* * *
- A mund të qajë njeriu prej ndjenjës? A mund të qajë njeriu prej ndjenjës det të thellë, ankth frymëmarrës malli, shqetësim pranveror polenesh dhe dilemës është apo nuk është mjaftueshëm, brenda një shpirti malldrobitur, i flatrave të lumturisë, të dashurisë? A mund të qajë njeriu? Apo nuk ka gjë të tillë? Ekziston vetëm tërheqja fizike dhe kontakti fizik? Të puth ballin e freskët, lehtë e gjatë që të shporret dhimbja.
Nga Vladimir Marku
Ata komunikonin çdo natë, në fakt, çdo mesnatë dhe filluan ta quanin njëri - tjetrin me lloj lloj emrash të bukur nate. Kur ishte e lodhur, Oriana kishte dyshime lidhur me mbajtjen e Jonës, por, kur ishte në humor, pa thënë që do ta mbaj, ëndrronte dhe habitej se si do të bëhej nënë në atë moshë. Orioni, jo pa humor, i kujtonte se të parët bëheshin prindër që katërmbëdhjetë vjeç. I tregonin njëri - tjetrit ditën e tyre, vraponin në shtëpi pas shkolle e pune, sepse u dukej sikur ishin bashkë, dëgjonin të njëjtën muzikë bashkë ose shikonin të njëjtin film. Malli i torturonte.
Jashtë këtyre, dendur, ata mbërtheheshin keq në diskutime filozofike mbi dashurinë e shoqërinë, fatin dhe rastin, mendimet liberale dhe ato konservatore. Një ballafaqim moshash dhe kohësh, por edhe pikpamjesh dhe karakteresh. Një sistem i çuditshëm shtytjeje dhe tërheqjeje. Dy shpirtëra siamezë që vinin nga kohë të ndryshme, por që në shumicën e rasteve gjenin pika të përbashkëta. Sidoqoftë ata më shumë shijonin rastet e “debateve” sepse, në këto raste, ata thelloheshin, kërkonin e gërmonin, korrigjonin dhe bëheshin më të mençur me njëri - tjetrin.
- Ka shumë mungesë dashurie, shoqja ime.
- Ma përkufizon dot dashurinë, shoku?
- E vështirë është. Më ler ta provoj: Një lidhje, një bashkim, një tërheqje me ngarkesë emocionale që, kur përjetohet pozitivisht, mund të kemi ndjenja të tilla si ekstazë, njësim me të dashurën/dashurin, lumturi seksuale, krijueshmëri dhe bekim sikur të jemi në shoqërinë e zotit. E kundërta e kësaj është pikërisht ajo që bëjnë shumica sot dhe që kuptojnë me fjalën dashuri. Kjo është fiksimi, një fantazi vet-shërbyese, një zakon, një kurth, një varësi emocionale dhe financiare.
E thënë ndryshe: në rastin e parë mund të themi se dashuria është e vërteta më e madhe që duhet të zbulojë çdo njeri për vete. Në rastin e dytë, ne instiktivisht biem dakord me thënien, “Nuk është dashuria ajo që e sjell botën rrotull, por është ajo që e bën kalërimin t’ia vlejë.”
- Faktikisht dhe fatkeqësisht kjo e dyta po legalizohet përditë e më shumë.
- Zemra ime, si e ke në përgjithësi ti, do të të kenë të dashur, por nuk do t’i kesh? Kërkon reciprocitet? Të pëlqen që të tjerët të prononcohen, por për vete nuk do ta bësh? Apo varet nga cilësia dhe shkallët e ndryshme të përjetimit brenda çdo njeriu? Si e mendon ti?
