Sonet Pranveruer
...dhe pranvera erdhi... Nëpër ftyra tona rrëshqiti nji gëzim dhe ndër zemra tona ngrehi një folë, e njëjetë e bukur, e një jetë e rë, me dëshira të shumta po buzqesh në lulzim. ...dhe dallndysha erdhi...
Migjeni
Me kangë në buzë e me hove të reja
u zgjue agimi pranveruer,
largësinat e hjedhta ka zatetë hareja,
n'argjent shkëlqejnë brigjet tërthuer.
Me kangë në buzë u zgjue agimi
dhe ia këndoi kangën diellit t' art
rrezash purpure dhe jetëdhurimi
me kaltrinat e thellta në qiellë të kjartë.
Me manushaqe në buzë e me andje në zemra
vajzat si biluri ndër kopshtie të gjelbra
dihasin aromat, që lulzimi derdhi,
me gji të paprekun, ku dashnia sosë
me fletza trandafilesh që flladi sjelli
dhe adhrojnë pranverën me një apoteozë.
Ekstaza Pranverore
...dhe pranvera erdhi...
Nëpër ftyra tona rrëshqiti nji gëzim
dhe ndër zemra tona ngrehi një folë,
e njëjetë e bukur, e një jetë e rë,
me dëshira të shumta po buzqesh në lulzim.
...dhe dallndysha erdhi...
si shpirti n'ekstazë, në hovin e shejt shtri;
me qiellën rroket, me diellin puthet,
dridhen krahët në hare - mandej poshtë vërsulet
t'u dhurue në cicrim përshndetje një mijë.
...triumfon bylbyli...
kangëtar plot magji në gemb të trandafiles,
në një tempo të marrë përkdheljet po shfre
e kanga kumbuese, kang' e tij pa fre,
asht si kangë Orfeji ndër telat e lyrës.
...dhe vesa shkëlqen...
në një pikë t'argjant pasqyrohet jeta
tërheqse si andrra dhe si vijzatimi
ndër orët e hyjzimit, kur shpërthen agimi
e rrezet e arta rrëshqasin ndër fleta.
... dhe pranvera erdhi...
Nëpër ftyra tona rrëshqiti një gëzim
dhe ndër zemra tona ngrehi një fole
e një jetë e bukur, e një jetë e re
me dëshira të shumta po buzqesh në lulzim.
Comments (0 posted)
Post your comment