* * *
— Profesor, a nuk është një rast i rrallë që prej një familjeje të dalin tre vëllezër kaq të mëdhenj sa Frashëllinjtë tanë?
Nga Agim Hamiti
...
Shpresimi kishte mbi një orë që po punonte me temën e hartimit: Para bustit të Naimit, poetit e atdhetarit të madh. Mendime e ndjenja. Profesor Ajeti ishte duke lexuar. Hera-herës hidhte shikimin tek Shpresimi, i cili nuk e ngrinte kokën. Ai kishte vënë re se, sa herë i fliste për Naimin dhe veprën e tij, Shpresimi emocionohej. Përmbledhjen poetike Lulet e Verës dhe pjesën më të madhe të poemës Bagëti e Bujqësi i kishte mësuar përmendsh. Kur ia recitonte profesorit, Shpresimi skuqej në fytyrë dhe nuk donte që ky ta ndërpriste pa përfunduar poezinë e nisur. Atë ditë i kishte thënë:
— Profesor, a nuk është një rast i rrallë që prej një familjeje të dalin tre vëllezër kaq të mëdhenj sa Frashëllinjtë tanë?
— Shumë i rrallë. Në botë numërohen me gishta raste të tillë. Unë do të të jap një temë hartimi lidhur me Naimin dhe ti përpiqu të shprehësh mendimet dhe ndjenjat e tua për këtë dukuri të rrallë të krenarisë sonë kombëtare.
Kjo ishte një praktikë pune për profesorin. Kur bindej se Shpresimi e kishte përvetësuar mirë veprën letrare e atdhetare të një rilindësi, ai i jepte të punonte një temë hartimi rreth saj.
— Sa më mirë ta kuptosh një vepër letrare, aq më shumë e ndien dhe sa më shumë ta ndiesh, aq më lehtë e mban mend, e porosiste ai Shpresimin.
Ky i lexoi edhe një herë me vëmendje pesë faqet e hartimit për Naimin, pastaj ia dha profesorit, i cili e la mënjanë librin, mori një laps të kuq dhe e përqendroi vëmendjen atje. Shpresimi ndiqte me sytë katër çdo nuancë të mimikës së profesorit, i cili nuk e kishte përdorur asnjëherë lapsin e kuq, ndonëse po lexonte faqen e tretë. Dy faqet e fundit profesori i lexoi me ritëm më të ngadalshëm. Në fytyrën e tij Shpresimi dalloi reflektimin e një kënaqësie të brendshme.
— Ky hartim nuk duhet grisur, Shpresim. Edhe sikur të ta gjejë policia ndonjë herë gjatë kontrolleve që ushtron, nuk sjell pasoja. Përmbajtja e tij nuk mund të kritikohet dot as nga keqdashësit. Megjithëse diktatura nuk i ka fort për zemër Frashëllinjtë, i ka lënë gjysmë në hije, por nuk i ka përfolur siç e ka zakon. Të këshilloj ta ruash si kujtim këtë hartim të ndier e pa asnjë gabim ortografik. Të lumtë! Temat e ndiera janë më të arrirat në letërsi. Bashkëveprimi i mendjes me shpirtin sjell nektarin letrar. Mund ta them pa ndrojtje, se ke përparuar shumë në përvetësimin e gramatikës së gjuhës sonë. Edhe në studimin e letërsisë rilindëse ke ecur mirë. Mendoj se ka ardhur koha të studiosh pak histori, pa hequr dorë nga përsëritja e rregullave të gjuhës shqipe. Krahas saj mund të lexosh me ngé edhe dy vëllimet Heronjtë e Mendimit. Ndihma ime, si gjithmonë, nuk do të të mungojë. Për sa i përket
gjuhës së huaj, jam i mendimit të tregohesh pak më realist. Pas një viti ti lirohesh nga burgu. Cilat do të jenë mundësitë e tua në fshat që, krahas vështirësive të mirënjohura të jetës në kooperativë bujqësore, të shtjellosh më tej njohuritë në gjuhën italiane? Librat në italisht atje mungojnë, pa le më njerëzit që mund ta njohin këtë gjuhë.
— Ata nuk do të më flasin as shqip mua, jo më italisht.
