Home | Literature | * * *

* * *

image
Gamilja u ngrit nga toka në këmbë dhe atij i dukej sikur një ashensor fare i pasigurtë i jashtëm po ngrihej nga toka. Dhe ja, tek ishte në katin e dytë. I dukej sikur toka i ishte larguar në një largësi aspak mirëndjellëse. Hapat e para dhe priste të binte nga çasti në çast. Mbahej fort i mbledhur grusht.

 

 

 

Nga Vladimir Marku

 

 

 

 

 

 

 

Ndalesa e dytë e tyre ishte midis dy piramidave të para. Arabë me ato veshjet e tyre karakteristike të gjata dhe çallma si edhe gamile që përtypeshin, të urta, por edhe të paparashikueshme. Arabët u afruan dhe arabonin me Xhonin.

 

- Çfarë bëhet këtu, Xhon? - pyeti Oriana.

 

- Po të doni mund të bëni një xhiro me gamile ... për ... 25 dollarë.

 

Orioni pa nga Oriana.

 

- Të vish deri këtu, shpirti im ... - tha Oriana pa e mbaruar mendimin.

 

Orioni e tërhoqi nga krahu disa hapa.

 

- Zemër, kam frikë. Je në muajin e katërt. Mua nuk ma mban për vete.

 

- Orion, nëse Jona është hyjnore, dhe unë tashmë e besoj, atë dhe ty, është hyjnore deri në fund. E ndiej që çdo gjë do të shkoj mirë. Por merr edhe ti një gamile.

 

- Si ta mendosh ti, zemër. Unë nuk jam edhe aq trim, por për ty po e bëj këtë “sakrificë”, - tha Orioni si me të qeshur. Por vërtetë nuk ia mbante. - Shiko, zemër, po të erdhi ndonjë erë e dyshimtë rrugës ...

 

Oriana qeshi me gjithë shpirt. Të dy shkuan tek Xhoni.

 

- Oriana do një Porsh të vogël, mua më bëj një Rolls.

 

Xhoni qeshi dhe ia përktheu arabëve që qeshën arabçe.

 

Oriana kishte përpara një gamile në këmbë. Papritur, gamilja përkuli vetëm një këmbë dhe kokën sikur ta nderonte dhe ndenjti ashtu në një heshtje solemne. Arabët filluan të thoshin “allah - allah!”. 

 

- Xhon ... - bëlbëzoi Orioni.

 

- Magjike, - tha Xhoni.

 

Oriana kishte mbetur aty pa fjalë, përpara gamiles së gjunjëzuar. U duk sikur gjithçka ngriu për një çast, pastaj Oriana zgjati dorën dhe përkëdheli kokën e gamiles. Gamilja papritur lëvizi dhe u ul në të katër këmbët. 

 

- Hajde, - i tha, - Orioni që doli i pari nga situata, - hajde të të ndihmoj të hypësh.

 

Oriana hypi dhe gamilja u ngrit ngadalë dhe me kujdes. I zoti e mbante prej litari. Pastaj hypi edhe Orioni që dukej qartë që kishte frikë.

 

- Unë nuk shquhem për ndonjë trimëri të madhe pa le të hiqem si i tillë, - bërtiti Orioni.

 

Gamilja u ngrit nga toka në këmbë dhe atij i dukej sikur një ashensor fare i pasigurtë i jashtëm po ngrihej nga toka. Dhe ja, tek ishte në katin e dytë. I dukej sikur toka i ishte larguar në një largësi aspak mirëndjellëse. Hapat e para dhe priste të binte nga çasti në çast. Mbahej fort i mbledhur grusht. Ishallah nuk e kuptonte gamilja që kishte një rrotë myzeqari lart mbi kurriz, se ishte shumë fyese për të. Këto mendonte, ndërsa shikonte se sa mirë mbahej Oriana. Një egjiptian po i filmonte dhe fotografonte. 

 

U çlirua disa çaste më vonë sepse i erdhi goja.

 

- Zemëëër, - po të bien copa Oriane nga prapa.

 

- Po më vjen erë, - nuk ia përtoi Oriana.

