Home | Literature | * * *

* * *

image
— Mos e nënvleftëso shumë fjalëzën ―ish”. Vërtet ajo është e vogël, por sjell pasoja të mëdha, përmbysje të realitetit. Ajo do të thotë: nuk është më. Prej shumë vitesh, ish-bashkëshortja është një e huaj për ty.

 

 

 

 

Nga Agim Hamiti

 

 

 

 

 

Në vjeshtën e vitit 1977, autoburgu me 15 fatkeqë brenda tij çoi në kampin e Spaçit një të njohur të Shpresimit. Ata kishin qenë banorë të një lagjeje. Krahas keqardhjes që ndiente për fatkeqësinë e bashkëfshatarit, Shpresimi mezi priste të mësonte gjithçka kishte ndodhur në fshat gjatë dekadës së mungesës së tij. Por, në radhë të parë, ai duhej ta respektonte bashkëfshatarin sipas rregullave të burgut. E ftoi për kafe dhe i uroi një lirim të shpejtë me ndihmë të Zotit. Një

formulë ngushëlluese, e cila thuhej e dëgjohej shpesh në ato mjedise. Duke qenë palë e mundur e luftës ndërnjerëzore, i burgosuri ëndërron për aleancë hyjnore.

*

— Kur të kanë arrestuar? u interesua Shpresimi, tek po pinin kafe.

— Më 25 mars.

— Për agjitacion?

— Po.

— U dhé vetë shkak, apo qe një veprim i planifikuar?

— Pata një grindje të ashpër me Rasimin, magazinierin e kooperativës bujqësore. Më akuzoi, pa të drejtë, për vjedhjen e një sasie fare tërfili, të cilën e gjeti më vonë tek dikush tjetër.

— Atje ke vazhduar të punosh, në mirëmbajtjen e magazinës dhe të bazës së saj materiale?

— Deri në nëntor të vitit të kaluar. Pas grindjes, më përzunë prej andej. Muajt e fundit punoja në bujqësi.

— Nuk u kënaq Rasimi që të përzuri nga puna pa të drejtë, por u bë shkak edhe të të arrestonin?

— Mendoj se nuk është nismë e tij, por e Nihatit, kryetarit të këshillit. Ky e ka kushëri të parë magazinierin. Pas grindjes time me Rasimin, më thirri në zyrë në prani të Petritit, ish-operativit të zonës sonë kur je arrestuar ti. Tani ai punon në DPB të rrethit, si shef i punonjësve operativë të Korçës. Të dy më bënë presion të pranoja se kisha përvetësuar farën e humbur të tërfilit, meqenëse fajtori nuk po gjendej akoma. Natyrisht, unë nuk mund të merrja përsipër një vjedhje që nuk e kisha bërë dhe u acarova në bisedë me ta. Pasi nuk ia arritën dot qëllimit të synuar, Nihati më kërcënoi: «Unë doja ta mbyllnim midis nesh këtë punë, duke e kthyer vullnetarisht atë që ke përvetësuar. Meqenëse nuk po pranon, të pret hetuesia. Atje do të japësh llogari mirë për të gjitha. Apo të duket se kemi harruar që xhaxhai yt është i arratisur?». Petriti tundte kokën në mbështetje të fjalëve të kryetarit të këshillit.

«E kuptova që do ta kisha pisk punën dhe u interesova edhe vetë për të gjetur fajtorin e vërtetë. Nuk ma priste mendja që ata do të vepronin aq shpejt ndaj meje. Unë ndodhesha i arrestuar prej dy muajsh, kur e kishin zbuluar vjedhësin e farës së tërfilit. Për ta mbyllur kollaj fletën time, më dënuan për agjitacion.

— Të shkuara, mos u mërzit! Si gjithë të tjerët, edhe ti. Këtu nuk gjen dot kollaj fajtorë, pa të pafajshëm si ti e si unë janë shumica.

— Pse edhe ti i pafajshëm je, Shpresim?

— Ti më di fajtor?

— Jo vetëm unë, por opinioni i fshatit në tërësi i tillë ishte. Pas dënimit tënd, një ditë që kishte mbledhje populli në vatër të kulturës, operativ Petriti e tregoi para të gjithëve procesverbalin e firmosur nga ti në hetuesi, se pranoje fajin me

të cilin të ngarkonte aktakuza.

— Do ta mësosh të vërtetën me kohë, këtu jemi, psherëtiu Shpresimi. – A ke nevojë për ndonjë veshmbathje a gjësendi tjetër?

— Na dhanë nga dy palë ndërresa e uniforma burgu. Po pate ndonjë sapun, ma jep. Birucat e Korçës ishin plot me morra dhe dua të bëj disa herë radhazi banjë derisa të heq merakun, se vazhdon të më kruhet trupi.

