Home | Literature | * * *

* * *

image
Ky lajm i trishtuar e tronditi. Ai e kuptonte pak a shumë arsyen e izolimit të Servetit dhe të agresivitetit të komandës ndaj tij. Shkak për këtë duhej të ishte bërë ndonjë orvatje për gjetjen e varrit të Shkëlzenit. Keqtrajtimi që vazhdonte t’i bëhej në qeli tregonte se ai e kishte punën pisk. Kjo ide e turbulloi Shpresimin. Ai e përplasi me forcë përtokë fetën e bukës të ngrënë përgjysmë, mbështeti kokën mbi të dy duart e vendosura tek trungu i akacies dhe ndjeu t’i rridhnin lot.

 

 

Nga Agim Hamiti

 

 

 

 

 

 


— Përgëzimet e mia, Preng! e përshëndeti shef Paskali policin, të cilit i shndriste fytyra prej gëzimit. – Nise dhe përfundove me sukses një mision shumë të rëndësishëm. Dihet që Spaçi është një kamp armiqsh të partisë sonë, por ky që ke zbuluar ti është armik i veçantë, gjersa e kanë lidhur fije të padukshme me agjentin e UDBsë, Shkëlzen Grami. Të lumtë!
— Nuk kam bërë asgjë më tepër se detyra, shoku shef.
— Partia jonë u është mirënjohëse njerëzve të saj edhe kur kryejnë detyrën. Tani eja të shkojmë bashkë tek birucat të shikojmë atë bandillin.
Dyert e hekurta të qelive u hapën me zhurmë dhe operativi, oficeri i rojës dhe Prenga u futën në korridor.
— Ja, në këtë birucë është, u tha oficeri i rojës.
— Hape derën, urdhëroi operativi.
Serveti i lidhur me duar pas shpine, fytyrën të ënjtur e gjithë njolla mavi, i pafuqishëm të lëvizte prej vendit, mezi u ngrit në pozicionin ndenjur. Ai po i shquante me vështirësi personat që i qëndronin përballë me syrin e djathtë të skuqur, mbasi syrin e majtë e kishte plotësisht të mbyllur nga enjtja e tepërt.
— E, armik i poshtër, mendove se do të na i hidhje, ë? Kujton se ne flemë mbi dafina, meqë ju kemi futur në burg? Uji fle, hasmi s’fle, thotë populli. Vazhdon të qëndrosh ulur, surrati yt, edhe pse ne jemi në këmbë.
— Nuk çohem dot, se policët e tu nuk më kanë lënë vend të trupit pa plagë.
— Janë të popullit policët, jo të mitë, gjuhëgjarpër!
Operativi hyri në birucë dhe e goditi me shkelm në bark. I burgosuri rënkoi dhe u shemb pa ndjenja.


I mbështetur pas trungut të një akacieje të re, ai po hante një fetë buke me gjizë, kur tellalli i u afrua pranë.
— Servetin e kanë futur në birucë, Shpresim, i pëshpëriti tek veshi.
— Pse, çfarë ka bërë?
— Nuk di gjë. Vetëm mund të them se komanda e kampit është shumë e inatosur me të. Po trajtohet keq edhe në birucë, ku vazhdon të mbahet duarlidhur.
— Do të sjell një paketë cigare dhe një palë çorape leshi t’ia çosh.
— Bah, e pamundur!
— Pse, a nuk i takon me rregullore?
— Më vjen keq që po ta them, por atij nuk i kanë dhënë as drekë. A e parashikon këtë rregullorja?
Tellalli i shkeli syrin në mënyrë domethënëse dhe u largua.
Shpresimi ngriu në këmbë. Ky lajm i trishtuar e tronditi. Ai e kuptonte pak a shumë arsyen e izolimit të Servetit dhe të agresivitetit të komandës ndaj tij. Shkak për këtë duhej të ishte bërë ndonjë orvatje për gjetjen e varrit të Shkëlzenit. Keqtrajtimi që vazhdonte t’i bëhej në qeli tregonte se ai e kishte punën pisk. Kjo ide e turbulloi Shpresimin. Ai e përplasi me forcë përtokë fetën e bukës të ngrënë përgjysmë, mbështeti kokën mbi të dy duart e vendosura tek trungu i akacies dhe ndjeu t’i rridhnin lot.

 

 

 

Fragment nga Romani "ENIGMA E NJË BRENGE", i Agim Hamiti-t

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0