* * *
— Rasti yt është i veçantë dhe detyrimet tona ndaj teje janë të posaçme. Fatkeqësia që të ka goditur aq herët në jetë duhet të ta ketë kalitur vullnetin, i cili është baza e përparimit. Me një vullnet të mbarë, ti do të arrish të mësosh, për dy vjet e ca burg që të ka mbetur akoma, aq sa nuk e ke imagjinuar ndonjëherë.
Nga Agim Hamiti
...
Jeta e Shpresimit kishte nisur e vazhduar me kufizime të drejtash.
Ai kishte lindur në një vatër familjare në prag të shuarjes. Sakrifica e nënës e solli atë në një jetë, të cilën nuk do ta kishte dëshiruar kurrë. Fati ia fali atë më tepër si detyrë se si të drejtë.
Mbasi kishte mbetur pa vëllezër e motra, ai humbi edhe prindërit, pikërisht atëherë kur ishte ndërgjegjësuar për domosdoshmërinë e tyre në jetë. Përmes dhimbjesh, Shpresimi arriti të krijonte familjen e tij. Kur njohu vlerën e pazëvendësueshme të saj, fati e ndau përfundimisht edhe prej familjes.
Në pikun e dëshpërimit, ai u takua në burg me Servetin. Të dy bashkë u afruan me Shkëlzenin. Kur marrëdhëniet midis tyre u bënë kërkesë shpirtërore e të treve, pllakosi vdekja tragjike e djaloshit kosovar dhe, pas saj e për shkak të saj, ndarja e papritur me Servetin.
I paepur në luftë me fatin kundërshtar, Shpresimi rifilloi punën me gisht të prerë. Gjetja e varrit të Shkëlzenit dhe lulëzimi i mollëve e i trëndafilave të egër pranë tij ishte një sfidë ndaj vrasësve të piktorit të ri, të cilët donin ta linin në një gropë të harruar. Triumfi shumëvjeçar në këtë luftë të heshtur me forcat e errësirës i kishte sjellë kënaqësi e prehje shpirtërore. Befas edhe ajo shkëndijë u shua. Varri i Shkëlzenit do të bëhej objekt hakmarrjeje për ata që mendonin se nuk ekzistonte më në kujtesën e askujt. Nuk dihej ç’do të ndodhte me eshtrat e tij...
Shpresimit po i rrihnin tëmthat fort tek përshkonte me imagjinatë trajektoren e errët të së kaluarës së tij mëngjesin e parë në burgun e Burrelit, në pritje të zgjimit prej policisë. Izolimi në këtë burg e kishte shkëputur nga puna, aleatja e vetme në luftë kundër mjerimit material dhe dergjjes.
«A do ta ndalë ndonjëherë vrapin në kahun e së keqes ky fati im, para se të kem dhënë frymën e fundit?» pyeti veten.
Ai tashmë ndodhej në prag të të dyzetave, kohë në të cilën fati e ka të vështirë të ndërrojë kah.
*
— Do të fillojmë, profesor? e pyetën Ajetin dy të burgosur me moshë relativisht të re.
— Patjetër. Izolimi në birucë i Qazimit na krijon pak problem, mbasi ai nuk do të jetë i pranishëm në mësim për një muaj. Sidoqoftë, ne duhet të vazhdojmë.
Ata të dy u ulën mbi krevatin e Ajetit.
— Shpresim, bezdi do ta kesh, por liroi pak vend mbi dyshekun tënd njërit prej këtyre, se nuk punojmë dot ndryshe. Ndërkohë, në qoftë se dëshiron, mund të dëgjosh edhe ti vetë.
— Me gjithë qejf po ua liroj vendin dhe me shumë dëshirë do t’ju dëgjoj, por a mund të më thoni përse bëhet fjalë?
— Këta të dy dhe ai djali që futën sot në birucë marrin mësime gjuhe dhe letërsie tek unë. Kemi një program pune të caktuar.
— Ju keni qenë pedagog?
— Po, jam diplomuar për letërsi italiane në Firence. Disa vjet kam dhënë mësim në një shkollë të mesme në Tiranë, ku kam banuar. Këtu po punoj me këta të tre që duan të zgjerojnë njohuritë e tyre në këtë fushë të dijes. Siç do ta shikosh, këtu ka edhe persona të tjerë të angazhuar për të ndihmuar të burgosurit, të cilët nuk kanë pasur mundësi të arsimoheshin siç duhet në jetën e lirë dhe që tregohen të vullnetshëm. Kështu koha kalon më mirë dhe në mënyre të frytshme. Çfarë arsimi ke ti, Shpresim?
— Gjashtë klasë. Në fillim të vitit të shtatë, të dy prindërit humbën aksidentalisht jetën dhe u detyrova ta ndërprisja shkollën, për të siguruar jetesën.
— Rasti yt është i veçantë dhe detyrimet tona ndaj teje janë të posaçme. Fatkeqësia që të ka goditur aq herët në jetë duhet të ta ketë kalitur vullnetin, i cili është baza e përparimit. Me një vullnet të mbarë, ti do të arrish të mësosh, për dy vjet e ca burg që të ka mbetur akoma, aq sa nuk e ke imagjinuar
ndonjëherë. Dhe kjo do të ndodhë në prag të daljes në jetën e lirë, po të mendosh që të tjerët kryejnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak për tre vjet.
— Faleminderit për fjalët e mira. Po ndodhi vërtet kështu, nuk do të më vijë keq për transferimin në këtë burg.
— S’ka pse të ndodhë ndryshe. Ti tashmë je i pjekur në moshë dhe vështirësitë e jetës të kanë mësuar si luftohet për mbijetesë. Këtu do ta perfeksionosh edhe më tej atë. Ndërsa me të burgosurit e tjerë unë do të punoj me orar, me ty do të punoj sa herë të kemi kohë të lirë, meqenëse i kemi dyshekët ngjitur e nuk shqetësojmë njeri. Duhet ta dish qysh tani, se ndihma ime dhe e kolegëve të tjerë këtu është falas, pa asnjë lloj detyrimi nga ana juaj, veç vullnetit për të mësuar.
— Faleminderit shumë. Duke u përqendruar në mësim, do ta largoj mendjen nga hallet e tjera.
— Bashkë mendoj ta fillojmë me rregullat e drejtshkrimit dhe përdorimin korrekt të shenjave të pikësimit. Pas disa muajsh, do të vazhdojmë me sintaksën. Nuk do të ndiesh vështirësi, mbasi në klasën e shtatë studiohet edhe në shkollë ajo. Në letërsi jemi duke studiuar rilindësit. Mendoj të vazhdosh së bashku me këta djemtë. Orarin e gjuhës e kemi paradite, të letërsisë pasdite.
Comments (0 posted)
Post your comment