- Eh, ku mund të trajtohen me sms pyetje të tilla! Gjithsesi mendoj që njeriu krijon një ide paraprake, pavarësisht sa afër të vërtetës është. Kjo e përgjithshme mund të mos jetë aq e madhe sa të japësh një përgjigje fikse se si e ka njeriu. Çdo gjë varet nga situata dhe personi. Nëse unë nuk dua, nuk do të doja në asnjë mënyrë që edhe personi tjetër të prononcohej, sepse krijohen situata të pakëndshme, dhe nuk dihet për cilin më shumë. Unë nuk kam ndonjë ekuacion që të varet nga cilësia. Si e kam unë më mirë? Çdo gjë është spontane, ashtu si e ndiej dhe pa e menduar shumë.
- Oh, mos më keqkupto, zemër, sigurisht është siç thua ti, por e kisha në përgjithësi për gjëra që kanë të bëjnë me natyrën e njeriut. Ka që thonë “Më mirë të të duan, se sa të duash”, ose “unë të dua me mënyrën time”, ose “ç’të bëj unë, mos më duaj kaq shumë”, pa përmendur ato ose ata që, të lidhur me ty, flirtojnë e mbajnë një tjetër në tiro.
- Nuk jam asnjëherë dakord personalisht me “më mirë të të duan se sa të duash”. Mua më pëlqejnë shumë gjërat reciproke, pasi çdo gjë është më e thjeshtë. Por në mungesë të tij, do preferoja më mirë të dua se sa të më duan. Mendoj se është diçka që të pasuron. Nëse do, ndjen diçka të bukur në vetvete, pavarësisht nga tjetri. Ndërsa rastin e parë do ta shikoja si mungesë totale të besimit në vetvete. Dmth ke nevojë të të duan sepse do të ndjesh ekzistencën e vetes tënde.
- “... dhe pa e menduar shumë ...! Spontane! A nuk mendon se kjo të angazhon në një farë mënyre dhe i jep vetes një pozicion për të cilin duhet të jesh e ndërgjegjshme dhe e përgjegjshme? Apo pikërisht ky pamendim e spontaneitet ditën tjetër mund ta ndërrojë pozicionin si pa gjë të keq? Duke lënduar një njeri? Mendon se dikush që ndjen duhet të ketë një shtyllë kurrizore? Por nuk është se nuk jam dakord me atë më lart.
- “Të dua me mënyrën time” ... hmm, nuk di se si t’i përgjigjem kësaj. E kam dëgjuar edhe unë. Mendoj se mund të ketë mënyra të ndryshme individuale se si mund të sillesh në një dashuri që varen nga karakteri, por mënyra e të dashuruarit besoj se një është. Ndryshe emrin nuk do ta kishte njëlloj për çdo mënyrë.
Jam dakord për çfarë thua për pozicionet e ndryshme si edhe përgjegjshmërinë dhe ndërgjegjen, ... mirëpo edhe duke menduar shumë humbet sinqeriteti në ato që ndjen dhe në ato që do. Madje spontaneiteti mund të jetë më i çiltër se përgjegjshmëria. Ato që thua janë të vërteta, dhe të thjeshta kur mendja dhe shpirti tek ty ecin në të njëjtin kah.
- A mendon, zemër, se një ditë do të dashurosh dikë fort (ia di vetes që je e aftë për këtë?) dhe ky do të të dashurojë po kaq fort? A mendon se në këtë rast duhet dhe mundesh të qëndrosh besnike dhe e përkushtuar duke menduar se bukuria e kësaj gjëje është pikërisht këtu? Një mënyrë është: “... të dua me mënyrën time” që mendoj se këtu nuk ka dashuri dhe është thjesht një alibi. Apo të duken anakronike këto që po them?
- Besim dhe përkushtim. Thonë: “Nuk ka mashkull që të mos tradhëtojë.” Është pothuaj e vërtet. Nuk e di në jam e aftë të dua deri në këtë pikë. Po ndodhi, e di që do jetë me besim e sinqeritet të plotë. Tradhëtia dhe gënjeshtrat më duket se e zhvlerësojnë shumë një person apo një lidhje.
