

 

 

 

 

...


Serveti e dinte se pika më e dobët e mbrojtjes së tij, pas përplasjes së paparashikuar me policin, do të ishte sëpata e mbetur peng në duart e kundërshtarit. Madje, ajo do të shërbente si dëshmi e dyfishtë. Një pikë e fortë orientimi në pistën hetimore, për të zbuluar të burgosurin që interesohej për varrin e djaloshit kosovar, dhe një provë materiale për tentativë vrasjeje të policit. Ky krim ndëshkohej rëndë prej dispozitave përkatëse të Kodit Penal.
Sëpata e përgatitësve të trupave të drurit, që ai mori tek stiva, ishte më e madhe se sëpata me të cilën goditi policin. Prej ortakëve të tij të punës, ai kishte besim të plotë vetëm tek njëri; tjetrin nuk e njihte mirë. Mjaftonte që ky të pohonte se sëpata e mbetur në duart e Prengës kishte qenë e tyre dhe Serveti mbetej zbuluar. Gjithashtu përgatitësit e trupave do të kërkonin sëpatën e tyre dhe do ta gjenin tek shkarkuesit e vagonëve. Këto gjurmë do ta çonin policinë tek fajtori i vërtetë.
Serveti mendoi njëherë ta diskutonte këtë çështje me dy ortakët e tij të punës. Donte t’i porosiste të pohonin se ata nuk kishin pasur sëpatë dhe Serveti i kishte prerë drutë e policëve me sëpatën e përgatitësve të trupave. Mirëpo kjo ishte thikë me dy presa. Për ta trajtuar këtë problem me ortakët e tij, Serveti duhej t’ua thoshte hapur të vërtetën, sesi ishte zhvilluar ngjarja. Pra, të pranonte fajësinë. Kjo do të thoshte që ai ta linte veten peng në dorën e një bashkëvuajtësi të panjohur, i cili mund ta rrezikonte në çdo kohë në të ardhmen. Vetëkuptohej që komanda e kampit dhe policia nuk do ta mbyllnin kollaj këtë çështje.
Në qoftë se ti vetë nuk e ruan sekretin tënd, mos prit që këtë ta bëjnë të tjerët për ty, thoshte njëra prej aforizmave që Serveti kishte mbledhur në një bllok shënimesh, të cilin e lexonte herë pas here.
Ai vendosi t’i linte ngjarjet në rrjedhën e tyre të lirë.
*
— Shikoi me vëmendje tani, Preng, i tha sekretari i partisë, kur të burgosurit e kërkuar u rreshtuan në radhë për një me fytyrë nga policët përballë tyre.
— Përgatitësit dhe transportuesit e trupave janë rreshtuar? pyeti Prenga.
— Po, të gjithë këtu i ke.
Polic Prenga ua nguli sytë të burgosurve me radhë.
— Pa hidh një hap para ti! – i tha Servetit.
Ky iu bind urdhrit, pa ia ndarë sytë policit. Prenga herë shikonte Servetin, herë njërin prej përgatitësve të trupave, i cili kishte shtat të njëjtë me të. Ai ishte disa vjet më i ri se Serveti dhe kishin dalë në punë bashkë, pas thirrjes së komandës.
— Dil edhe ti tjetri këtu, përpara, e urdhëroi polic Prenga. – Qëndroni pranë njëri-tjetrit.
Polici po i vëzhgonte shumë i përqendruar.
— Largohuni një hap prej shoku-shokut dhe bëni sikur po flakni një gur me forcë.
Ata zbatuan urdhrin e policit.
— Tani kthehuni majtas dhe, kur t’ju urdhëroj unë, do të vraponi dhjetë metra.
Dy të burgosurit bënë sprintin e shkurtër.
— Është ai nga e djathta, u tha Prenga shokëve duke treguar me dorë Servetin.
— Ke të drejtë, i tha sekretari i partisë. – Ai tjetri është transportues trupash dhe nuk ka më shumë se pesë minuta që ka dalë prej minierës.
Tre policë i kërcyen në shpinë Servetit dhe i hodhën prangat me duar prapa.
— Shpërndahuni nëpër vendet tuaj të punës ju të tjerët, i urdhëroi njëri prej policëve.
Ata vetë u futën në barakën e tyre bashkë me Servetin. Ia shtrënguan hekurat në maksimum dhe e rrahën derisa e shtrinë për tokë gjithë gjak. I hodhën një bidon ujë në kokë dhe e detyruan të ulej pranë sobës së nxehur.
— Në qoftë se nuk do ta pranosh se ke goditur komandant Prengën me sëpatë, nuk do të të lëmë të lëvizësh prej vendit, derisa të marrësh flakë, i tha sekretari i partisë duke tundur një shkop gome që mbante në dorë.
— Unë kam prerë ca dru për sobën tuaj, me urdhër të komandant Zefit, dhe kam forcuar këtë zjarr ku po më digjni. Mandej kam qenë në vendin tim të punës. Ku jam takuar unë me komandant Prengën?
— Tek gropa e atij që do t’i shkosh pranë së shpejti, bërtiti Prenga.
Policët e tjerë shikuan shoku-shokun të habitur.
— Po, atje, ku kemi groposur Shkëlzen Gramin, erdhi ky armik, ndërsa unë përgjoja me vendim të komandës së kampit.
— Dhe nuk do që ta pranosh këtë akt ti, fytyrë e poshtër? shkrofëtiu sekretar Marku, duke e goditur me shkop gome Servetin.
Ky lëvizi dhe u takua me hekurin e skuqur të sobës. Era e rrobës së djegur u ndie prej të gjithëve.
— E lini të digjet, po nuk pranoi, urdhëroi Marku.
— Ju mund të bëni ç’të doni, të më digjni ose të më vrisni, tha Serveti duke tkurrur fytyrën nga dhimbja e djegies në shpinë. – Për një gjë duhet të jeni të sigurt: as i gjallë e as gjysmë i vdekur, unë nuk do ta pranoj kurrë një gjë që nuk e kam bërë.
— Ia fikni xhaketën dhe lajmëroni komandën e kampit të dërgojë policë për ta marrë, urdhëroj Marku duke dalë nga baraka.
Prenga triumfator nxitoi të merrte në telefon shef Paskalin. Misioni i tij njëjavor ishte kurorëzuar me sukses. Operativi nisi menjëherë dy policë, për ta sjellë në kamp të burgosurin e arrestuar. Serveti, i dërrmuar prej goditjeve dhe një plage djegieje në mes të shpinës, e përshkoi me zor rrugën nga miniera në birucë. Atje u shtri përmbys.

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0