Home | Literature | * * *

* * *

image
«Shamia e çmallimit dhe këto mollë e trëndafila janë burime kujtimesh mallëngjyese për mua», mendonte Shpresimi. «Vërtet më krijojnë dhimbje, por më ripërtërijnë shpirtërisht».

 

 

 

Agim Hamiti

 

 

 

 

 

Shpresimi dhe ortakët e tij po vishnin rrobat e punës, kur brigadieri i lirë hapi derën e barakës.

— Dy nga ju, përgatitësit e trupave, do të qëndroni në punë edhe turni i dytë. Dhe jo vetëm sot, por disa të shtuna radhazi. Personi i tretë le të shkojë në kamp; e bëni me radhë. Me urdhër të komandës, brigada e armatorëve do të dalë në punë disa të diela rresht, mbasi është bërë problem deri në ministri mbetja zhveshur e galerive ku punohet. Duke ndenjur edhe turni i dytë për çdo të shtunë, ju do të përgatisni jo më pak se gjashtëdhjetë palë trupa druri që armatorët t’i gjejnë gati të nesërmen.

— Po trupa betoni nuk do të vendosin ata? pyeti njëri prej ortakëve të Shpresimit.

— Nesër, jo. Javën e ardhshme, të shohim. Aksioni do të përqendrohet kryesisht në galeritë e fronteve aktuale të punës. Trupat e betonit përdoren vetëm në galeritë kryesore.

*

Përgatësit e trupave nisën në kamp më të moshuarin e tyre. Shpresimi me ortakun tjetër qëndruan në punë, ku ua dërguan ushqimin e drekës me të

burgosurit e turnit të dytë. Për të përgatitur gjashtëdhjetë palë trupa të tjerë, atyre u duhej të punonin edhe pesë-gjashtë orë akoma. Në qoftë se të nesërmen brigada e armatorëve nuk do t’i gjente trupat gati, përgjegjësia e dështimit të aksionit binte mbi ta. Dhe përgjegjësia e një të burgosuri politik quhej sabotim.

Frynte një erë e fortë nga juglindja, e cila ua vështirësonte punën. Herë pas here binte nga një rrëpirë shi. Kishte kaluar ora tetë e mbrëmjes, kur shiu filloi me rrebesh. Atyre u duhej të përgatisnin edhe katër palë trupa akoma, për të plotësuar normën e caktuar prej brigadierit të lirë. Gjysmë të lagur, vrapuan në barakën prej llamarine ku zhvisheshin. Pas pak njëra prej llamarinave u shqye dhe uji i shiut filloi të binte brenda. Era vazhdonte e fortë dhe nga çasti në çast baraka mund të shkulej e tëra. Ata vrapuan tek dera e dhomës së policëve. Ortaku i Shpresimit trokiti.

— Kush është? thirri nga brenda njëri prej atyre.

— Jemi ne, përgatitësit e trupave. Na prishi era barakën dhe po lagemi në shi.

— Shkoni në strehën e sallës së transformatorëve, sa të shkojë ora e nisjes për në kamp.

Derisa arritën atje, ata u bënë ujë. Rrobat e punës nuk i kishin hequr kastile, për të mos lagur edhe ato të kampit. Këto i kishin futur në qeska dhe po i ruanin me kujdes.

— Kam harruar trikon e leshit varur në një gozhdë të barakës, u kujtua shoku i Shpresimit. – Do të shkoj ta marr, se kushedi nga do ta flakë era. Apo do të vish dhe ti, se ky shi me erë njësoj po na lag, si këtu dhe atje.

— Unë do të qëndroj dhe ca këtu, ndoshta pakësohet shiu, pastaj do të vij atje. Derisa të shkojmë përsëri tek baraka, ne do të jemi bërë qull. Ti ec interesohu për trikon.

— Atje të pres.

