* * *
Katër dyshekë matanë tij flinte një pedagog i filozofisë. Ai kishte përkthyer dy vëllime të titulluar Heronjtë e Mendimit, të cilët ishin një pasqyrë e zhvillimit të filozofisë botërore. Citatet ilustruese të përfaqësuesve më në zë të rrymave të ndryshme filozofike e mahnitnin Shpresimin me thellësinë e qartësinë e mendimit dhe bukurinë e shprehjes.
Nga Agim Hamiti
...
Shpresimi nuk e kishte kaluar ndonjëherë nëpër mend, se mund t’i krijoheshin kushte aq të favorshme për të mësuar. Ngjitur me të flinte një pedagog i letërsisë italiane, i cili shpjegonte aq qartë edhe gjuhën e letërsinë shqipe. Ndërkohë ai u jepte mësim në italisht tre të burgosurve të tjerë.
Katër dyshekë matanë tij flinte një pedagog i filozofisë. Ai kishte përkthyer dy vëllime të titulluar Heronjtë e Mendimit, të cilët ishin një pasqyrë e zhvillimit të filozofisë botërore. Citatet ilustruese të përfaqësuesve më në zë të rrymave të ndryshme filozofike e mahnitnin Shpresimin me thellësinë e qartësinë e mendimit dhe bukurinë e shprehjes.
Në të njëjtën dhomë me të ishte dhe një historian. Ai kishte qenë autor i disa teksteve historie të shkollave të mesme dhe vlerësohej shumë prej kolegëve të tjerë intelektualë për horizontin e tij të gjerë në këtë fushë. Kur ndokush i drejtonte pyetje për ndonjë ngjarje historike, ai niste e shpjegonte me hollësi shkaqet e protagonistët e saj, kushtet shoqërore në të cilat ishte zhvilluar dhe pasojat që kishte sjellë. Kur ai fliste, në dhomë vendosej heshtje e plotë.
Shpresimi mendonte:
«Sa të dobishëm do të ishin në jetën e lirë gjithë këta njerëz të kulturuar. Gjynah që dergjen këtu!»
Ai nuk kishte arritur akoma të kuptonte se atje ku sundon injoranca, truri duhet izoluar.
Në atë dhomë burgu Shpresimi u gjend si një i uritur pranë një tryeze të mbushur me gjellë të shumëllojshme, pa e ditur se nga duhej të fillonte për të ngrënë. Atje e kuptoi që mendja e tij kishte qenë më e uritur se barku.
*
Si mbaruan punë, pas katër muajsh, me rregullat e drejtshkrimit dhe përdorimin e shenjave të pikësimit, ai po mësonte me shumë zell shpjegimet në sintaksë të profesor Ajetit. Fletoren ku mbante shënimet nuk e ndante nga dora dhe për çdo paqartësi pyeste. Profesori tregohej gjithmonë i gatshëm dhe përgjigjet e tij nuk ishin kurrë lakonike, por sqarime të plota e të qarta.
Pasdite Shpresimi ndiqte me ëndje mësimet e letërsisë. Pasi studionte një autor të rilindjes shqiptare, lexonte edhe libra të tij që ia jepte profesori. Pas leximit, ky e pyeste për ngjarjet, personazhet dhe idetë e librit, duke bërë vërejtjet e duhura apo plotësimet e nevojshme.
Një ditë Shpresimi i shprehu dëshirën profesor Ajetit që të fillonte mësimin e italishtes.
— Punët e mira bëhen ngadalë, Shpresim. Ngadalësi nuk do të thotë qëndrim në vend, por ritëm uniformë përparimi, duke këmbëngulur në cilësi. Nuk mund ta mësosh kurrë siç duhet një gjuhë të huaj, pa njohur mirë gramatikën e gjuhës amtare. Nxitimi në të mësuar krijon anarshi në tru. Atëherë mendja e njeriut i ngjan një magazine, ku mallrat janë flakur pa kriter dhe i zoti nuk di çfarë ka brenda e ku i ka. Cili është rezultati? Shpërdorim kohe, energjie e vullneti dhe, si pasojë, humbje e besimit në vetvete prej mundimit të pafrytshëm. Ti vazhdo të punosh, sikundër ke filluar, me gramatikën e gjuhës sonë dhe letërsinë shqipe. Është akoma herët të mendosh për italishten.
— Muajt po ikin; kam frikë se nuk do të arrij dot për aq kohë sa më ka mbetur.
— Të vjen keq se nuk ke shumë burg për të vuajtur akoma? e pyeti buzagaz profesori. – Dy vjet e ca studim në këto kushte, ku nuk ke ç’bën tjetër, veç leximit, janë baras me pesë vjet në jetën e lirë. Kjo është edhe koha e nevojshme për kryerjen e studimeve të një fakulteti.