 

Orioni qeshi me të madhe, i çliruar, i magjepsur nga gjithçka që po ndodhte. Po, pikërisht kur po i dukej vetja si një mamluk që kishte lindur mbi gamile, ajo ngriti befas kokën, shkëputi litarin nga duart e të zotit, dhe ia theri vrapit. Orioni mendoi se kaq ishte dhe bërtiti pa vetdije: “Ku e ka rripin e sigurimit?” Por askujt nuk i erdhi për të qeshur. Shala kishte një të ngritur druri përpara për t’u mbajtur dhe ai e kishte mbërthyer me të dyja duart. Gamilja nuk ishte shumë shpejt se po i ngjitej një dune të vogël. Orioni mendoi të hidhej, por poshtë nuk e priste rërë, por një taban i fortë ranor. 

 

“Tani do më bien mua copa rrobash e copa trupi mbrapa,” mendoi ai.

 

Nga prapa u dëgjua një hingëllimë gamileje dhe gamilja e Orionit ngadalësoi vrapin dhe pastaj ndaloi. Nga prapa po vinin me vrap i zoti i gamiles dhe arabë të tjerë me në krye Xhonin. Të gjithë të shqetësuar. Por shqetësimi më i madh ishte në sytë e Orianës që shpejt u shndërrua në lotë.

 

- Oriana! - bërtiti Orioni me sa zë që kishte. - Të dua shumë, buzëqeshja ime, të dua sot e të gjithë jetën e mbetur! Le ta dëgjojë Egjipti, shkretëtira, Nili dhe piramidat le t’ia përcjellin universit! Të dua!

 

- Edhe unë të dua shumë, ëndrra ime, mrekullia ime! - tha me vete Oriana duke marrë frymë thellë.

 

Gamilet u ulën dhe ata të dy zbritën. Oriana u kthye nga gamilja e saj. Gamilja zgjati kokën nga vajza dhe e mbështeti mbi rërë, symbyllur. Përsëri një ngrirje e kohës. Përsëri Oriana zgjati dorën dhe e përkëdheli gamilen në kokë. Gamilja hapi sytë.

 

Orioni pagoi dollarët dhe u nisën drejt makinës së tyre.

 

- Ku e gjen gjithë atë humor, zemër? Çfarë rripi sigurimi kërkoje mbi gamile?

 

Të dy qeshën.

 

- E pe se si gamilohet gamilja? - vazhdoi Orioni.

 

- E, po, - bëri Oriana, - më fute frikën dhe ...

 

- Çfarë?

 

- Ndjeva Jonën tonë, shpirti im.

 

- Oh, ç’gjë e bukur! Si ...? 

 

- Më vonë të tregoj.

 

Orioni e kapi nga dora dhe ashtu hynë në makinë. 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Kapitulli 13

 

 

 

 

- Piramida e dytë është e hapur, - tha Xhoni, - dhe mund ta vizitoni, nëse doni. 

 

- Si thua, Oriana?

 

- Orion, ç’kuptim ka të vish deri këtu dhe të mos shikosh një piramidë nga brenda? - Oriana përdori argumentin e parë, duke e përfunduar kësaj radhe.

 

- Janë korridore të ngushta e të pjerrta dhe është shumë zagushi atje brenda, - tha Xhoni me shpresë se do t’u kthente mendjen. Duket e shikonte me merak aventurën e tyre brenda piramidës.

 

- Kam qejf ta shikoj, Orion! - u lut ajo.

 

- Ashtu u bëftë! - tha Orioni duke dalë nga makina.