Ai u sul me vrap drejt barakës gjysmë të prishur. Një minutë pas ikjes së tij, Shpresimi rrëmbeu një levë hekuri një metërshe të mbështetur tek dera ku ata ishin strukur dhe u sul gjithashtu me vrap, por në një drejtim tjetër. Vetëtimat që pasonin njëra-tjetrën ia ndriçonin mirë rrugën. Zbriti shpatin e kodrës dhe u gjend në mes të shkurreve, pranë vendit për të cilin kishte muaj që ëndërronte. Atij i tërhoqi vëmendjen një copë tokë në mes të shkurreve, sipërfaqja e së cilës ishte pa barishte të gjata si vendi përqark.

Mbas disa goditjesh me levë, u bind se ajo ishte e punuar rishtas, jo e fortë si pjesa tjetër. Në saje të një serie goditjesh me majë të levës, Shpresimi arriti të saktësonte konturet e varrit. U shtri mbi të, pa pyetur për shiun që i kishte hyrë në palcë, dhe e puthi disa herë tokën.

Ai ishte i bindur se shpirti i djaloshit kosovar e ndiente praninë e tij.

Pastaj futi levën në pjesën më të dendur të shkurreve dhe iu ngjit me vrap shpatit përpjetë. Nëpër shi, shkoi tek ortaku i strukur në një qoshe të barakës së shkallmuar nga era.

*

Ky fillim i mbarë i dha zemër Shpresimit. Atij nuk i duheshin më tepër se dhjetë minuta kohë e lirë në errësirën e orës së fundit të turnit të dytë për të shkuar deri tek varri i Shkëlzenit, të qëndronte dy minuta e të rikthehej me shpejtësi tek vendi i punës. Veçse dhjetë minuta të sigurta, jashtë çdo dyshimi.

Gjatë ditëve që shkoi në punë turni i parë, Shpresimi u interesua dhe gjeti dy rrënjë trëndalili të egër e dy mollë të egra, të cilat shfaqeshin tek-tuk në shpatet e kodrave të Spaçit. Ai i shkuli dhe i vendosi në një gropë të fshehtë ndanë të stivës së trupave të drurit, pa harruar t’iu hidhte ujë rregullisht.

Të shtunën e tretë, gjatë orës së fundit të turnit të dytë, ai gjeti rastin të shkonte përsëri tek vendndodhja e eshtrave të djaloshit kosovar. Duke u hapur nga një gropë të vogël me levën e fshehur në shkurre, Shpresimi i mbolli dy mollët tek kreu e fundi i varrit, ndërsa dy trëndafilat në të dy anët në mes të gjatësisë së tij. Në këtë mënyrë ai jo vetëm që zbukuronte banesën e fundit anonime të piktorit të ri, por saktësonte përgjithmonë konturet e varrit objekt urrejtjeje. Koha do të bënte punën e saj, duke e vështirësuar në të ardhmen përcaktimin e vendndodhjes së atij varri.

— Po, tani ky është një varr, jo një gropë, siç u pëlqen ta quajnë ata, tha me vete Shpresimi, i gëzuar që ia arriti qëllimit. – Ai do të ketë dhe vizitorin e tij, i cili nuk do të ngurrojë të vijë ta përshëndes.

Lagështia dhe toka e përshtatshme për ato lloj bimësh, të cilat i kishte nxjerrë në dritë pa ndihmën e njeriut, sollën rritjen dhe lulëzimin në vazhdimësi të mollëve dhe të trëndafilave të egër. Këto bimë të egra zbukuronin dhe mbronin nga egërsia njerëzore varrin e piktorit të ri, i cili i kishte shijuar aq shumë lulet dhe ngjyrat.

*

Vitet kalonin e, ndërsa vetë Shpresimi dalëngadalë po thinjej, mollët e trëndafilat rriteshin e lulëzonin. Kur i krijohej mundësia, ai shkonte atje, u punonte rrënjët e i ledhatonte si fëmijë. Shkëlzeni nuk ishte më i vetmuar.

«Shamia e çmallimit dhe këto mollë e trëndafila janë burime kujtimesh mallëngjyese për mua», mendonte Shpresimi. «Vërtet më krijojnë dhimbje, por më ripërtërijnë shpirtërisht».

 

 

Fragment nga Romani " ENIGMA E NJË BRENGE ", i Agim Hamiti-t

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0