* * *
— Ne e vlerësojmë daljen vullnetarisht në punë të një të burgosuri me raport mjekësor, por kjo nuk të shkarkon nga detyrimi i respektimit të përpiktë të rregullores. I shoqëruar prej dy policësh, do të shkosh t’iu tregosh vendin ku ke dalë jashtë.
Agim Hamiti
Turni i parë nuk kishte përfunduar së ngrëni drekë, kur tellalli thirri tek hyrja e mensës:
— Shpresim Bogoni të paraqitet tek porta e vogël, se e kërkon oficeri i rojës.
Prej andej Shpresimin e shoqëroi një polic deri në zyrën ku e prisnin oficeri i rojës, polici i punës, nënoficeri i rojës dhe polic Marku, sekretari i organizatës bazë të partisë. Në krah të tyre, zjarrmëtar Pashku.
— Pse je larguar nga fronti i punës në mbarim të tetorëshit? e pyeti oficeri i rojës.
— Pata një krizë barku dhe nuk kisha ku të futesha në mes të ditës.
— More leje prej policit të punës?
— Nuk kisha kohë të gjykoja gjatë.
Oficerit të rojës i shkuan sytë tek gishti i prerë i Shpresimit.
— Vullnetarisht del në punë?
— Po, prej disa vjetësh.
— Ne e vlerësojmë daljen vullnetarisht në punë të një të burgosuri me raport mjekësor, por kjo nuk të shkarkon nga detyrimi i respektimit të përpiktë të rregullores. I shoqëruar prej dy policësh, do të shkosh t’iu tregosh vendin ku ke dalë jashtë.
— Ajo qe diçka e befasishme dhe unë nuk i kam vënë shenjë vendit ku dola jashtë.
— Mund të them dy fjalë, shoku shef? ndërhyri në bisedë zjarrmëtar Pashku.
— Patjetër. Pikërisht ti, si dëshmitar okular, do ta ndash shapin prej sheqerit. Megjithatë unë desha ta vija edhe një herë në provë ndërgjegjen e tij, por më kot. Pashk, po të dëgjoj.
— Pas përfundimit të mbushjes së birave me dinamit dhe ndezjes së minave, më kishte tepruar një pako eksploziv. Për të mos ta transportuar deri në krahë në depo, vendosa ta fshehja në disa shkurre. Fshehja e dinamitit brenda rrethimit është e ndaluar, por ky gabim i imi pati të mirën e tij. Kisha zbritur deri në mes të kodrës, kur pashë Shpresimin të ngjitej me shpejtësi. E pyeta nga vinte dhe më tha të njëjtat fjalë, si juve pak më parë. Nuk e besova dhe e kontrollova me vëmendje gjithë vendin e veshur me shkurre. Askund nuk pashë jashtëqitje. Në mes të shkurreve ishte një copë tokë e pastruar dhe një rrënjë molle e egër me një gur të ngulur rrëzë saj. Mbi gur, dy cigare. Ato duhet të jenë vendosur sot, mbasi ishin të pastra e të padëmtuara, megjithëse mbrëmë ka rënë shi.
— Nuk po e kuptoj këtë, Pashk.
— Unë jo më tepër nga ju. Vetëm ju thashë atë që kam parë në realitet.
— Faleminderit shumë, për sa na the, Pashk, ndërhyri sekretari i partisë, i cili ishte një ndër policët e parë të kampit të Spaçit. – Ky është një informacion shumë i rëndësishëm. Shoku shef, iu drejtua ai oficerit të rojës, i burgosuri duhet futur menjëherë në birucë. Më pas do ta zbardhim lehtë të vërtetën e sjelljes së tij. Pashku dhe nënoficeri i rojës mund të largohen.
Propozimi i policit partiak u transformua në urdhër prej oficerit të rojës.
Ata të dy mbetën vetëm në zyrë. Oficeri i rojës kishte tre vjet që kryente detyrën e shefit të stërvitjes së repartit ushtarak në kampin e Spaçit. Ai nuk e kishte përjetuar ngjarjen, për të cilën filloi ta sqaronte Marku:
— Dhjetë vjet më parë, në zonën e dytë të minierës, është vrarë një i burgosur gjatë grindjes me një shok pune. Ai është varrosur brenda rrethimit, diku afër vendit që përshkruante zjarrmëtar Pashku. Vendosja e cigareve atje është shenja e qartë e vizitës pranë një varri. Më shumë informacion për këtë çështje do të na japë nënoficer Prenga, i cili e ka groposur viktimën me disa të burgosur ordinerë. Po shkoj ta thërras.
