* * *
Trëndafilët e mi janë të bardhë, u përgjigj ajo, të bardhë si shkuma e detit dhe më të bardhë se dëbora në mal. Por shkoni tek ajo motra ime që rritet aty afër orës së vjetër diellore dhe mbase do t’jua japë ajo çfarë kërkoni.Atëherë bilbili fluturoi tek ferra që rritej pranë orës së vjetër diellore.Më jepni një trëndafil të kuq, i tha ai, dhe do t’ju këndoj nga këngët e mia më të ëmbla.
Përkthyer nga Urim Nerguti
...
Princi organizon një ballo nesër mbrëma, mërmëriste studenti i ri dhe dashuria ime do të jetë në festë. Po t’i sjell një trëndafil të kuq, do ta shtrëngoj në krahë. Do ta prehë kokën mbi supin tim dhe do të më shtrëngojë dorën. Por s’kam asnjë trëndafil të kuq në bashtinë. Kështu që do të mbetem i vetëm dhe ajo do të më shpërfillë. S’do të m’i hedhë as sytë dhe do të më çahet zemra.
Ja, pikërisht i dashuruari i vërtetë, tha bilbili. Vuan për gjithçka që këndoj unë : gjithçka që është gëzim për mua, është dhimbje për të. Sigurisht, dashuria është një gjë e mrekullueshme, më e çmuar se zmeraldët dhe më e shtrenjtë se gurët më të çmuar. As perla as shega s’mund ta paguajnë, sepse ajo s’del asnjëherë në treg. As s’mund ta blejmë tek shitësi, e as ta peshojmë në një peshore për ta blerë me peshën e vet në ar.
Muzikantët do të rrinë në podiumin e tyre, thoshte studenti i ri. Do t’iu bien veglave me korda dhe dashuria ime do të vallëzojë nën tingullin e harpës dhe violinës. Do të kërcejë aq lehtë sa as këmba s’do t’i zerë në parket dhe njerëzit e oborrit të veshur hareshëm do t’i nxitojnë pranë, por ajo s’do të kërcejë me mua, sepse s’kam një trëndafil të kuq që t’ia jap. Dhe binte përmbys në lëndinë, e mbulonte fytyrën me duar dhe qante.
Përse qan ky ? pyeste një hardhucë e vogël e gjelbër, tek po kalonte pranë tij, me bishtin në ajër.
Përse, vërtet ? thoshte një flutur që rrihte flatrat duke ndjekur një rreze dielli.
Po përse pra ? i mërmëriti një luleshqerrë fqinjes së vet me një zë të butë e të ëmbël.
Qan për shkak të një trëndafili të kuq.
Për një trëndafil të kuq ? Sa qesharake !
Dhe hardhuca e vogël, që ishte disi cinike, qeshi me të madhe.
Por bilbili e kuptoi sekretin e vuajtjeve të studentit, ndenji i heshtur në qarr dhe u mendua për misterin e dashurisë.
Befas i shpalosi flatrat e murrme për të fluturuar dhe mori vrull. Kaloi përmes drurëve si një hije dhe, si një hije e përshkoi bashtinën.
Në qendër të ledhit ngrihej një ferrë trëndafili e bukur dhe, kur e pa, fluturoi drejt saj duke iu ulur mbi një degë të imët.
Më jepni një trëndafil të kuq, thirri ai, dhe do t’ju këndoj nga këngët e mia më të ëmbla.
Por ferra tundi kokën.
Trëndafilët e mi janë të bardhë, u përgjigj ajo, të bardhë si shkuma e detit dhe më të bardhë se dëbora në mal. Por shkoni tek ajo motra ime që rritet aty afër orës së vjetër diellore dhe mbase do t’jua japë ajo çfarë kërkoni.
Atëherë bilbili fluturoi tek ferra që rritej pranë orës së vjetër diellore.
Më jepni një trëndafil të kuq, i tha ai, dhe do t’ju këndoj nga këngët e mia më të ëmbla.
Por ferra tundi kokën.
Trëndafilët e mi janë të verdhë, u përgjigj ajo, aq të verdhë si flokët e sirenave që ulen mbi një trung peme, më të verdhë se narcizi që lulëzon në livadhe, para se kositësi të vijë me kosën e vet. Por shkoni tek ajo motra ime që rritet poshtë dritares së studentit dhe mbase do t’jua japë ajo çfarë kërkoni.
Atëherë bilbili fluturoi tek ferra që rritej poshtë dritares së studentit.
Më jepni një trëndafil të kuq, i thirri ai, dhe do t’ju këndoj nga këngët e mia më të ëmbla.
Por ferra tundi kokën.
Trëndafilët e mi janë të kuq, u përgjigj ajo, aq të kuq si këmbët e pëllumbave dhe më të kuq se freskoret e koraleve që oqeani i përkund në thellësitë e tij, por dimri m’i ka ngrirë damarët, ngrica m’i ka tharë sythet, uragani m’i ka thyer degët dhe s’do të kem trëndafil të kuq gjatë gjithë vitit.
Më duhet thjesht një trëndafil i kuq, i thirri bilbili, vetëm një. A ska ndonjë mënyrë që ta kem ?
Ka një mënyrë, u përgjigj ferra, por është aq e tmerrshme sa s’guxoj t’jua them.
Ma thoni, ia bëri bilbili. S’jam aq i ndrojtur.
Nëse ju duhet një trëndafil i kuq, tha ferra, ju duhet ta ndërtoni me nota muzikore nën dritën e hënës dhe t’i jepni ngjyrë me gjakun e zemrës suaj. Do të këndoni për mua, me gushën të mbështetur mbi gjemba. Do të këndoni tërë natën dhe gjembat do t’ju shpojnë zemrën : gjaku juaj do të rrjedhë në damarët e mi dhe do të bëhet i imi.
Vdekja është një çmim i lartë për një trëndafil të kuq, ia ktheu bilbili, dhe të gjithë e duan jetën. Është gjë e ëmbël të ulesh në një pemë në pyllin e gjelbër, të vështrosh diellin në qerren e vet të artë e hënën në qerren e vet prej perlash. Është e butë, aroma e murrizeve. Janë të ëmbla, lulezilkat blu që fshihen në luginë dhe shqopat që mbulojnë kodrinën. E megjithatë, dashuria është më e mirë se jeta dhe fundja, e ç’është zemra e një zogu në krahasim me zemrën e një njeriu ?
...
(Oscar Wilde)
Comments (0 posted)
Post your comment