— Jo vetëm sapun, por edhe një peshqir ta kesh rezervë, kur do që ta lashë tjetrin. Mos harro, nesër do të hamë drekë bashkë. Unë kthehem nga puna rreth orës katër. Ti merr vetëm racionin e bukës në drekë dhe prit mua.

— Faleminderit, por nuk është nevoja të mundohesh e të shpenzohesh, se ti shkon në punë. Veç bashkëfshatarë, tani ne do të jemi dhe bashkëvuajtës; duhet t’ia qajmë hallin njëri-tjetrit.

— Kjo është një arsye më tepër, jo më pak, ia ktheu Shpresimi buzagaz.

*

Të nesërmen ai u kthye nga puna me një krah dru, të cilat i çoi drejt në kuzhinën private. Ndezi zjarrin, vuri një tenxhere me ujë për të valuar dhe shkoi të merrte racionin e bukës. Atë drekë Shpresimi gatoi tavë me patate dhe hapi dy konserva peshku, që i kishte blerë në dyqan.

— Si e kishit ushqimin në hetuesi, Hyrjet? e pyeti bashkëfshatarin, kur po ndante patatet nëpër tasat e aluminit.

— Shumë të keq. Supa pa vaj, që na jepnin, një ditë ishte bajate, ditën tjetër shëllirë. Por, me kalimin e kohës, njeriu i shkretë mësohet me gjithçka.

— Me përjashtim të fajësisë së rreme. Është e tmerrshme të pranosh se je fajtor, pa bërë asgjë të keqe. Me këtë nuk mësohesh dot kollaj.

— As nuk duhet ta pranosh atë që nuk e ke bërë. Po e pranove, do të thotë se ke filluar të mësohesh edhe me fajësinë e rreme.

— Ashtu është, kur e gjykon me ngé e në qetësi. Mirëpo, kur të mbushin mendjen se pranimi i fajësisë të shpëton prej dënimit, helmi të duket mjaltë.

— Është vërtet për të ardhur keq, kur ndodh kështu. Unë e provova vetë hetuesinë dhe e pranoj se dhuna e pamasë e detyron njeriun të marrë përsipër edhe diçka që nuk e ka bërë. Por të pranosh faj, për t’i shpëtuar dënimit, është si të duash të shuash zjarrin me benzinë.

— Kur bëhesh skllav i ndjenjave, nuk shikon më nga sytë, të duket shkëmbi shesh. Nga dëshira e madhe për të mos humbur familjen, unë i dhashë mundësi hetuesit të më vriste me dorën time. Brejtja e vazhdueshme e ndërgjegjes është një dënim tjetër për mua tani.

— E kam të qartë gjendjen tënde, Shpresim, dhe më vjen shumë keq. Mundohu ta harrosh atë që ndodhi se, veç dëmit, nuk i sjell vetes asnjë dobi.

— Nuk varet më ajo nga unë, por unë prej saj. Nejse, mjaft folëm për çështjen time. A të doli ndonjë dëshmitar nga fshati, për të vërtetuar akuzën?

— Kam aktakuzën në xhep. Na lexoje vetë më mirë.

*

Ndërkohë që Shpresimi nisi të lexonte aktakuzën, Hyrjeti shkoj në banjë. Kur ky u kthye prej andej, Shpresimi ishte zbehur në fytyrë, tek po rilexonte për të tretën herë radhazi një fragment të saj:

Lidhur me veprimtarinë propagandistike të të pandehurit në qendër të punës, dëshmitarja Pranvera Hyseni ka deponuar në hetuesi si më poshtë:

«Ishte 16 tetori 1973. Unë po pastroja një portret të udhëheqësit të partisë në hyrje të magazinës ku punoja. Punonjësi i mirëmbajtjes, Hyrjet Sako, m’u afrua pranë e më tha: “Qoftë hera e fundit që festohet kjo ditëlindje, Pranvera!” Unë u trondita dhe e shikova e habitur. Ai vazhdoi: “Pse më shikon ashtu? Mos do të thuash se të dhimbset ai që na bën të këndojmë, kur jemi për të ulëritur?” E kishte fjalën për grupin folklorik të fshatit, i cili po jepte koncert në vatrën e kulturës, ngjitur me magazinën. Në të vërtet, ndjehej nga frymëmarrja që kishte pirë raki.»

— Pse nuk ma the qysh në fillim këtë, Hyrjet? Të të dalë dëshmitare ish-bashkëshortja ime dhe unë ta marr vesh rastësisht, duke lexuar aktakuzën tënde...