- Po, jam dakord, tradhëtia e gënjeshtrat janë letra zumpara që e gërryejnë një marrëdhënie, por nëse ka gënjeshtra e tradhëti dmth aty nuk ka pasur kurrë dashuri. Kurse lidhur me spontaneitetin tënd, hmm, nuk është thikë me dy presa? Nesër mund të bëhesh pishman për një gjë spontane dhe të shkaktosh dëme të pariparueshme. Ose ne të dy nuk kuptojmë të njëjtën gjë me spontane. Po, mirë, çfarë do të thotë për ty të dashurosh dikë?
- Çdo të thotë për mua të dashuroj? Nuk e di. Mund të thuhet me fjalë? Nuk e di, e mbase nuk do isha e aftë ta them me fjalë. Vetëm me vështrim mund ta them ..., kur ta them, nëqoftëse e them.
- Pra, ti lidhjet i mendon të përkohshme?!! Duaj dikë përkohësisht e ik tutje, gati për tjetrin? Mos të keqkuptova?
- Jo, e kam fjalën që unë nuk kam menduar që të lidhem me ndonjeri ndonjëherë, e jo të mendoj për tërë jetën. Nëse i afrohem dikujt, pa i vërtetuar ndjenjat e mia, nuk e mendoj lidhjen. Pastaj, pas vërtetimit të ndjenjave e mbas lidhjes deri në një pikë e kupton nëse është personi me të cilin do kalosh jetën. Nuk i mendoj si të përkohshme lidhjet, por as si të përhershme. Më shumë si një rrugë për ta zbuluar këtë e për të ndërmarrë hapat e tjerë që vijojnë.
- Çështje pikpamjesh. Natyrisht njohja e plotë dhe përputhja janë të ndërlikuara e duan ca kohë. Por skandalizohem për ditë e më shumë nga adoleshentët, jo vetëm për mendimet e çmendura, por edhe që i thonë pa ngurim. Nuk besoj se të bezdisi kjo bisedë. Them që ia vlente.
- Jo, nuk më bezdis, përkundrazi. Po përse thua çështje pikpamjesh? Ti gjithmonë e mendon si të përhershme një marrëdhënie? Po i bie që të martohesh që ditën e parë. Martesa është një lidhje e përhershme. Si mund ta shikosh një lidhje si të përhershme kur nuk e ke provuar ende këtë lidhje? Kur nuk e di se si është?
- Shiko, e kam fjalën që për njeriun që do e që do lidhesh, sipas meje, shpreson që ai ose ajo është Ai ose Ajo, engjëlli yt i jetës. Dhe e pranova që kërkon ca kohë, por njerëzit fokusohen kaq shumë pas seksit sa i neveriten njëri - tjetrit pa kuptuar akoma bukuritë dhe vlerat e shoqi - shoqit mirë.
- Të kuptoj, por tjetër është dëshira që çdo gjë të funksionojë, e tjetër ta shikosh të funksionojë, pra të përhershme, pasi varet nga personi. Unë nuk do e shikoja asnjëherë si të përhershme një lidhje pa qënë e bindur se funksionon si e tillë, pavarësisht dëshirës sime.
- Mikja ime, ndonjëherë mendoj se ke mendime liberale për marrëdhëniet shoqërore, por njeriu evoluon me vitet, mëson që ka edhe kode në marrëdhëniet “casual”, të çliruara, si i quan ti, por që mendoj se nuk janë të afta të konsolidohen. Nuk mërzitem, ta rregulloj “samarin” në të pafsha gjëkundi.
- E di, e di që do ma rregullosh qejfin. Të vij të të përqafoj pak? Se unë dua të fle.
- Variant i mirë për të mos u prononcuar: “Unë dua të fle”. Studim të mbarë pastaj ëndrra me lëng frutash tek lokali ynë. Të kam xhan deri në fjalën e dhënë dhe të përqafoj me bukurinë e detit.
- O goceee! Vjen ti apo unë nga një kohë tjetër? Si një shoqëri që rron vetëm në efir! Më ka marrë malli shumë! Të kam xhan sa një univers. Të përqafoj bukur e fort për të të hequr mendimet “futja kot”. Gjumë të ëmbël. Unë të shikoj.