Pasi mësoi ndodhinë e ditës në zyrën e oficerit të rojës, polic Prenga u interesua për emrin e të burgosurit.
— Shpresim Bogoni.
— Ai gishtpreri që punon në përgatitjen e trupave?
— Pikërisht.
— Doni ta dini si e ka humbur gishtin ai? Duke u përpjekur të shpëtonte Shkëlzen Gramin, kosovarin e groposur atje, prej goditjeve me sëpatë të Demir Sojakut, personit që e vrau. Ai është i lidhur herët me këtë ngjarje. E thërrisni këtu, ta pohojë me gojën e tij.
— Po Demir Sojaku ku ndodhet? u interesua oficeri i rojës, i cili po habitej me pështjellimin e kësaj ngjarjeje dhjetëvjeçare.
— Një muaj pas vrasjes së kosovarit, ai pësoi hemorragji cerebrale gjatë hetuesisë në Tiranë dhe vdiq, e sqaroi sekretari i partisë. – Prej andej na erdhi procesverbali i vdekjes, për t’i bërë çregjistrimin në kamp. Në zyrën e kartelistit ndodhet gjithë dosja e ngjarjes.
Oficeri i rojës urdhëroi t’i sillnin Shpresimin prej qelisë.
— Ku e ke humbur gishtin, në jetën e lirë apo në burg?
— Në burg.
— Gjatë punës?
— Po, në orarin e punës.
— Gjatë punës dhe në orarin e punës, nuk është njësoj.
— Duke u përpjekur të ndaja dy të burgosur që u grindën tek vendi i punës.
— Cilët ishin ata?
— Demir Sojaku dhe Shkëlzen Grami.
— Si përfundoi grindja?
— Lexoni procesverbalin e ngjarjes, ose t’jua shpjegojnë policët e pranishëm, se e dinë më mirë të vërtetën.
— Dua ta dëgjoj nga ti.
— Unë e thashë atë që dija.
— Nuk më the si përfundoi grindja.
— Nuk më kujtohet; ka kaluar shumë kohë.
— Ti i ke vendosur cigaret tek gropa e Shkëlzenit?
— Unë nuk e pi cigaren dhe nuk di të ketë gropë apo varr brenda rrethimit.
— Mund t’i bëj një pyetje, shoku shef? ndërhyri polic Prenga, i cili mezi po
duronte pa folur.
— Dy po deshe; ne prandaj të thirrëm këtu.
— E ke njohur të burgosurin Servet Dautllari ti, Shpresim?
— Po.
— Je shoqëruar shpesh me të, kur ishte këtu, apo jo?
— Po.
— Pse e transferuan atë në burgun e Burrelit?
— Nuk di gjë. Servetin e kanë marrë nga biruca për ta çuar atje. Nuk jemi takuar fare bashkë, që ta di shkakun e transferimit.
— Po ty prej birucës do të të çojmë në burgun e Burrelit? pyeti me ironi sekretari i partisë.
— Unë jam i burgosur dhe ju mund të veproni si të doni.
— Ne veprojmë sipas ligjeve, jo sipas dëshirës, e mori fjalën përsëri oficeri i rojës. – Në bazë të sjelljes këtu, ti duhet çuar urgjentisht në burgun e Burrelit. Por provoji edhe ca ditë birucat e Spaçit, të çmallesh me to.
Polic Prenga, triumfatori i përhershëm i asaj ngjarjeje, i tha oficerit të rojës:
— Për fat, sot ndodhet këtu edhe shef Paskali, ish-operativi i kampit në atë periudhë. Ai ka shtatë vjet me detyrë në MP të Brendshme, por e njeh me hollësi çështjen e Gramit.
— Aq më mirë; do ta diskutojmë këtë problem me të, ia ktheu oficeri i rojës.
Fragment nga "ENIGMA E NJË BRENGE", i Agim Hamiti-t
Comments (0 posted)
Post your comment