* * *
— Përkundrazi, ai pretendon se nuk ka lëvizur fare prej frontit të punës. Është torturuar prej policisë në shumë forma, por nuk ka pranuar asgjë. Edhe tani në birucë vazhdon të qëndrojë i lidhur dhe policët kanë urdhër ta torturojnë, sa herë hapin e mbyllin dhomat e izolimit. Megjithatë, ai vazhdon të këmbëngulë se nuk është larguar prej frontit të punës...
Agim Hamiti
Komandanti, komisari e operativi i kampit të Spaçit u futën në zyrën e këtij të fundit dhe mbyllën derën. Fjalën e mori shef Paskali:
— Dua t’ju shpjegoj pak më imtësisht shkakun e izolimit në birucë të të burgosurit Servet Dautllari. Në fletë-izolimin e tij shkruhet: Është larguar prej frontit të punës pa lejen e policit. Kjo është e vërtetë, por përbën pjesën më pak të rëndësishme të fajësisë së tij. Ai është larguar prej frontit të punës me një qëllim shumë të mbrapshtë, shumë armiqësor: në kërkim të vendndodhjes së gropës të ish-agjentit të UDBsë, Shkëlzen Grami, i cili, siç e dini, humbi aksidentalisht jetën gjatë grindjes me një të burgosur tjetër. Unë dua të diskutoj me ju rrezikshmërinë që paraqet qëndrimi në kampin e Spaçit i këtij të burgosuri, pas daljes prej izolimit.
« Ju e dini se, me urdhër të MP të Brendshme, agjenti Grami nuk u varros në Shëpal, por brenda territorit të rrethuar të minierës. Urdhri nga lart ishte i qartë: Grami të groposet, gropa të harrohet! Në zbatim të këtij udhëzimi, groposja e tij u bë pothuajse natën, në një vend të maskuar prej shkurreve dhe pa lënë asnjë gjurmë përqark. Ndërkohë porosita polic Prengën ta mbikëqyrte në fshehtësi atë vend, mbasi ai kishte dyshuar se dikush prej të burgosurve interesohej për të. Brenda disa ditësh përgjimi rezultoi se dyshimi i tij ishte i
bazuar. Duke përfituar prej mjegullës së dendur, atje ka shkuar i burgosuri në fjalë, i cili nuk ka ndaluar kur e ka urdhëruar Prenga, por lëshoi me forcë në drejtim të policit një sëpatë që mbante në dorë. Për këto arsye, unë jam i mendimit që i burgosuri Servet Dautllari të mos hyjë më në kampin e Spaçit. Prej birucës ai duhet transferuar direkt në burgun e Burrelit me një relacion të hollësishëm nga ana e jonë.
— A e ka pranuar ai vetë se ishte larguar prej frontit të punës në kërkim të vendndodhjes të gropës se Gramit? pyeti komandanti i kampit.
— Përkundrazi, ai pretendon se nuk ka lëvizur fare prej frontit të punës. Është torturuar prej policisë në shumë forma, por nuk ka pranuar asgjë. Edhe tani në birucë vazhdon të qëndrojë i lidhur dhe policët kanë urdhër ta torturojnë, sa herë hapin e mbyllin dhomat e izolimit. Megjithatë, ai vazhdon të këmbëngulë se nuk është larguar prej frontit të punës. Bilé ai akuzon policin se e ka marrë fshehurazi sëpatën tek baraka e tyre dhe e ka çuar kastile tek vendi ku përgjonte, për ta përdorur si provë materiale kundër tij. Në këto kushte, pa asnjë dëshmitar, është e vështirë t’i vërtetohet goditja me sëpatë ndaj policit, e cila përbën vepër penale. Ai e di mirë këtë, se ka qenë arsimtar në jetën e lirë dhe nuk do ta pranojë kurrë një akuzë të tillë, meqenëse polici nuk e ka njohur dot dhe dëshmitar nuk ka.