- Natën e mirë me ëndrra plot dritë dhe muzikë.
- Nuk të iket? Hajde ik tani se të erdha!
- Të ka marrë malli? Mua po.
- O, zemër, edhe pyet?! Ç’është malli?
- Ndjenjë, vjen nga mungesa e diçkaje që do.
- Asnjë figurë letrare. Është etje.
- Por etja nuk është ndjenjë. Kështu që nuk është mall.
- Kur ke etje, të mungon uji. Ke mall.
- Por si mund të përkufizohet malli? Nuk ka fjalë ta përkufizojë.
- Ky malli, ku e ka qendrën? Unë e kam si një siklet që fillon nga fundi i stomakut dhe mbërthen mushkritë. Pra, fillon tek Solar Pleksus, qendra energjike e nënndërgjegjes. Prandaj ndiejmë shumë gjëra aty si inati, frika, padurimi, xhelozia. Aty ndodhen kujtimet dhe ndjenjat dhe kontrollohen funksionet e pandërgjegjshme të njeriut.
- Natën prapë. Nëse nuk vjen ti do të vij unë.
- A mund të qajë njeriu prej ndjenjës? A mund të qajë njeriu prej ndjenjës det të thellë, ankth frymëmarrës malli, shqetësim pranveror polenesh dhe dilemës është apo nuk është mjaftueshëm, brenda një shpirti malldrobitur, i flatrave të lumturisë, të dashurisë? A mund të qajë njeriu? Apo nuk ka gjë të tillë? Ekziston vetëm tërheqja fizike dhe kontakti fizik? Të puth ballin e freskët, lehtë e gjatë që të shporret dhimbja.
- Unë uroj që të ekzistojë, shpirti im, ajo lumturi që më përshkruan, ajo ndjenjë e mall, ndryshe shumë e shëmtuar do të ishte jeta, pa vlerë më. Duhet të ekzistojë, buzëqeshja ime.
- Më vjen mirë që do të besosh, se ekziston kjo gjë e bukur. Të kam plot gjëra të bukura e të ngrohta, të vyera e të vërteta.
- Unë jam këtu, nonstop, plot mall.
- Dua të fle tani me muzikën e heshtjes tënde dhe ylberin e syve të tu. Të kam univers dhe jetë!
- Si do më përcaktoje me një fjalë, zemra ime? Me një fjalë unë të përcaktoj “e ngrohtë”. Me shumë fjalë janë me mijëra përkufizime në fjalor.
- Unë me një fjalë do të të përcaktoja “i dashur”. Për veten time je “buzëqeshja ime”.
- Je lodhur? Mirë, mbushi sytë e bukur me gjumë që, kur t’i hapësh, të shpërndash gëzim.
- Gëzimi im, ç’po bën? Mua më dhemb koka.
- Mbylli sytë e fli tani e do të vij të të puth tek balli që të iki dhimbja e kokës. Ndonjëherë, miku im, ndihem në atë mënyrë sa me fjalë nuk e shpreh dot e do të të doja të ishe këtu me mua.
- A ekziston ti? Mendoj nganjëherë se e gjithë kjo është një ëndërr.
- Ekzistoj, more, si nuk ekzistoj. Nuk i ndjen përqafimet e mia mbrëmjeve dhe mëngjezeve ti, kur je në gjumë?
- Karakteri - shumatorja e predispozicioneve të njeriut ndaj veprimit, ku përfshihet të menduarit dhe të folurit.
- Moraliteti dhe imoraliteti janë çështje kohe, aq sa i duhet mendimit të bëhet veprim. Sot duan ta ndajnë mendimin nga veprimi, por nuk ka veprim pa mendim. Ka mendim pa veprim. Është çështje kohe.
- Hedonizmi - rendja pas kënaqësive si qëllim në vetvete. Element esencial imoraliteti.
Comments (0 posted)
Post your comment