* * *
Njëri kishte arritur të arratisej prej kampit të Spaçit, por pas dy ditësh e kishin kapur forcat e ndjekjes, ngaqë ishte bllokuar prej dëborës së madhe. Dalja e tij prej rrethimeve kishte qenë befasuese për MP të Brendshme. Ai kishte kaluar poshtë njërës prej truprojave pranë portës kryesore dhe ngjitur me zyrën e oficerit të rojës. Pas asaj ngjarjeje e transferuan në burgun e Burrelit.
Nga Agim Hamiti
Sikur fytyra e Kostës të zëvendësonte figurën e tabelës Rrezik Vdekje, efekti i kësaj të fundit do të ishte më i ndjeshëm. Një fytyrë e pagjak, kockat distrofike të së cilës mbuloheshin prej një lëkure të verdhë vrarëlie. Dy gropat e thelluara të faqeve dukej sikur takoheshin me njëra-tjetrën përmes nofullave të tkurrura. Në asimetri të plotë me këto, kafka, me pjesën e sipërme mjaft të zgjeruar, krijonte përshtypjen se ishte lindur enkas e tillë, për t’i dhënë një pamje shëmtie krupëndjellëse qenies së tij të shpërfytyruar, në harmoni me shëmtinë shpirtërore që e karakterizonte. Dy sy të vegjël picërrues në thellësi të zgavrave të zgjeruara kënaqeshin vetëm kur shikonin skena vuajtjesh. Kampi i Spaçit ishte një ëndërr e jetuar për ta.
Ai hyri në zyrën e komandantit me një dosje në dorë.
— Si nuk e kisha lexuar më parë këtë ngjarje! foli Kosta më shumë me vete të tij se me ndokënd tjetër. – Faleminderit, shoku Paskal, që më ofrove mundësinë të shijoj një kënaqësi të tillë. U vonova pak, se nuk më durohej pa e lexuar deri në fund procesverbalin e ngjarjes. Më dukej sikur e ndieja sëpatën kur priste si mish-kasapi trupin e agjentit serb. Më vonë do ta rilexoj shumë herë.
— Ma jep mua! i tha Paskali duke ia marrë dosjen nga dora.
Prej andej nxori procesverbalin e atëhershëm. Befas fytyra e tij mori një pamje të menduar.
— Sa është data sot? pyeti pa iu drejtuar askujt dhe pa i shqitur sytë prej procesverbalit.
— 15 nëntor, u përgjigjën në të njëjtën kohë Kosta dhe komandanti i kampit.
— 15 nëntor 1968 - 15 nëntor 1978. E kuptoni, tani, pse janë vendosur sot cigaret tek gropa?
— Ou, këtë s’e paskam kapur dot! thirri Kosta.
— Gjithçka e qartë, u shpreh komandanti i kampit. – Të presim vetëm Prengën, ç’do të na thotë.
Sikur t’i kishte dëgjuar fjalët e komandantit, Prenga hyri në çast. Bula djerse i ndriçonin mbi ballë prej nxitimit. Ai filloi të fliste i emocionuar:
— Ashtu siç e parashikonim, i burgosuri Shpresim Bogoni ka qenë tek varri i...
— Tek gropa, thuaj! ndërhyri energjikisht shef Paskali. – Po të donim ta quanim varr, Grami do të ishte varrosur në fshatin Shëpal, si gjithë armiqtë e tjerë që do t’i lënë kockat në Spaç.
— Më falni, shoku shef, më është bërë shprehi. Pra, e them me bindje, se i burgosuri që ndodhet në birucë ka qenë tek gropa e agjentit serb, për të cilën është kujdesur prej kohësh. Dy mollë të egra të mbjella prej vitesh dhe dy trëndafil të egër përkundeshin mbi va..., më falni, mbi gro...
— Jo, Preng, jo, nuk paske gabuar pak më parë, e ndërpreu përsëri shef Paskali i dëshpëruar. – Ajo nuk qenka më një gropë e braktisur, siç mendonim ne, por një varr i zbukuruar me mollë e me trëndafila. Vetëm një gjë i paska mbetur pa bërë Bogonit: të na kishte ftuar edhe mua e ty në kremtimin e përvjetorit jubilar të vdekjes së mikut të tij agjent.