— Aq më tepër. Një aforizëm thotë: Të mësosh një gjuhë të huaj është si të notosh kundër rrymës. Po u dhé krahëve shpejt, do të përparosh ngadalë; po nuk iu dhé krahëve, rryma të çon atje ku ishe. Në fshat ti duhet t’iu japësh krahëve shpejt për tu ushqyer. Megjithatë duhet të vendosësh vetë.
— A mund të kundërshtohet një arsyetim kaq i bazuar?
— Atëherë kam një sugjerim. Është më e dobishme ta rikopjosh Heronjtë e Mendimit, sesa ta lexosh. Kjo ka dy të mira. E para, duke e shkruar diçka, marrin pjesë më tepër shqisa se gjatë leximit. E dyta, duke e kopjuar këtë libër të mrekullueshëm, të cilin edhe vetë përkthyesi në gjendje dorëshkrimi e ka, ti do ta kesh përfundimisht tëndin dhe mund ta lexosh më vonë sa herë të duash. Ata dy vëllime janë perla të mendimit njerëzor dhe shumë të dobishëm në jetë.
— Faleminderit, profesor. Bashkëpunimi me ju është kujtimi më i mirë që do të marrë me vete nga ky burg i zi.
— Jo, bir; kujtimi më i mirë që do të marrësh me vete prej këtej është formimi yt intelektual.
75
Shpresimi merrte mësim në histori çdo paradite, ndërsa tri orë të pasdites i kalonte duke kopjuar Heronjtë e Mendimit. Shprehjet që nuk i kuptonte plotësisht i mbante shënim. Në kohën e lirë pyeste profesor Ajetin.
Një ditë vëllimi i parë i dorëshkrimit iu hap rastësisht në faqen e fundit. Nga brenda kopertinës ishte ngjitur një fletë letre e bardhë. Mbi të lexoheshin emra të burgosurish, që falënderonin me fjali të shkurtra përkthyesin për punën cilësore që kishte bërë. Njëra prej tyre i tërhoqi vëmendjen: Ju falënderoj për kënaqësinë që më sollët. Servet D. Edhe pa shkronjën e parë të mbiemrit, Shpresimi do ta kishte njohur lehtësisht prej shkrimit, se për cilin Servet bëhej fjalë. Tani që po i afronte edhe atij vetë dita e lirimit, kujtimi i ish-mësuesit bashkëvuajtës e mallëngjeu. Letra me nota melankolie që kishte marrë prej tij tregonte se ai vuante.
— I shkreti Servet, si do t’i ketë vajtur filli! psherëtiu.
*
Muajt kalonin. Profesor Ajeti, më aktiv se kurrë në marrëdhëniet me Shpresimin, interesohej që ai të përparonte në studim.
— Duhet të luftojmë vendosmërisht kundër harresës, Shpresim, e porosiste ai. – Vetëm nëpërmjet përsëritjes bëhen shprehi njohuritë e fituara.
Shpresimit i kishte bërë përshtypje një fakt në sjelljen e profesorit. Për çdo
mëngjes, kur rrezet e diellit binin tek dritarja me shufra të trasha hekuri, ai citonte dy vargje të një poeti që e kishte për zemër:
Diell, o magjistar i kësaj bote,
Kur do të ndriçosh një herë për të gjithë?
— Profesor, kam dëshirë të m’i jepni si temë hartimi këta dy vargje të bukur, me të cilët përshëndesni diellin çdo mëngjes, i tha një ditë, kur i kishte mbetur vetëm një muaj burg akoma.
— Janë vërtet dy vargje të mrekullueshëm, që më janë ngulitur në shpirt. Në jetën e poetëve të shquar ka disa çaste të bekuara, gjatë të cilëve muza nxjerr në dritë vargje të pavdekshëm. Dielli është burim i jetës. Ai ndriçon të mirat dhe të këqijat e kësaj bote, si frëngjitë e këtij burgu. Poeti, duke qenë pesimist për drejtësinë tokësore, ka kërkuar ndihmën e diellit, për të ndrequr padrejtësitë e botës që mbajnë gjallë rrezet e tij. Të ka shkuar mendja mirë, Shpresim. Kjo është një temë hartimi e goditur. Mund të fillosh nga puna.
