Home | Literature | Dhuratat e panevojshme

Dhuratat e panevojshme

image
Ajo ikën, duke shtrënguar thesarin e saj – dhe tetëdhjetë e shtatë qindarkat që i mbeten...
 
 
Përkthyer nga Urim Nerguti
 
  
Dela ngjit një kat, dhe rimerr frymë para se t’i bjerë ziles. Një grua e shëndoshë, e gjerë, e zbehtë dhe e shëmtuar, vjen ta hapë. Po, është pikërisht ajo, Znj. Sofronie – pavarësisht kontrastit të dhunshëm mes pamjes së saj dhe pseudonimit sirakuzian që i ka vënë vetes.
 
« Dëshironi t’i blini flokët e mi ? pyet Dela.
- Unë jam tregtare dhe bëj pazar, thotë Sofronia. Hiqeni kapelen që t’iu hedh një sy flokëve tuaja. »
Dhe ujëvara e errët dhe e shndritshme shpështillet përsëri.
« Njëzet dollarë, thotë Sofronia, pasi e kishte peshuar mallin me një dorë të stërvitur.
- M’i jepni shpejt ! » ia bën Dela.
Përgjatë dy orëve që pasojnë, Dela endet, në gjuhën e tejpërdorur të metaforës, në një eter ekstazor. Në kërkim të dhuratës për Xhimin e saj, ajo i hulumton të gjitha dyqanet e qytetit.
Më në fund, ajo e gjen. Kjo dhuratë, pa asnjë dyshim, është punuar posaçërisht për Xhimin, për askënd tjetër veç tij. Ajo nuk ka parë asgjë të ngjashme në të nëntëmbëdhjetë dyqanet që, në kërkim të thesarit, ajo i ka rrëmuar fund e krye.
 
Është një zinxhir ore në platin, i përkorë dhe klasik, që e merr vlerën, ashtu siç duhet, nga lënda e tij e rrallë, më tepër sesa nga një gdhendje e punuar bukur. Po, vërtetë, ai është i denjë për « Orën ». Me ta parë, Dela e ndjen se ky send është bërë për Xhimin ; i përkorë dhe i çmuar, si ai.
« Njëzet e një dollarë, Zonjë. »
 
Ajo ikën, duke shtrënguar thesarin e saj – dhe tetëdhjetë e shtatë qindarkat që i mbeten. Me një zinxhir të tillë ore, Xhimi mund ta shohë tani orën në shoqëri të kujtdo. Sado e mrekullueshme që të ishte ora, i ndodhte nganjëherë Xhimit ta shihte fshehtas, për shkak të rripit prej lëkure që i shërbente si zinxhir.
 
Kur Dela mbërriti në shtëpi, dehja e saj ia la dalëngadalë vendin kujdesit dhe arsyes. Ajo ndezi gazin, nxori bigudinat e metalta, dhe iu fut punës së ngutshme për të ndrequr shkretimet e shkaktuara nga dashuria dhe bujaria. Një detyrë përgjithësisht e madhe, miqtë e mi, – po, një detyrë pothuaj gjithnjë mbinjerëzore.
 
Në më pak se dyzet minuta, kaçurrelkat e vogla të panumërta kishin kurorëzuar kokën e saj, duke i dhënë kështu një ngjashmëri të habitshme me një djalë të vogël që del shëtitje në vend të mësimit. Me të mbaruar punën, Dela u pa gjatë dhe me vëmendje në pasqyrë.
« Nëse Xhimi, tha ajo, nuk më vret menjëherë sapo të më shohë kështu, ai do të më thotë se dukem si një kërcimtare muzik-holli. Por ç’mund të bëja tjetër ? – Ç’mund të bëja me një dollar e tetëdhjetë e shtatë cent ? »
 
Ora shtatë. Kafeja është gati, dhe tigani i skuqjes, tashmë i nxehtë, pret viktimat e tij të përditshme, me ç’rast brinjë qingji.
Xhimit nuk i ka ndodhur kurrë të vijë me vonesë. Zinxhirin të mbështjellë butësisht në pëllëmbën e saj lehtësisht të ethshme, Dela është ulur në cep të tavolinës, pranë derës së hyrjes. Befas ajo dëgjon hapin e tij në shkallë, dhe zbehet përnjëherë. Sipas zakonit të saj prekës në mjaft raste të kritikuar pak a shumë, ajo bën një lutje të shpejtë, mërmërit :
« Oh Zot ! Bëni që t’i dukem ende e bukur !... »
 
Dera hapet ; Xhimi hyn dhe e mbyll. Ai është i hajthëm dhe i ngrysur. I gjori Xhim ! Vetëm njëzet e dy vjeç, dhe tashmë me barrën e familjes ! Pardesyja e tij kërkon me ngut një zëvendësim ; sa për dorashkat, ka shumë kohë që ato kanë dalë jashtë përdorimit.
Xhimi bën tre hapa, pastaj ndalet, i ngurtësuar si një qen gjuetie lepujsh përballë një derri të egër. Sytë e tij, të zgurdulluar, ngulen mbi Delën ; ata shprehin një ndjenjë të papërcaktueshme, që e tmerron Delën. Nuk është zemërim, as habi, as qortim, as tmerr, asgjë nga ç’pret ajo. Ai mjaftohet thjesht ta shohë me ngulm, me këtë pamje të çuditshme.
Dela, duke u penguar në karriken e saj, i hidhet në krahë.
« Xhimi, i shtrenjti im ! thërret ajo, mos më vështro kështu ! I kam prerë flokët dhe i kam shitur, sepse nuk do të kisha mundur kurrë t’i shoh Krishtlindjet pa një dhuratë për ty. Ato… do të rriten… mos më mbaj inat, më thuaj ? Nuk mund të bëja ndryshe… Flokët e mi do të rriten shpejt, shumë shpejt… Më thuaj : "Gëzuar Krishtlindjet !" Xhimi, le të jemi të lumtur !... Oh ! Ti nuk e di çfarë dhurate të bukur, dhurate të mrekullueshme të kam blerë…
 
- Ti… ke prerë… flokët ? pyet Xhimi ngadalë, njëlloj sikur të mos e kishte kapërdirë ende mirë këtë lajm që dukej sheshit, pavarësisht përpjekjeve mendore të dëshpëruara.




(O’HENRY)

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00