— Të them të drejtën, m’i dogji sytë ajo pamje, shoku shef. Ai na ka bërë syleshë prej vitesh. Personalisht ndihem shumë i ofenduar dhe ju kërkoj ndjesë që nuk e kam justifikuar besimin tuaj në këtë çështje.
— Nuk është gabim individi ky, Preng. A ka pasur polic tek vendi i punës ky i burgosur? Apo e ka ndihmuar edhe ai, për të gjetur mollë e trëndafila për agjentin jugosllav? Vetëkuptohet që Bogoni ka shkuar me dhjetëra herë atje, për vite me radhë. Si është e mundur të ndodhë kjo, kur ne paguajmë tetëdhjetë policë këtu, pa llogaritur ushtarët e shërbimit të detyruar? Ky është një problem i rëndë ndaj të cilit duhet të reflektojë seriozisht secili prej jush, që nga komandanti i kampit deri tek polici më i thjeshtë.
— Në radhë të parë t’i tregojmë vendin Bogonit, duke i dhënë dënimin e merituar, pastaj të gjithë të nxjerrim mësimin e duhur nga kjo ngjarje e hidhur, propozoi komandanti i kampit.
— Jo, ndjekje penale nuk do të ketë kurrsesi për këtë çështje. Bëre mirë që ma kujtove këtë pikë delikate të problemit që po diskutojmë, shoku komandant. Nuk duhet të përmendet në asnjë dokument zyrtar ajo gropë e mallkuar, që po na ndjek pas si hije. Ky do të ishte një gabim fatal, i cili do të kishte si pasojë të kundërtën e harresës që synojmë ne. Bogonin e ndëshkoni me një muaj birucë dhe brenda javës do ta transferojmë në burgun e Burrelit, me rekomandim që atje të plotësojë muajin e izolimit. Këtu dilte vullnetarisht në punë, atje le të ngordhë brenda.
«T’i shkulim një herë e përgjithmonë nga gropa e agjentit mollët e trëndafilat dhe ta punojmë gjithë vendin rrotull, për të mos u kuptuar asgjë. Këtë detyrë duhet ta çosh deri në fund ti, Preng, që e ke filluar para dhjetë vjetësh. Të gjithë atë vend atje do ta mbjellësh me driza dhe shkurre të tjera me gjemba, të cilat do t’i porositë komandanti në ndërmarrjen pyjore të Rrëshenit. Një javë apo dy, do të punosh vetëm atje me të dënuarit ordinerë. Dua që ai vend të bëhet përfundimisht i pakalueshëm për njerëzit. Vitin e ardhshëm do të vij kastile ta kontrolloj. Për sa ndodhi le t’ia lëmë gjynahet të kaluarës. Në të ardhmen nuk do të pranohet asnjë justifikim. Harresa dhe vetëm harresa do të jetë detyra dhe hakmarrja jonë ndaj agjentit serb.
— Në krah të Prengës do të jem edhe unë për këtë çështje, u zotua komandanti i kampit.
Tre kuadrot e MP të Brendshme dolën nga zyra e komandantit dhe u përgatitën për udhë.
— Përpjekja për të ruajtur një sekret ngandonjëherë bën efekt të kundërt, murmuriti shef Paskali, duke përplasur derën e veturës.
— E çoni në depo të sistemojë çantat e veshmbathjes dhe të ushqimeve, pastaj silleni në zyrën time, i urdhëroi kartelisti i burgut të Burrelit dy policët që e kapën Shpresimin prej krahësh me të zbritur prej autoburgut.
Bagazhet e Shpresimit ishin modeste. Dy çanta të vogla doku, të përgatitura prej Servetit, të mbushura lirshëm. Ndërkohë që po i sistemonte bagazhet e tij, Shpresimi po lexonte me kureshtje emrat mbi çantat e tjera, mos njihte
ndokënd. Nuk takoi asnjë emër të njohur.
Policët e çuan në zyrën e kartelistit. Ky po lexonte materialet shkresore që i përkisnin të burgosurit të transferuar.
