Home | Literature | * * *

* * *

image
— Përkundrazi, na ktheu mungesa e një harrese. Sa dolëm jashtë, nënoficer Prenga na bëri të ditur një ngjarje të pakëndshme. Tani do të vijë oficeri i rojës t’ju raportojë rreth saj. Meqenëse u ndodhëm këtu, dëshironim të ishim edhe ne të pranishëm.


 

 

 

 

Nga Agim Hamiti

 

 

 

 

 

 

 

Prenga nuk donte më shumë. Ky ishte një rast i veçantë për t’i treguar shef Paskalit vigjilencën e tij dhjetëvjeçare lidhur me këtë ngjarje të vlerësuar posaçërisht prej ish-operativit. Ta kishte mirë me shef Paskalin, i cili ishte kuadër disavjeçar i MP të Brendshme, do të thoshte shumë për interesat e një polici të thjeshtë si ai.

— E, Preng, si po ia kalon, a je mire? i foli Paskali duke dalë nga zyra e komandantit të kampit, para së cilës po e priste polici i buzëqeshur.

Ky e nderoi në pozicionin drejtqëndrim.

— Faleminderit, shoku shef, ju si jeni?

Ai u shtrëngoi dorën edhe dy kuadrove të tjerë të ministrisë, të cilët e kishin vënë Paskalin në mes.

— Si shkojnë punët në kamp, Preng? Armiqtë e partisë nuk heqin dorë vullnetarisht prej mendimeve të tyre të errëta. Duhet t’ua ktheni jetën në ferr këtu. Ky ka qenë polici me të cilin jam kuptuar më mirë, kur isha punonjës operativ i këtij kampi, u tha Paskali kolegëve që e shoqëronin.

— Dëshiroja t’ju flisja pikërisht për një ngjarje që kemi trajtuar bashkë dikur.

— Fol, Preng, fol pa ndrojtje! Këta të dy janë bashkëpunëtorët e mi.

— Ju kujtohet, shoku shef, çështja e varr... e gropës, më falni, të agjentit të UDBsë, Shkëlzen Grami, i cili është groposur para dhjetë vjetësh brenda rrethimit, tek zona e dytë e minierës?

— Si s’më kujtohet, mor Preng! Po të kishte kujtesë kaq të dobët partia jonë për armiqtë e saj, vajhalli! Atëherë ata do të hidhnin valle nën hundën tonë. Pikërisht kjo ngjarje m’u kujtua, kur u fola këtyre shokëve për ty. Si është puna, Preng? Akoma nuk e ka mbuluar harresa atë gropë të mallkuar?

Duke parë sesi ndryshoi çehrja e Paskalit tek po i përmendej ai varr, dy kolegët e tij u bënë kureshtarë.

— Fatkeqësisht jo, shoku shef. Pikërisht sot atje ka shkuar një i burgosur dhe ka vendosur dy cigare.

— Po ne, atëherë, e transferuam në burgun e Burrelit një të burgosur, të cilin ti e kape atje në flagrancë. Tjetër është ky?

— Shoku i ngushtë i atij është. Gjithmonë bashkë kanë ndenjur të tre, para se Grami të vritej dhe ai tjetri të transferohej prej këtej.

— Kjo është ngjarje e rëndë. Si s’na foli komandanti i kampit për këtë çështje?

— Është e freskët, akoma nuk i është raportuar komandantit prej oficerit të rojës, i cili po merret me këtë problem së bashku me shokun Mark, sekretarin e partisë.

— Lajmëroi të dy të vijnë urgjentisht në zyrën e komandantit të kampit. Edhe ti bashkë me ta.

— Si urdhëron, shoku shef.

Prenga sa s’fluturonte prej gëzimit, kur pa shef Paskalin dhe dy kolegët e tij të riktheheshin në zyrën e komandantit. Ai po bëhej nismëtar i një mbledhjeje urgjente kuadrosh të lartë, figura qendrore e së cilës do të ishte vetë.

 

Komandanti i kampit u habit kur i pa ata të tre të hynin përsëri në zyrën e tij.

