* * *
Ishte ditë e diel dhe të burgosurit i kishin lënë pushim, për ta zhvilluar kontrollin me qetësi. Ata u futën në minierë të veshur me rroba punë dhe me llambat e karbitit në dorë. Tek një kryqëzim galerish në thellësi të minierës ndaluan. Përgjegjësi i ekipit të kontrollit shpalosi nën dritën e llambës së karbitit një hartë, e cila pasqyronte zhvillimin e punimeve të vitit të kaluar.
Nga Agim Hamiti
Pas tre muajsh, Shpresimi kërkoi të dilte përsëri në punë.
— Si mund t’i përgatisësh e t’i transportosh trupat pa gishtin e madh të dorës? e pyetën në Zyrën Teknike.
— Plaga më është përtharë dhe nuk kam më dhimbje fare. Jam i bindur se mungesa e gishtit të madh të dorës së majtë nuk më pengon as në përdorimin e sëpatës, as në transportimin e trupave. Në qoftë se do të ndiej vështirësi, muajin pasardhës do të heqë dorë vetë nga puna.
Zyra Teknike kishte urdhër prej komandës së kampit që të mos i linte pa shfrytëzuar daljet vullnetarisht në punë të të burgosurve. Me organikën e 1 marsit 1969, Shpresimi rifilloi punë në përgatitjen dhe transportimin e trupave për në minierë. Në dorën e majtë mbante vazhdimisht një dorashkë leshi. Ai punonte njësoj si më parë, për të mos krijuar përshtypjen se mungesa e gishtit e pengonte. Ky ishte një muaj prove për të dhe ai nuk donte ta humbiste atë vend pune.
Edhe tek puna Shpresimi i kishte të pranishëm kujtimet e shokëve të humbur rishtas. Sa herë i shkonin sytë tek dy shkarkuesit e vagonëve me mineral, Shpresimit i dukej se atje ishte edhe Serveti. Kjo edhe për arsyen se njëri prej tyre i ngjante mjaft në shtat.
Tek sheshi ku stivoheshin trupat e përgatitur të drurit, ai shikonte me trishtim vendin e përleshjes së Demirit me Shkëlzenin. I dukej sikur atje kishte akoma njolla gjaku dhe e anashkalonte vendin ku kishte dhënë shpirt djaloshi kosovar. Edhe kur çonte trupa brenda në minierë i kujtoheshin frontet e punës, ku Shkëlzeni kishte vuajtur aq shumë nën trysninë e policisë, ndërsa ai ishte përpjekur ta ndihmonte në atë luftë shpirtmarrëse. Ngado që e vërtiste puna, nuk kishte vend që të mos ta lidhte fillin e mendimeve të Shpresimit me kujtimet rreth dy shokëve bashkëvuajtës. Ato e turbullonin, por i mbanin gjallë në shpirt praninë e tyre.
Me daljen në punë, Shpresimi synonte ta çonte deri në fund detyrën për të cilën u ndëshkua Serveti. Djaloshi kosovar nuk e kishte parashikuar dot, se etja për krim e atyre që po e flijonin pa faj nuk do të shuhej vetëm me marrjen e jetës në moshë aq të re. Ata do t’i luftonin edhe eshtrat e tij, duke e kthyer varrin në një mollë sherri. Sikur ta kishte ditur këtë, Shkëlzeni zemërmirë nuk do t’ua kishte lënë amanet vendndodhjen e varrit dy bashkëvuajtësve të tij.
Mundohuni të më harroni, vëllezër, se kështu do të jetë më mirë për ju, kishte qenë një nga porositë e tij të fundit, duke menduar edhe në atë çast fatal për qetësinë e bashkëvuajtësve që linte pas. Kjo sjellje e tij e nxiste edhe më tepër Shpresimin për ta gjetur me çdo kusht varrin e Shkëlzenit. Serveti e kishte sqaruar me saktësi në cilin vend mendonte se duhej të ndodhej ai:
— Ku mbaron E Përpjeta e Sizifit, po e kapërceve qafën, nuk duket më kampi. Pikërisht tek ajo qafë fillon të zgjatet teposhtë një shpat kodre, i cili përfundon në një copë vend të sheshtë me një grumbull shkurresh. Për ta parë këtë më mirë, duhet të zbresësh përgjatë shpatit 30 m, të paktën. Ndanë të këtyre shkurreve, ose në mes të tyre, duhet të ndodhet varri i Shkëlzenit. E kam vëzhguar me vëmendje të madhe gjithë territorin brenda rrethimit të minierës dhe e them me bindje të plotë se nuk ka vend më të fshehtë e më të përshtatshëm nga ai atje.
Pas transferimit të Servetit në burgun e Burrelit, Shpresimi mori vesh se polic Prenga kishte qenë duke përgjuar tek një vend me shkurre, kur një i burgosur kishte shkuar atje dhe, pas thirrjes «ndal!» të policit, kishte lëshuar sëpatën në drejtim të tij e kishte vrapuar nëpër mjegull.
Pasi vrojtoi me kujdes edhe vetë territorin e rrethuar, Shpresimi arsyetoi: Serveti ka pasur të drejtë; veç atje, s’ka vend tjetër me shkurre brenda rrethimit.
Ai priste rastin e përshtatshëm për të shkuar tek shkurret. Për këtë nuk do të nxitohej, se mund ta pësonte si Serveti.