— Pse nuk ke qëndruar mirë, t’i kaloje në kampin e Spaçit edhe dy vjet e pak që të kanë ngelur akoma për të vuajtur? Këtu do të të duken pesë vjet.
— Unë nuk kam bërë asgjë dhe as nuk e di pse më transferuan.
— Gjithë të burgosurve këto fjalë u kanë mbirë në gojë: s’kam bërë gjë. Kjo mendje ju merr në qafë. E çoni në birucë, u tha policëve, që po prisnin në këmbë.
— Pse, ç’bëra unë? pyeti i habitur Shpresimi.
— S’e ke lënë ta bësh këtu fajin, e ke bërë qysh atje. Je i dënuar prej komandës së kampit të Spaçit ta fillosh regjimin e këtushëm të burgut me një muaj izolim në qeli. Ke kohë ta mbledhësh mendjen mirë, para se të bashkohesh me të burgosurit e tjerë, në qoftë se dëshiron të kthehesh në shtëpi pas vuajtjes së dënimit të mbetur. Këto porta janë të gjera për të hyrë, por ngushtohen shumë për të dalë.
*
Shpresimin e vendosën në një qeli të veçantë. Nisur nga hapja e mbyllja e dyerve prej policëve, ai e kuptoi se edhe në tri biruca të tjera kishte të burgosur të izoluar. Si i ardhur rishtas, nuk dinte asgjë për ta. Ndjeu ftohtë dhe filloi të ecte tutje-tëhu nëpër qelinë e lartë e të ngushtë. Në faqen e brendshme të derës së birucës dhe tek-tuk nëpër mure lexoheshin emra të burgosurish, të cilët kishin pësuar të njëjtin fat para tij. Dy prej tyre i njihte. Disa vjet të shkuar kishin vuajtur së bashku në Spaç.
Njëri kishte arritur të arratisej prej kampit të Spaçit, por pas dy ditësh e kishin kapur forcat e ndjekjes, ngaqë ishte bllokuar prej dëborës së madhe. Dalja e tij prej rrethimeve kishte qenë befasuese për MP të Brendshme. Ai kishte kaluar poshtë njërës prej truprojave pranë portës kryesore dhe ngjitur me zyrën e oficerit të rojës. Pas asaj ngjarjeje e transferuan në burgun e Burrelit. Fati e kishte përplasur edhe në atë birucë, ku kishte lënë një pjesë të shëndetit dhe të identitetit të tij.
Tjetri kishte qenë viktimë e alergjisë së shtypit. Ai ishte një fshatar moshatar me arsim shtatëvjeçar, i cili nuk besonte asgjë nga ç’shkruhej në gazetat e kohës. Kur shikonte të burgosur para stendës së afishimit të shtypit ditor, afrohej pranë tyre e u thoshte:
— Më mirë ejani t’ju tregoj unë ndonjë përrallë me Nastradinin, sesa të lexoni gënjeshtrat e komunistëve. Atyre u është bërë ves mashtrimi, u ka lëshuar rrënjë në gjak. Tani, edhe sikur të duan, ata nuk e thonë dot më të vërtetën.
Kur kishte dëgjuar të shkruhej për kometën Halley, alergjiku ishte shprehur:
— E kam ditur prej kohësh që komunistët nuk lënë dot gjë pa bisht, por nuk ma kishte prerë mendja se do të arrinin të vinin edhe bishta kaq të gjatë.
Një ditë komisari i kampit u lexonte të burgosurve rubrikën Zëri i Shqipërisë, Zëri i së Vërtetës. I lodhur së tepërmi nga nervat, alergjiku kishte qeshur me të madhe në mes të heshtjes së përgjithshme dhe kishte thirrur pa marrë leje:
— E di çfarë ka të vërtetë ajo gazetë, o komisar? Vetëm datën.
Kjo i kushtoi transferimin në burgun e Burrelit dhe diçka e ngjashme i kishte kushtuar izolimin në qeli, ku e kishte kaluar kohën duke shkruar fjalët: «Ata dinë vetëm të gënjejnë.»