74
Shpresimi provoi se të studiuarit nuk i linte kohë mendjes të merrej me të kaluarën. Puna fizike nuk e kishte arritur në të njëjtën masë diçka të tillë.
Profesor Ajeti i kishte treguar një sekret në të mësuar. Ai përsëriste me vete pjesët kryesore të mësimit të ditës, sa herë shtrihej për të fjetur. Të njëjtën gjë bënte edhe sapo zgjohej në mëngjes. Kjo ia nguliste në mendje atë që kishte mësuar dhe nuk i linte fushë të lirë imagjinatës, e cila mund t’i sillte telashe.
Shpresimi studionte me pasion. Tipi i tij i qetë e i përqendruar kishte gjetur vetveten në studim. Me këmbët e mbështjella në batanije prej të ftohtit, ai lexonte për orë të tëra. Kur detyrohej të ndërpriste leximin, për shkak të
veprimeve të regjimit të burgut, ai përsëriste me vete atë që kishte mësuar deri atëherë. Para se të rifillonte studimin, ai pyeste profesorin për ndonjë paqartësi. Ky ia shpjegonte duke i dhënë edhe shembuj të ngjashëm, po të ishte nevoja.
Sintaksa e mrekulloi Shpresimin. Arkitektura e frazave ishe një magji e shprehjes letrare, që ai nuk e kishte njohur më parë. Duke u familjarizuar me rregullat që siguronin harmoninë e të shprehurit, ai po kuptonte se gjuha e nënës, të cilën e kishte folur për gati dyzet vjet, kishte qenë endé e panjohur mirë për të. Këtë përshtypje nuk ia fshehu as profesorit:
— Keni pasur shumë të drejtë, kur më këshilluat të hiqja dorë përkohësisht prej mësimit të italishtes. Madjé, unë tani jam i mendimit se kam nevojë të mësoj të tjera gjëra, para se të më shkojë mendja për të studiuar një gjuhë të huaj, për të cilën ka të ngjarë të mos kem kohë. Duke parë boshllëqet që kam, më duket luks i parakohshëm gjuha e huaj. Kur lexoj veprat letrare të rilindësve tanë, të shkruara para një shekulli, më vjen zor që nuk e njoh si duhet gjuhën time. Pardje lexova përsëri disa faqe nga libri Heronjtë e Mendimit. Sa shprehje të bukura! Është kënaqësi kur mendon se edhe gjuha jonë e ka këtë mundësi të shprehuri.
— Ashtu është, Shpresim. Duhet ta njohësh mirë pasurinë e gjuhës tënde, para se të mendosh për të përvetësuar një gjuhë tjetër. Kur njeriu e njeh mirë gjuhën e tij, di ta flasë e ta shkruaj bukur, lind natyrshëm nevoja e gjuhës së huaj. Të duash të mësosh një gjuhë të huaj, pa njohur mirë gjuhën amtare, është njësoj si të lundrosh në det të hapur pa busull.
— Dua t’ju pyes dhe për diçka tjetër, profesor, e cila nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me mësimin, por më ka mbetur merak, se nuk arrita ta kuptoja dot. E marr me mend që është e rëndësishme, por e pakapshme për mua. Dje pasdite, besoj se ju kujtohet, dikush e pyeti profesorin e historisë: «Cila është pika më e dobët e shqiptarëve që nuk e arrijnë dot nivelin e duhur të organizimit shoqëror, për t’u bërë zot të fatit të tyre?» Ai iu përgjigj: «Prirja e të përshtaturit ndaj koniunkturave të çastit për hir të një mbijetese të çfarëdoshme, nisur nga koncepti ç’më duhet mua!»
Profesori buzëqeshi dhe i rrahu krahët.