*
Ai i përfundoi së kopjuari dy vëllimet dorëshkrim dhe filloi rileximin e tyre. Shpresimi ishte mahnitur nga fuqia dhe qartësia e mendimit filozofik. Duke lexuar kapitullin ku trajtohej mjerimi njerëzor, disa herë kishte folur me vete:
— Këtu sikur shkruhet për jetën time!
E kishte pyetur profesorin për jetën e disa filozofëve dhe kishte mësuar se ata nuk kishin vuajtur, përkundrazi. Ky fakt ia shtonte respektin për këta njerëz mendjendritur dhe dëshirën për t’i studiuar ata.
Ndërsa Shpresimi po lexonte, profesori po kontrollonte hartimin e tij me temën e zgjedhur vetë. Ndryshe nga herët e tjera, ai e rilexoi me vëmendje, bëri disa nënvizime me laps të kuq, pastaj ju drejtua Shpresimit:
— Këtë hartim do ta mbaj unë, si kujtim. Është cilësisht i denjë për temën e zgjedhur; përgëzimet e mia. Ti je në ditët e fundit të burgut, ndërsa unë kam edhe tre vjet akoma. Jam plak dhe jetës nuk i dihet. Sa herë që do ta përshëndes diellin me këta dy vargje, do të kem edhe hartimin tënd në dorë, i cili do të ma çojë mendjen tek ti me dëshirën e mirë që të ketë ndriçuar dielli edhe për ty.
— Faleminderit, profesor, por është e vështirë të ndriçojë dielli tani për mua.
— Jo, bir, jo, nuk duhet menduar kështu. I gjalli duhet të shpresojë. Të mos shpresosh, do të thotë të kesh humbur besimin tek Zoti. Ky nuk është veprim i denjë për një njeri që s’ka bërë keq kurrë. Aq më tepër që ti ke dhe emrin shpresëdhënës.
— Jeta ime nuk e ka justifikuar emrin që mbaj.
— Ti je i ri, bir. Në qoftë se ti mendon kështu, vajhalli për një person në moshën time; unë duhet të vë kujën.
— Ju keni një familje, që nuk ju ka harruar kurrë.
— Ti nuk je i vetmi me një fat të tillë. Unë kam njohur persona më të moshuar nga ti, të cilët kanë dalë prej burgut, kanë krijuar familje dhe e kanë harruar burgun. Flaki tej pesimizmin dhe mendimet e trishtuara, që squllin jetën e vyshkin të ardhmen. Tregohu i mençur, siç të paraqet ky hartim. Megjithëse ti e ke shkruar vetë, unë do të ta lexoj me zë që ta kuptosh më mirë se ç’gjë të bukur ke krijuar.
Ndërkohë që profesori po lexonte hartimin, Shpresimi dëgjonte me vëmendje. Dalëngadalë iu mbushën sytë me lot. Profesori e vuri re. Kur mbaroi së lexuari, i tha:
— Shpresim, lërmi mua emocionet, se ky është krijimi yt.
— Më falni, profesor, por nuk është hartimi që më emocionoi.
— Po çfarë?
— S’kam dashur t’ju a them më parë, por zëri juaj më ngjall shumë kujtime. Ai ngjan së tepërmi me zërin e të ndjerit babait tim.
— Edhe ndjenjat e mia ndaj teje ngjajnë së tepërmi me ato të babait tënd, të siguroj. Ti je shumë i çiltër dhe i vuajtur në jetë, dy cilësi që mua më afrojnë shumë me njerëzit. Unë e di që i ke humbur njëkohësisht të dy prindërit, por nuk kam dashur të të shqetësoja me pyetje rreth këtyre ngjarjeve të hidhura. Meqenëse kjo tani ndodhi pa dashje dhe ne jemi në prag të ndarjes, a mund të më njohësh më gjerësisht me të kaluarën tënde?
Ndërsa ai po përshkruante me vështirësi çastet më të dhimbshme që i kishin gjymtuar jetën, u erdhi radha syve të profesorit të mbusheshin me lot. Kur Shpresimi heshti, ai tha me zë të mbytur:
— Sikleti më i rëndë për njeriun është të jetojë i ndershëm në një vend ku sundon turpi.
Comments (0 posted)
Post your comment