*
Në mesin e muajit mars shkoi në minierën e Spaçit një ekip kontrolli i Ministrisë së Industri-Minierave. Ata vrojtonin një herë në vit mbarëvajtjen e ecjes së punimeve me të burgosur dhe gjendjen teknike në tërësi të minierës së Spaçit. Atë ditë shoqëroheshin prej drejtorit të ndërmarrjes së shfrytëzimit të minierës, kryeinxhinierit, komandantit të kampit dhe shefit të policisë.
Ishte ditë e diel dhe të burgosurit i kishin lënë pushim, për ta zhvilluar kontrollin me qetësi. Ata u futën në minierë të veshur me rroba punë dhe me llambat e karbitit në dorë. Tek një kryqëzim galerish në thellësi të minierës ndaluan. Përgjegjësi i ekipit të kontrollit shpalosi nën dritën e llambës së karbitit një hartë, e cila pasqyronte zhvillimin e punimeve të vitit të kaluar. Kryeinxhinieri vendosi përbri saj një skemë të punimeve të kryera dy muajt e parë të vitit në vijim.
— Sa të burgosur punojnë në minierë gjatë të tre turneve? pyeti përgjegjësi i ekipit të kontrollit.
— 360, u përgjigj kryeinxhinieri.
— Punimet kanë ecur me ritëm shumë të lartë, sikur të kishin punuar njëmijë vetë, pavarësisht se baza teknike është e mangët. Përgëzimet tona, shoku drejtor!
— Përparimi me këtë ritëm i punimeve nuk është meritë e drejtorit të ndërmarrjes, por e policisë që i detyron të burgosurit ta tejkalojnë përditë normën, tha shefi i policisë buzagaz. – Madjé, drejtori duhet kritikuar për mungesën e theksuar të bazës materiale.
— Nuk mbahet gardhi me një hu, ia priti drejtori, i prekur nga vërejtja e bazuar e shefit të policisë. – Secili prej nesh jep kontributin e tij në suksesin e përbashkët. Meritë e kujt është që gjysmën e furnizimit me ushqime, të cilat u takojnë të burgosurve të nëntokës, ne ia kalojmë kuzhinës së repartit ushtarak për policët, oficerët e ushtarët tuaj? Po borderoja shtojcë e përpiluar nga operativi çdo muaj për të shpërblyer mjaft të burgosur, të cilët nuk dalin fare në punë, prej kujt firmoset? Vërtet harxhet janë të të burgosurve, por, pa mirëkuptimin tonë, komanda e kampit nuk do të bënte dot asnjë hap në këtë drejtim. Për sa i përket bazës së domosdoshme materiale për mbarëvajtjen e punës në minierë, ne kemi qenë korrektë gjashtë muajt e parë. Më pas, ju vetë na propozuat që të furnizonim më shumë sektorët me punonjës të lirë, se për të burgosurit politik ishte një luks i pamerituar respektimi i rregullave të sigurimit teknik në punë.
— Ku bëjmë dot ne pa njëri-tjetrin, u përpoq të ndërronte pllakën shefi i policisë, duke i rrahur krahët drejtorit që kishte folur i indinjuar. – A mund të krenohet dot nofulla e sipërme se e bluan mirë ushqimin, në qoftë se e poshtmja nuk do të përplasej pas saj?
*
Pasi kontrolluan frontet kryesore të punës në vazhdim, përgjegjësi i ekipit ministror të kontrollit bëri një vërejtje serioze në drejtim të mirëmbajtjes së minierës:
— Drejtor, është detyrë urgjente veshja me trupa e pjesës më të madhe të galerive, ku vazhdojnë punimet. Në procesverbalin përfundimtar ne do të
saktësojmë detyrat tuaja konkrete në të ardhmen e afërt. Mirëmbajtja e galerive nuk është vetëm një kërkesë teknike për sigurimin e jetës së atyre që punojnë atje, por edhe një domosdoshmëri për jetëgjatësinë e vetë minierës. Në qoftë se komanda e kampit e ka quajtur luks të pamerituar për të burgosurit politikë respektimin e kërkesave të sigurimit teknik në punë, ju duhet ta quani një masë profilaktike për të evituar shembjet masive dhe abandonimin e minierës. Prandaj duhet të organizoni një aksion masiv për veshjen me trupa të galerive, përndryshe do të kemi pasoja të padëshirueshme.
— Ja ku është komandanti i kampit, ia ktheu drejtori. – Në marrëveshje me të, ne do të nxjerrim në punë disa të diela rresht brigadën e armatorëve, e cila është e specializuar për mirëmbajtjen e minierës. Ajo merret vetëm me veshjen e galerive me trupa. Kjo do të bëjë të mundur që të respektohen udhëzimet tuaja teknike dhe të vazhdojmë ritmikisht tejkalimin e planit në nxjerrjen e mineralit. Kësisoj, mishi piqet dhe helli nuk digjet.
— Dakord, vendosi në çast komandanti i kampit. – Veç duhet të sillni sa më shumë trupa.
— Krahët shëndoshë, komandant, pa trupa do t’ju sjellim sa të doni.
— Krahët janë të armiqve të partisë dhe nuk na zë fort meraku edhe po nuk qenë shëndoshë. Gjersa nuk patën mend, do të kenë patjetër krahë, për t’i shlyer me punë fajet e tyre.
Një e qeshur e përgjithshme mbylli fletën e kontrollit.
Comments (0 posted)
Post your comment