— Sidoqoftë, ne duhet ta qërojmë prej kampit tonë këtë belà, propozoi komandanti. – Në relacionin shoqërues ti, shoku Paskal, duhet të argumentosh rrezikshmërinë shoqërore që paraqet prania e atij të burgosuri në kampin tonë. Mandej, le të vendosin të tjerët se ç’duhet bërë me atë armik; në burgun e Burrelit do ta kenë. Edhe shoku komisar i këtij mendimi është, besoj.
— Zhdukeni prej këtej atë surrat një sahat e më përpara, i ra shkurt komisari.
Pas dhjetë ditësh, ky propozim i komandës së kampit të Spaçit u kthye në vendim prej drejtorisë së Kampe-Burgjeve dhe u zbatua.
Për Shpresimin gjithçka niste nga e para. Vdekja e Shkëlzenit dhe transferimi i Servetit bënë që ai të rijetonte vetminë trishtuese të fillimit të burgut. Botës së tij të përvuajtur shpirtërore i ishte shtuar një dhimbje dhe një zbrazëti. Këto dy fatkeqësi kishin qenë pasoja të njëra-tjetrës, si një goditje e dyfishtë e fatit.
Në këto rrethana Shpresimi donte të dilte përsëri në punë, por plagën e gishtit të prerë e kishte endé të pambyllur. Për më tepër, ai nuk ishte i sigurt nëse do ta pranonin edhe më vonë në përgatitjen dhe transportimin e trupave me dorë të cunguar. Kjo ishte fatkeqësia e tretë me origjinë vrasjen e Shkëlzenit.
Nëse në fillim të burgut vetmia e tij rëndohej vetëm prej ndjesive të
brendshme shpirtërore, tani kishte edhe faktorë të jashtëm ngacmues. Duke shëtitur në oborrin e kampit, ai kujtonte bisedat me Servetin dhe takimin e parë me Shkëlzenin, i cili do të kishte qenë më mirë për të që të mos ishte zhvilluar fare. I kujtohej sesi djaloshi kosovar, i traumatizuar prej hetuesisë së vrazhdë dhe dënimit si agjent jugosllav, endej i hutuar nëpër oborr, i huaj mes shqiptarësh, me një ndjenjë fajësie të rëndë, se ishte detyruar të pranonte veprimtarinë agjenturore antishqiptare.
— Më detyruan ta ndëshkoja veten me dënimin më të rëndë, burra: të pranoja se isha agjent serb, kur fisi im prej tre brezash ka qenë në luftë të përhershme me ta dhe unë vetë mezi shpëtova prej kthetrave të UDBsë, u kishte thënë një ditë Shpresimit dhe Servetit. – Është normale që fajtori të përpiqet të fshehë fajin, por a ka gjë më anormale sesa ta detyrosh një të pafajshëm të vetëshpallet fajtor? Më imponuan vetëvrasjen morale dhe tani po më vrasin për çdo ditë edhe fizikisht; kjo është brenga më e madhe e jetës sime.
E njëjtë me brengën time, kishte thënë me vete Shpresimi.
Kudo që shkonte nëpër mjediset e brendshme të kampit, diçka bëhej shkak për t’i zgjuar kujtimin lëndues të dy bashkëvuajtësve të ndarë njëkohësisht prej tij. Sa herë përgatiste kafen me xhezvenë e Servetit, i kujtohej se me sa takt kishte arritur ish-mësuesi i historisë ta bënte ortak në pirjen e kafesë, e cila me kalimin e kohës i ishte bërë kërkesë e dorës së parë.
Shpresimit i dukej sikur dëgjonte endé jehonat e bisedave të përditshme që kishin zhvilluar duke pirë kafe në kuzhinën private, pas leximit të detyruar të shtypit. Edhe xhaketën që mbante veshur ia kishte falur Serveti. Megjithë nostalgjinë që i mbillnin në shpirt, kujtimet rreth tyre ishin zëvendësuesit më të mirë të dy bashkëvuajtësve që i mungonin. Pa ta, ai nuk bënte dot.
Comments (0 posted)
Post your comment