— Pse u kthyet, shoku Paskal, keni harruar ndonjë send?

— Përkundrazi, na ktheu mungesa e një harrese. Sa dolëm jashtë, nënoficer Prenga na bëri të ditur një ngjarje të pakëndshme. Tani do të vijë oficeri i rojës t’ju raportojë rreth saj. Meqenëse u ndodhëm këtu, dëshironim të ishim edhe ne të pranishëm.

— Me kënaqësi. E rëndë ngjarja?

— Pothuajse. Sa vjet keni me shërbim në kampin e Spaçit, shoku komandant?

— Katër.

— Ngjarja në fjalë ka ndodhur para dhjetë vjetësh, kur unë shërbeja këtu. Dikush prej të burgosurve i ka ngacmuar dregëzën.

— Cili?

— Ja, erdhi oficeri i rojës me shokun sekretar dhe Prengën. Ata kanë mbajtur një procesverbal për këtë çështje.

Komandanti filloi të lexonte pa zë:

«I burgosuri Shpresim Bogoni, i cili punon në përgatitjen e trupave për veshjen e minierës, është larguar pa leje prej frontit të punës. Zjarrmëtari Pashk Nikolla e ka parë të dilte prej shkurreve në fund të shpatit të një kodre, larg nga udha prej së cilës të burgosurve nuk u lejohet të shkëputen asnjë hap. Bogoni pretendon se shkak për këtë është bërë një krizë barku e befasishme, si pasojë e së cilës nuk i premtonte koha të merrte leje tek polici. E vërteta qëndron ndryshe. Zjarrmëtari deklaron se e ka kontrolluar me imtësi vendin dhe nuk ka konstatuar asnjë shenjë jashtëqitjeje të çdo lloji qoftë. Përkundrazi, ai ka parë dy cigare të vendosura mbi një gur rrëzë një molle të egër, tek një copë tokë e pastruar në mes të shkurreve. Ato janë vendosur sot prej të burgosurit Bogoni, mbasi ishin të pastra, ndërkohë që natën e kaluar ka rënë shi. Vendosja e cigareve pranë një varri është një gjest i mirënjohur përkujtimor. Sipas dëshmive të nënoficer Prengës dhe sekretarit të organizatës bazë, shokut Mark, atje dyshohet se ndodhet vendi i groposjes së të burgosurit Shkëlzen Grami, i cili ka humbur jetën një dekadë më parë, si pasojë e një grindjeje me një bashkëvuajtës» përfundonte procesverbali i firmosur prej oficerit të rojës, Markut, Pashkut dhe Prengës.

— Kur ka ndodhur kjo ngjarje unë kam qenë në Shkollën e Bashkuar të oficerëve, tha shefi i stërvitjes.

— Po aq e panjohur është edhe për mua kjo ndodhí, shtoi komandanti i kampit. – Shoku Paskal është në dijeni të plotë të çështjes dhe mund të na ndihmojë për zbardhjen e saj.

— Patjetër; më vjen mirë që u ndodha këtu sot, e mori fjalën Paskali. – Në mënyrë që edhe ju, shoku komandant, ta keni sa më të qartë këtë çështje, duhet të thërrisni këtu shokun Kosta, punonjësin operativ të kampit. Në arkivin e ish-zyrës sime, ai duhet të gjejë një dosje kushtuar çështjes Grami. Në të ndodhet edhe një kopje e procesverbalit të mbajtur me rastin e vrasjes së këtij agjenti të UDBsë. Së dyti, nënoficer Prenga duhet të shkojë ta bëjë në vend verifikimin e ndodhisë së sotme. Ai e di me saktësi ku gjendet gropa në fjalë. Duke pasur këto dy informacione në duar, do ta zbardhim plotësisht këtë çështje që na u bë bozë.

— Preng, nisu menjëherë për ku tha shoku Paskal, urdhëroi komandanti i kampit. – Shokun Kosta po e njoftoj me telefon të na sjellë procesverbalin e asaj ngjarjeje.

*

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0