Romani "Loja, shembja e qiellit", promovim në Tiranë
Promovimi i romanit "Loja, shembja e qiellit" do të bëhet të Mërkurën, më 20 Shkurt, në Muzeun Historik Kombëtar, Tiranë. Ky është romani më i ri i autorit Bashkim Shehu.
Drama psikologjike e një të riu në një raport problematik me autoritetin atëror, me autoritetin pushtetor dhe me autoritetin e Zotit. Kjo trajtohet në romanin e ri të shkrimtarit Bashkim Shehu "Loja, shembja e qiellit", promovimi i të cilit do të bëhet të Mërkurën, më 20 Shkurt, në Muzeun Historik Kombëtar, ku do të jetë i pranishëm edhe autori. Rini e ndërprerë, dëshira dhe dashuri të gjymtuara: i përndjekur nën diktaturë me internim dhe me burg, i çorientuar në post-diktaturë, i rrethuar “nga një valle marramendëse fantazmash që e ka ndjekur gjithë jetën”, siç thuhet në roman, kërkon rrugëdalje nëpërmjet fesë dhe nuk arrin të besojë. Është miqësuar ndërkaq me një prift françeskan, bashkëvuajtës i tij, tek i cili gjen mbështetje shpirtërore. Dhe dikur, mbas burgut, vendos të shpaguhet për mikun: një shpagim pa dhunë, e megjithatë i tmerrshëm, i pamëshirshëm. A mund t’i shkojë gjer në fund asaj që ka vendosur? Në fabulën e romanit ndërthuren skena të dy epokave, duke përfshirë edhe ngjarje reale të futjes së armëve në Kuvendin Fraçeskan të Shkodrës nga Sigurimi i Shtetit.
Comments (0 posted)
Post your comment