— Nuk përtypet lehtë kjo shprehje; është kockë e fortë. Ai që e tha e formuloi kastile në këtë mënyrë, pasi i kishte frikën ndonjë raportimi në komandë. Përgjigjja e dhënë është e plotë dhe e saktë. Ne, si popull, e kemi provuar historikisht bashkimin tonë vetëm në kohën e Skënderbeut. Dhe vetëm atëherë kemi pasur histori të lavdishme. Megjithëse një popull i vogël, u mbiquajtëm mburojë e krishterimit evropian dhe Heroit tonë Kombëtar Papa në atë kohë i dha titullin Atlet i Krishterimit. Është për të ardhur keq që, qysh atëherë, ne nuk e kemi gjetur dot më vetveten. Nuk kemi arritur të ndërtojmë një shtet për të qenë, shtet me themele, si gjithë popujt e qytetëruar. Fatkeqësisht kjo nuk ndodhi as në kohën e mbretit Zog. Niveli i ulët kulturor, mungesa e traditës shtetformuese dhe patriarkalizmi i koncepteve shoqërore bëri që edhe në shekullin e njëzetë të mos ndërtonim dot një monarki të
qëndrueshme, gjë që e kishin realizuar shekuj më parë shtete të tjerë të vegjël. Madjé, mbretit tonë i mungon historia e vërtetë e sundimit pesëmbëdhjetëvjeçar, historia e jetës dhe e veprës së tij e shkruar prej njerëzve kompetentë e të autorizuar të oborrit, si në gjithë monarkitë e tjera. Këtë gjë ai nuk e bëri as pas shfronësimit, megjithëse jetoi më se dy dekada në mërgim dhe e mësoi sa shumë baltë kishte hedhur mbi figurën mbretërore diktatura shqiptare që e pasoi sundimin e tij. Një qëndrim i tillë ndaj të vërtetës historike, ndaj personalitetit të tij është i pakuptueshëm i pajustifikueshëm për një mbret. Si sot edhe në të ardhme, shqiptarët do të jenë historikisht më të informuar për Ali Pashë Tepelenën sesa për Ahmet Zogun.
«Pushteti i sotëm diktatorial po bën një punë të shëmtuar antikombëtare, duke deformuar historinë shqiptare, përfshi edhe atë të vetë partisë komuniste, e cila është ribotuar në tre versione të ndryshëm prej njëri-tjetrit. Dihet se historia e vërtetë ka vetëm një formë. Përrallat mund të ndryshohen, të përpunohen e të zbukurohen. Mungesa e historisë dhe historia e pathemeltë janë dukuri e pushteteve që nuk ndërtojnë dot shtet. Kjo është një sëmundje kronike shqiptare.
«Nga gjiri i popullit tonë kanë dalë personalitete të shquara, të cilët kanë qeverisur vende të tjerë të rëndësishëm si Egjipti, Libani, apo gjetkë. Pse jo vendin e tyre? Sepse populli shqiptar i ngjan një turme zogjsh që fluturojnë secili për hesap të tij. Kur nisin shtegtimin, zogjtë fluturojnë të organizuar, ti i ke parë. Përndryshe ata nuk do të mbërrinin kurrë në destinacion, ashtu siç nuk arrijmë dot ne të mbrojmë interesat tona kombëtare e shoqërore, të krijojmë një shtet që t’iu shërbejë shqiptarëve, jo të huajve. Kur shikon secili për vete, çështjet e mëdha braktisen dhe të gjithë dalin të humbur, me përjashtim të atyre që u shërbejnë të huajve, të cilët e pëlqejnë shumë çoroditjen shoqërore dhe punojnë për të. Pikënisja e kësaj shpërbërje është pikërisht prirja për t’iu përshtatur koniunkturave të çastit, kundër parimeve të shëndosha morale, ose e thënë me fjalë të tjera: të rroj unë, pa të tjerët le të vdesin. Kjo do të thotë të bëhesh i lëngshëm, të derdhesh me dëshirë në kallëpet e kohës, vetëm të rrosh materialisht pak më mirë se shumica.
«Kombi, atdheu, shteti, janë çështje të përbashkëta të një populli. Lufta për mbrojtjen, e tyre do të thotë luftë për mbrojtjen e hapësirës jetike të trashëguar prej të parëve, e cila është domosdoshmëri për ekzistencën dhe begatinë e çdo populli. Përgjegjshmëria morale e secilit shtetas në trajtimin e këtyre vlerave madhore të përbashkëta përbën ndërgjegjen kombëtare. Një popull i kulturuar, i ndërgjegjshëm për rëndësinë jetike të këtyre vlerave, lufton si një trup i vetëm në mbrojtje të tyre. Një popull i paformuar siç duhet, pa tradita të vërteta lirie e dinjiteti, shikon secili për hesap të vet, sot për sot, i nisur nga koncepti ç’më duhet mua me gjënë e përbashkët. Një sjellje e tillë bën që populli ynë të eci si gaforrja. Duke menduar të ndërtojë secili çerdhen e tij për të jetuar, harrohet se atdheu i ngjan një anieje, e cila mbytet po nuk u interesuam bashkërisht për të. Konkretisht, në qoftë se çdo shqiptar mendon ç’më duhet mua me interesat
kombëtare, atëherë kujt do t’i duhet me Shqipërinë? Të huajit? Po qe se do t’i lëmë problemet tona të na i zgjidhin gjithmonë të tjerët, nuk kemi të drejtë të ankohemi për trajtimin që do të na bëjnë ata. Koncepti ç’më duhet mua! është gijotina ku i pritet koka lirisë së një populli.
Comments (0 posted)
Post your comment