— Mos e nënvleftëso shumë fjalëzën ―ish”. Vërtet ajo është e vogël, por sjell pasoja të mëdha, përmbysje të realitetit. Ajo do të thotë: nuk është më. Prej shumë vitesh, ish-bashkëshortja është një e huaj për ty. Sigurisht, nuk të vjen mirë të mësosh gjëra të tilla për të, por, gjersa ajo është gruaja e Rasim Rrapit prej afro një dekade dhe nuk do ta dijë nëse ti rron apo jo, ç’përgjegjësi morale mund të kesh ndaj saj?

— Pse, me Rasim magazinierin është martuar, djalin e xhaxhait të Nihatit, kryetarit të këshillit?

— Pikërisht. Dhe mbles ishte vetë Nihati me mbështetjen aktive të Petritit, operativit të zonës.

— Më fol më gjerësisht, me që ra fjala...

Zëri i Shpresimit doli i mekur.

— Një muaj pas dënimit tënd, Nihati e sistemoi Pranverën me punë në magazinën e kooperativës. Të gjithëve na erdhi mirë, pasi kishte për të rritur vajzë dhe duhej të interesohej sadopak edhe për ty në burg. Më vonë e mësuam që ajo kishte bërë divorcin, para se të punësohej në magazinë. Shpejt u kuptua se qëllimi i interesimit të Nihatit dhe Petritit nuk kishte qenë i mirë.

«Pasi e shkëputën nga ti, ata u interesuan që Pranvera të martohej me Rasimin, të cilit i kishte vdekur gruaja. E nxitur ca prej vendit të punës me Rasimin mbi kokë, ca nga premtimet e propaganda e Nihatit dhe e Petritit lidhur me braktisjen e familjes prej teje, dhe më shumë nga çoroditja prej fatkeqësisë që i ra, Pranvera iu nënshtrua planit të tyre.

«Qysh prej martesës së Rasimit me Pranverën, Nihati me Petritin shkonin si në shtëpinë e tyre tek ata. Këta dy të fundit e quajnë baxhanak njëri-tjetrin, mbasi i kanë gratë kushërira të para, por janë prapësitë ato i që i lidhin më shumë midis tyre. Siç e lexove në aktakuzë, prej katër dëshmitarëve që më dolën në hetuesi e në gjyq, tre ishin nga fshati ynë. Të tre të përgatitur prej

Petritit e Nihatit, të cilët janë bërë si një çift ujqërish për gjithë zonën.

— Çfarë e ka detyruar Rasimin të pranonte që Pranvera të të dilte ty dëshmitare? Ai vendin e punës e ka siguruar prej kohësh, s’ka ç’pretendon më tepër.

— Së pari, fakti që ai nuk mund të ketë fëmijë me Pranverën e bën që t’i shikojë marrëdhëniet me të më tepër si marrëveshje bashkëjetese, sesa si martesë. Ata nuk do të kenë përzierje gjaku midis tyre dhe përherë do të jenë gjysmë të huaj për njëri tjetrin. Tekefundit, ai ka dy vajzat e tij. Atëherë, pse duhej të ngurronte për të forcuar pozitat në marrëdhëniet me pushtetin? Në rastin konkret ndikonte edhe dëshira për t’u hakmarrë ndaj meje pas grindjes.

«Nga ana tjetër, Pranvera ishte shumë e interesuar për të ardhmen e vajzës. Një ditë tek puna më tha me gojën e saj: ―Do të bëj çmos për të ardhmen e Manushaqes. Nuk dua që ajo të kalojë një jetë si e imja. Dëshiroj të bëhet mjeke, përndryshe nuk justifikoj dot asgjë në ndërgjegje për divorcin me Shpresimin.‖ Ata kanë shfrytëzuar këtë dëshirë nëne për qëllimet e tyre të mbrapshta, duke ia kushtëzuar shkollimin e vajzës me kontributin në bashkëpunim me organet e pushtetit. Vetëm prej një kushti të tillë është thyer deri në atë masë sa ka pranuar të më dalë dëshmitare në gjyq. Veçse duhet të pohoj se ka thënë të vërtetën. Unë isha pak i ngrohur nga rakia, por kisha edhe besim tek Pranvera kur ia thashë ato fjalë.

«Këtë shtator Manushaqja ka filluar shkollën e mesme mjekësore në Vlorë, më tha vëllai në takimin që bëra me të në kaushin e Tiranës. Unë nuk do të mbetesha pa u dënuar, edhe sikur të mos kishte pranuar Pranvera të më dilte dëshmitare. ―Me pesë mijë lekë ne gjejmë dhjetë dëshmitarë për ty‖, me thoshte shpesh hetuesi.

— Secili përgjigjet për vete të tij, tha me gjysmë zëri e i zymtë në fytyrë Shpresimi. – Por s’ke ç’i bën; guri që rrokulliset bie poshtë, nuk ngjitet lart.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0