 

Kishte plot njerëz që po hynin, të të gjitha kombësive. Ishte vërtetë zagushi brenda dhe një njeri që vuante nga klastrofobia do ta kishte keqësisht të vështirë aty. Ata kaluan mbi disa skela druri që të çonin drejt një hyrjeje që merrte me drejtim poshtë. Ideja ishte që të shkonin drejt njërës prej dhomave të piramidës. Kishte ndriçim dhe Orioni printe duke kthyer kokën herë pas here nga Oriana dhe duke e pyetur se si ndihej. Të qënit brenda piramidës të jepte një ndjesi mistike, dhe një rrëqethje prapa qafës. Kjo mjaftonte për Orionin dhe ai do të ishte kthyer, por Oriana do t’ia merrte për frikë dhe ai nuk e donte këtë gjë. Nëse kishte frikë, kjo ishte për të dhe jo për vete. Kalimi po bëhej pak i sikletshëm, sepse duhej përkulur trupi. Zagushia vazhdonte dhe ai po mendonte mbi ato eksperimentet dhe vetinë e çuditshme që gjërat organike nuk prisheshin brenda piramidës, por mumifikoheshin. Zbulimin tjetër të çuditshëm se një brisk roje i përdorur po ta fusje në piramidë mprihej. Pra, piramida krijonte brenda vetes një fushë të sajën dhe kjo vinte prej formës së saj që bënte fokusimin e ndonjë energjie të çuditshme.

 

Orioni ktheu kokën prapa, por nuk e pa Orianën. Ishte e pamundur që ajo ta kishte kaluar dhe po aq e pamundur që të kthehej kundër rrymës së njerëzve, aq më tepër pa i thënë gjë atij. Nuk kishte mundësi që të kishte rënë gjëkundi. Filloi të dridhej dhe nuk dinte se çfarë të bënte. Vendosi të kthehej të kërkonte ndihmë. Aty ndodhej një skelë tjetër mbi të cilën njerëzit ktheheshin që brenda jashtë. Orioni u var dhe preku skelën tjetër, pastaj u lëshua mbi të. Donte të vraponte, por, përveç që kishte njerëz, ishte edhe e përpjetë dhe kishte filluar të ndjente dhimbje prapa kokës, që i vinte nga presioni i lartë i gjakut. Vazhdoi me shpirt ndër dhëmbë dhe, kur doli tek hyrja, mori frymë thellë, dhe i thirri Orianës që po bisedonte me Xhonin. Të dy dukeshin të habitur.

 

- Oh, zemër, çfarë ndodhi? U ktheve mbrapsht? Përse nuk më the?

 

- Nuk e di, nuk e di fare. Di që pashë atë dhomën, ku duhej të kishte qënë sarkofagu.

 

- Po si? Ti ishe mbrapa meje.

 

- Nuk e di, zemër. Ja përshkrova dhomën Xhonit dhe Xhoni thotë se është përshkrim besnik i dhomës aty brenda. 

 

- Xhoni?!

 

- Orion, shumë turistë kanë përjetime të çuditshme. Ka një pikë aty në piramidë, ku njerëz të caktuar kanë parë të ardhmen e tyre, kanë parë gjëra të frikshme, kurse Orianës thjesht iu kursye mundi dhe koha iu përshpejtua, ose ... si të të them ... 

 

- Zemër, janë disa gjëra që kanë ndodhur sot. Nuk të trëmbin?

 

- Jo, miku im, nuk më trembin. Kam një qetësi të çuditshme brenda, një paqe dhe një gëzim. Nga që jam me ty, ndoshta ...

 

Vizita tjetër ishte Sfinksi. Ndërsa e shikonin aq afër, ata nuk besonin dot se nuk ishin në ëndërr. “Pickomë një çikë në krahë,” i pëshpëriti Orioni. “E pabesueshme!” Oriana filmonte. Pranë Sfinksit ishte një tempull ku ata qëndruan gjatë, sepse shpjegimet e Xhonit ishin shumë interesante. Aty ishte edhe një pus, ku njerëzit hidhnin monedha për fat të mirë. Atë gjë bëri edhe Orioni në emër të të dyve.

 

Sipas programit të ngjeshur të asaj dite, radhën e kishte instituti i esencave dhe parfumeve. Pasi dëgjuan shpjegimin se si prodhohej esenca nga lulet, për të cilën Egjipti mbante vend të parë në botë, Orioni bleu Natën Arabe për vete, Sekretin e Shkretëtirës për Orianën, megjithë rezistencën e saj dhe Lotus për aromë mjedisi.