*
— Ti do ta çosh dyshekun midis këtyre të dyve këtu, e urdhëroi polici i shërbimit të brendshëm Shpresimin ditën që doli nga biruca.
Dy të burgosurit e tjerë, midis të cilëve duhej të vendoste Shpresimi dyshekun, filluan të lëviznin të tyret, për të liruar vendin e nevojshëm.
— Hajde, shtrëngohuni të gjithë nga pak, thirri polici duke goditur me shkop gome dërrasën në fund të krevateve kolektivë.
— Ne i kemi dyshekët të ngjitur me njëri-tjetrin, nuk shtrëngohen dot më shumë, tha një i burgosur i ri në moshë.
— Nuk do t’ju lejojmë asnjë centimetër vend më tepër nga sa parashikon rregullorja e burgut. Në qoftë se nuk i shtrëngoni dot më tepër dyshekët, aq më keq për ju. Ditën e diel do t’i nxirrni në oborr, do t’i shqepni e do t’i ngushtoni, për të mos zënë vend më tepër nga sa u takon.
— Para një muaji i kemi ngushtuar. Ja, e shikoni vetë gjerësinë e dyshekut: nuk është as një centimetër më i gjerë nga gazeta, tha i njëjti i burgosur duke e nderë gazetën, e duke u ulur mbi të.
— Pse u ule mbi gazetë, nuk të pëlqen organi i partisë ty, surrat? Dil shpejt në korridor, të shkosh ta zëvendësosh në birucë mysafirin që u erdhi. Ju të tjerët i shtrëngoni mirë dyshekët pas njëri-tjetrit dhe ta gjej të sistemuar të burgosurin e ri, kur të kthehem.
— Pse, në birucë ke qenë ti? e pyeti i burgosuri më i moshuar prej atyre midis të cilëve do të flinte Shpresimi.
— Po.
— Qëndrove shumë?
— Një muaj pa disa ditë.
— Të shkuara! Prej nga të kanë sjellë?
— Nga kampi i Spaçit. Atje më kishin dënuar me një muaj izolim të cilin e plotësova këtu.
— Pse, çfarë kishe bërë?
— Një punonjës i lirë në minierë më kishte raportuar, se isha larguar prej frontit të punës pa lejen e policit.
— Në minierë punoje?
— Jo, në përgatitjen e trupave të drurit për veshjen e minierës.
— Më fal, nëse të bezdisa me këto pyetje. Por kjo është diçka e zakonshme
këtu për një të ardhur rishtas; dukuri e hapësirës së ngushtë jetike. Aq më tepër që ne do të jemi dhe pranë njëri-tjetrit.
— Një gazetë vend i lejohet të zërë çdo i burgosur këtu?
— Po, gjerësia e vendit që na rezervohet për të vendosur dyshekun është e barabartë me gjatësinë e gazetës Zëri i Popullit, e cila mund të meritonte çdo emër, veç atij që mban. Dysheku duhet shqepur dhe ngushtuar, po të jetë më i gjerë. Sipas të folurit, kam përshtypjen se je nga Korça.
— Po, andej jam.
— Unë, nga Përmeti. Ajet Kréshpani e kam emrin.
— Shpresim Bogoni.
Ata i dhanë dorën njëri-tjetrit të ulur mbi dyshekët e rregulluar rishtas.
— Këtu është gjynah t’i thuash mirëserdhe bashkëvuajtësit, por i sapoardhuri respektohet. Si e pi kafen?
— Nuk e kam pirë ndonjëherë.
Me transferimin në burgun e Burrelit, Shpresimi kishte vendosur të hiqte dorë prej kafesë, të cilën nuk kishte si ta siguronte më.
— Sa kohë ke në burg?
— Njëmbëdhjetë vjet e katër muaj.
— Çudi, si nuk e paske mësuar! Megjithatë kafeja e takimit të parë nuk refuzohet. Një kafe nuk të bënë dëm e as të bëhet ves. Pije pa frikë. Unë do të ta përgatis të ëmbël; zakonisht kështu e pinë fillestarët.
— Jo, të mesme. Gjërat e ëmbla nuk më pëlqejnë.
— Paskemi shije të njëjtë.
Comments (0 posted)
Post your comment