 

Të lodhur disi dhe të uritur, ishin ulur të dy në një lokal mbi një anije, mbi Nil, për drekë. Dreka ishte vetshërbim, tip bufeje dhe ata u kthyen në vendet e tyre me pjatat plot e përplot sa filluan të qeshnin me lakminë e tyre. Në zbatim të ndonjë rregulli të prerë, Xhoni dhe shoferi nuk u ulën në tavolinë me ta, pavarësisht këmbënguljes së Orionit. Xhoni i shpjegoi se këto ishin rregulla që nuk mund të thyheshin. Sipas tij, në çdo lokal kishte vende të posaçme për njerëzit e shërbimit. Këto ishin kastat. 

 

Orioni dhe Oriana hanin dhe bisedonin për çfarë kishin përjetuar deri ato çaste. Piruni i saj zgjatej, herë herë, dhe peshkonte në pjatën e tij. Gjest familjar që e ngrohte Orionin në shpirt. 

 

- Më thuaj, zemër. Më trego për Jonën.

 

- E ndjeva, buzëqeshja ime, ishte një lëvizje e dobët që më shtyti tek barku. Sa çudi! 

 

- Ta ve pak dorën?

 

- Jo tani, zemër.

 

- Bëra shaka, por premtimin mbaje mend.

 

- I keq!

 

- Shpirti im!

 

Muzeu El-Khalili, ku ekspozoheshin çudirat e lashta egjiptiane me mumjet, sarkofagët, përkrenaret e famshme mbretërore, i angazhoi ata për disa orë. Një dritë e vjetëruar, ngjyra të vjetëruara, një prani pluhuri të vjetëruar, një heshtje e vjetëruar ishte përshtypja e parë e tyre. Të dukej vetja i vjetëruar. Salla të përmasave piramidale dhe shumë aziatikë. 

 

- Nuk bën mirë të rrini gjatë në këtë atmosferë, - i tha Xhoni Orionit si në konfidencë.

 

- Diçka të tillë po e formuloja në mendje, - iu përgjigj Orioni. - Thanks!

 

- Do dalim, Oriana, mjafton.

 

- Si të thuash ti, zemër.

 

Makina i mori dhe i la aty pranë, tek pazari i famshëm i Kajros. 

 

- Unë do të jem tek ai lokali aty. Mos harroni se në tetë do të nisemi për nga stacioni i trenit, - u tha Xhoni.

 

Oriana dhe Orioni u futën në Pazar dhe duhet të përballonin trysninë mjeshtërore të tregtarëve që të blenin ndonjë suvenir, shall, bizhuteri apo fustan. Aty bënë plot gallatë, sepse i merrnin për spanjollë ose grekë. Dhe Orioni blofonte me ato pak fjalë spanjisht apo greqisht që dinte. Xhoni i kishte paralajmëruar më se një herë që të bënin pazar, sepse ata kërkonin edhe katërfish ndonjëherë. Blenë gjëra të vogla dhe u kthyen, sepse të dy e ndjenin veten të lodhur dhe donin të uleshin, se edhe idenë e pazarit të famshëm e krijuan.

 

  Xhonin e gjetën të ulur jashtë lokalit duke pirë një lëng të kuq. Dikush aty pranë po tymoste nga një nargjile, dmth pinte duhan duke e gurgulluar tymin në ujë më parë. Orioni kërkoi Redbull, por, fatkeqësisht, për të, nuk kishte, atëhere të dy përfunduan me nga një gotë me lëng të freskët mangoje. Shije jo prej kësaj toke. Mund ta lexoje tek fytyra e të dyve. 

 

- Lodhur, zemër?

 

- Pak, por shumë e kënaqur. Brenda një dite gjithë atë eksperiencë.

 

- Jona?

 

- Duhet të jetë lodhur edhe kaçurelka ime.

 

Orionit i buzëqeshi shpirti prej këtij zhvillimi të ri. Oriana po krijonte marrëdhënie me Jonën.  

 

  

 

 

 Fragment nga Romani "Netët e fundit mbi Nil"

 

 

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00